Hap i rëndësishëm në drejtim të NATO-s | Ballkani | DW | 15.12.2006
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Hap i rëndësishëm në drejtim të NATO-s

Bosnje-Hercegovina, Mali i Zi dhe Serbia bashkohen me Partneritetin për Paqe

default

Shtatë vjet pas sulmeve ajrore të Nato-s kundër Serbisë vendi është tani partner i ri i kësaj aleance. Po kështu edhe Bosnje-Hercegovina dhe Mali i Zi të cilat të enjten në selinë qëndrore në Bruksel vulosën pjesëmarrjen e tyre në të ashtuquajturin "Partneritet për Paqe".

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jaap de Hoop Scheffer dhe tre presidentët nga Serbia, Mali i Zi dhe Bosnje-Hercegovina ishin të një mendjeje: nënshkrimi i dokumenteve për "Partneritetin për Paqe" me NATO-n janë një ngjarje historike për Ballkanin. Aleanca ushtarake transatlantike vendosi në takimin e Rigës dy javë më parë pranimin në programin e partneritetit të këtyre tre vendeve, një lloj shkalle paraprake kjo drejt anëtarësisë së plotë. Sekretari i Përgjithshëm i Nato-s Jaap de Hoop Scheffer shpjegoi përse u ndërmorr tani ky hap: "Unë mendoj se është e rëndësishme që të bëhet gjithçka për të arritur një stabilitet afatgjatë në Ballkan. Kryetarët e shteteve dhe qeverive kanë vendosur se "Partneriteti për Paqe" është një element i rëndësishëm për këtë. Bashkëpunimi me Gjykatën e Hagës nuk ka humbur aspak rëndësi nga ky hap."

Shqetësimet se Serbia dhe Bosnje-Hercegovina nuk do të bashkëpunojnë mjaftueshëm me Gjykatën për Krime Lufte në Hagë Nato i hodhi poshtë nën trysinë amerikane. Kryeprokurorja e Gjykatës Carla del Ponte u shpreh shumë e indinjuar për rastin e Serbisë. Bashkimi Europian i refuzon Serbisë fillimin e dëshëruar të bisedimeve për anëtarësim pasi i akuzuari për krime lufte Ratko Mlladiç deri tani nuk është arestuar dhe dorëzuar nga serbia. Presidenti serb Boris Tadic premtoi: "Disa muaj më parë dukej krejt e pamundur që Serbia të hynte në NATO. Por nganjëherë mund të arrihen edhe objektiva të cilat muaj më parë ishin të paarritshëm. Ne duhet të vazhdojmë të përpiqemi. Çfarëdo që të vendosë BE-ja, mbetet detyrimi ynë të bashkëpunojmë plotësisht me Gjykatën Ndërkombëtare. Këtë do ta përsëris edhe njëqind herë të tjera."

Në qarqet diplomatike u tha se ndoshta Mlladiç mund t'i dorëzohet Gjykatës pas zgjedhjeve në Serbi në muajin janar. Afrimi i NATO-s me Serbinë pritet t'i mundësojë vendit edhe një qëndrim më fleksibël në konfliktin për Kosovën. Serbia kundërshton një pavarësi të mundshme të Kosovës. Presidenti serb Boris Tadiç: "Ne mbrojmë interesat dhe kufijtë tanë por këtë e bëjmë në mënyrë europiane dhe me mjete diplomatike në negociata. Ne nuk do të fillojmë asnjë luftë. Do të kontribuojmë në stabilizimin paqësor."

Me vendet e Ballkanit, NATO-ja tani do të hartojë plane individuale veprimi për reforma në ushtri, ndihmë në armatime dhe përgatitje si dhe manovra të përbashkëta. Deri tani në Partneritetin për Paqe kanë qenë të lidhura 20 vende ndër të cilat edhe shtete të tilla si Turkmenistani apo Rusia. Kriteret për pranim përcaktohen në rradhë të parë nga interesat strategjikë të NATO-s dhe jo edhe aq nga zbatimi i një demokracie të shtetit ligjor në vendet respektive.

Pyetjes kur dhe nëse Serbia, Mali i Zi dhe Bosnje-Hercegovina do të bëhen anëtarë të Aleancës Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jaap de Hoop Scheffer nuk mund t'i përgjigjet ende: "Rruga për në Nato është paracaktuar, nuk flas për Bashkimin Europian. Për NATO-n gjithçka varet nga kontributi i vendeve. Kjo nuk do të thotë se rruga për në anëtarësimin në Nato nuk është e gjatë dhe e vështirë. Kontributet janë vendimtare por duhen vendosur edhe piketa. Kjo është ajo që po bëjmë sot."

Për Malin e Zi i cili vetëm prej shtatë muajsh gëzon pavarësinë pranimi në programin e NATO-s do të thotë njohje e reformave të deritanishme në ushtri dhe shoqëri, u shpreh presidenti malazez Filip Vujanovic: "Anëtarësia në Partneritetin për Paqe është një shtysë e re për reformat tona ekonomike. Ato do të realizojnë një standart më të lartë jetese për qytetarët tanë dhe kushte më të mira për investuesit."

Ndryshe nga Serbia, Mali i Zi dhe Bosnje-Hercegovina kanë filluar tashmë negociatat me BE-në për partneritet dhe anëtarësim. Për të dy vendet afrimi me NATO-n është një hap më shumë në familjen europiane dhe transantlike të shteteve u shpreh Sekretari i Përgjithshëm i Nato-s Jaap de Hoop Scheffer: "Bosnje-Hercegovina ka hyrë më në fund në rrugën e integrimit euro-atlantik. Ajo ka bërë një kërcim nga epoka e Dejtonit në atë të Brukselit. Kjo është një ngjarje e historike."

Presidenti i Bosnje-Hercegovinës, Nebojsha Radmanovic tha se vendi i tij ka hyrë në rrugën e normalizimit: "Në Bosnje-Hercegovinë nuk ka konflikte etnike. Pranimi ynë në partneritetin për Paqe është konfirmim i mosegzistencës së këtyre konflikteve. Mendoj se kur të jemi plotësisht në Nato mund t'a mbyllim njëherë e përgjithmonë këtë histori."

Me pranimin e Serbisë në program, NATO për herë të parë kryen një operacion ushtarak në një vend i cili i përket Partneritetit për Paqe, pasi Kosova është sipas të drejtës ndërkombëtare pjesë e Serbisë. Në kuadër të trupës mbrojtëse për Kosovën janë të stacionuar atje 16.500 ushtarë të NATO-s.

  • Data 15.12.2006
  • Autor Bernd Riegert
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/AraO
  • Data 15.12.2006
  • Autor Bernd Riegert
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/AraO
Reklamë