Haradinaj i reagon Mogherinit për taksën dhe dialogun me Serbinë | Ballkani | DW | 13.03.2019
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages
Reklamë

Ballkani

Haradinaj i reagon Mogherinit për taksën dhe dialogun me Serbinë

Qeveria e Prishtinës i kërkon ndërmjetësueses së dialogut Federika Mogherinit që mos ta lidhë taksën me dialogun. Mogherini tha në New York se pa u hequr taksa nuk do të thërras raund të ri bisedimesh.

Qeveria e Prishtinës ka reaguar ndaj shefes së diplomacisë evropiane, Federika Mogherini, e cila tha para anëtarëve të KS-it se Prishtina duhet ta heqë taksën ndaj Serbisë, në mënyrë që të vazhdojë dialogu Kosovë-Serbi, ku një marrëveshje përfundimtare ndërmjet dy vendeve do të duhej ta kishte edhe miratimin e KS-it të OKB-së.

Kryeministri Ramush Haradinaj i rikujtoi zonjës Mogherini, e cila është ndërmjetësuese ne dialogun Kosovë-Serbi, se "Dialogu ka ngecur shumë kohë para taksës - mos i ndërlidhni këto dy çështje”.

"Dialogu kishte ngecur shumë kohë para se të vendosej taksa. Mungesa e transparencës, inkurajimi për shkëmbim territoresh dhe dështimi për të zbatuar marrëveshjet ekzistuese - këto janë arsyet. Dialogu mundet dhe duhet të vazhdojë por pa e lidhur atë me taksën”, shkroi Haradinaj në twitter.

Shefja e diplomacisë evropiane Federika Mogherini tha dje në New York se dialogu Kosovë-Serbi mund të vazhdojë vetëm duke e anuluar vendimin për vendosje të taksës ndaj mallrave serbe.

"Për vazhdim të plotë të bisedimeve, taksa e vendosur nga qeveria e Kosovës duhet të hiqet. Atë ditë që hiqet taksa, menjëherë do të thërras një takim të ri për dialogun, për të arritur një marrëveshje ligjërisht obliguese, e cila do të adresonte të gjitha çështjet e diskutueshme dhe t'i normalizojë në plotni marrëdhëniet mes Prishtinës dhe Beogradit”, tha Federika Mogherini para anëtarëve të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

Sipas saj, sapo Prishtina ta heqë taksën, ajo do ta thërras menjëherë një raund të ri të dialogut ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit në mënyrë që të arrihet një marrëveshje.

"Siç e dini unë personalisht e lehtësoj dialogun. Por, dialogu nuk më përket mua, Bashkimit Evropian apo ndonjërit prej nesh rreth kësaj tryeze, ajo i takon dy palëve në dialog, Prishtinës dhe Beogadit. U takon atyre të arrijnë një marrëveshje, që do të ishte e pranueshme dhe e përshtatshme për të dyja palët. Në të njëjtën kohë, një marrëveshje përfundimtare duhet të jetë në përputhje me të drejtën ndërkombëtare dhe do të duhet të mbështetet nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së”, tha Federika Mogherini. Sipas saj, për arritjen e këtij qëllimi, ajo është e gatshme të intensifikojë bisedimet edhe me anëtarët e Këshillit të Sigurimit.

Pas Bashkimit Evropian, SHBA-së dhe Gjermanisë është edhe Britania e Madhe e cila i kërkoi qeverisë së Kosovës, që ta heqë taksën ndaj mallrave të Serbisë dhe t'i hapet rruga dialogut. Drejtori i Përgjithshëm për Çështje Politike në Ministrinë e Jashtme të Mbretërisë së Bashkuar, Richard Moore, zhvilloi biseda me kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinaj. Ky i fundit tha se "Kosova është e vendosur për stabilitet dhe paqe të qëndrueshme në rajon”.

"Kosova është thellësisht e interesuar për arritjen e marrëveshjes finale me Serbinë, në thelb të së cilës qëndron njohja reciproke në kufijtë ekzistues, përfshi kapitullin e tregtisë së lirë. Kosova ka folur me një zë dhe për këtë ka votuar në Kuvend Ligjin dhe Platformën për Dialog, që përfaqëson unitetin e institucioneve tona”, tha Ramush Haradinaj.

Të gjithë kërkojnë heqjen e taksës

Kryeministri nuk foli për taksën, por ishte zëvendëskryeministri dhe bashkëkryesuesi i ekipit kosovar të dialogut, Fatmir Limaj, i cili tha se ”të gjithë zyrtarët ndërkombëtarë, që po vizitojnë Kosovën, po kërkojnë që të pezullohet taksa”.

"Të gjithë që vijnë, në një mënyrë apo tjetër kërkojnë që t'i jepet mundësi dialogut dhe të pezullohen pengesat, në këtë rast taksa dhe ne në çdo rast mundohemi të shpjegojmë që kushtëzimet nuk janë të mira në dialog dhe jemi të interesuar dhe fokusuar që sa më shpejt të fillojë dialogu”, tha Fatmir Limaj.

Deklarata e shefes së diplomacisë evropiane, Federika Mogherini lidhur me marrëveshjen e mundshme përfundimtare Kosovë-Serbi, për kryetarin e Komisionit parlamentar për Kosovën në Kuvendin e Serbisë, Milovan Drecun, është një "fuqizim i pozicionit të Serbisë në bisedime”.

"Deklarata e Mogherinit se marrëveshjen përfundimtare Kosovë-Serbi duhet ta mbështesë Këshilli i Sigurimit i OKB-së fuqizon pozicionin e Serbisë, pasi në këtë proces kyçen të paktën pesë vendeve. Këtë herë në lojë hyjnë Rusia dhe Kina dhe kjo e fuqizon pozicionin e Serbisë”, ka deklaruar Drecun, transmeton mediumi publik serb RTS, sipas të cilit, deklarata e Mogherinit "nënkupton se vazhdimi i bisedimeve ka kaluar nga niveli teknik në bisedime për statusin e Kosovës”.

Por Prishtina zyrtare përmes ligjit dhe platformës së saj për dialog që e miratoi javën e shkuar në Kuvendin e Kosovës, e ka vënë një kusht për t'u përfshirë në dialogun për marrëveshjen finale me Serbinë. Kushti i saj është që përpara se të ulet në tryezën e bisedave në Bruksel, "do zotimin paraprak të delegacionit serb se e ka autoritetin që të bierë dakord për njohjen e shtetit të Kosovës”.