1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Hale: Eshtë momenti për një marrëveshje Kosovë-Serbi

Bekim Shehu
9 Mars 2019

Tre udhëheqësit kryesor politik kosovar, Thaҁi, Veseli dhe Haradinaj, siguruan diplomatin amerikan se Kosova është për rikthim në dialog me Serbinë, por nuk thanë nëse Kosova do të heqë tarifat për mallrat serbe.

https://p.dw.com/p/3Ej2F
Kosovo Parlamentsgebäude
Fotografi: DW/B. Shehu

Nënsekretari amerikan për çështje politike, David Hale, tha në Prishtinë se SHBA nuk ka pozicion rreth rezultatit të dialogut Kosovë-Serbi, por insiston në njohje të ndërsjelltë. Duke zgjedhur tri medie nacionale të Prishtinës për t'i shprehur qëndrimet e tij, David Hale, shkruajnë këto medie, ka thënë se "tash është momenti për arritjen e një marrëveshjeej Kosovë-Serbi, ndërsa, përmbajtja e kësaj marrëveshje, varet nga vet Kosova dhe Serbia. Këto komente David Hale, i ka bërë gjatë një vizite që po realizon në Kosovë, ku pati takim me dyer të mbyllura me udhëheqësit kryesorë politik kosovar.

"Ndjehem mirë që jam në Kosovë për të diskutuar se si Shtetet e Bashkuara dhe Kosova mund të vazhdojnë bashkëpunimin në ndërtimin e paqes, drejtësisë dhe prosperitetit për Kosovën dhe rajonin", shkroi në Twitter, ambasadori amerikan Philip Kosnet, duke cituar nënsekretarin David Hale.

Nënsekretari amerikan për ҁështje politike, David Hale, erdhi në Prishtinë pas një vizite që kishte në Beograd, ku nënvizoi "mundësinë historike për të arritur një marrëveshje të plotë të normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, dhe kërkoi heqjen e pengesave në mënyrë që të vazhdojë dialogu.

Nënsekretari amerikan, David Hale thotë se "përkrahja amerikane për Kosovën është e palëkundur dhe SHBA-ja kujdeset për mirëqenien, prosperitetin dhe sigurinë e Kosovës”.

"Uashingtoni konsideron se tani është një moment i përshtatshëm për të arritur një marrëveshje gjithëpërfshirëse me Serbinë, duke theksuar se në bosht të asaj marrëveshjeje duhet të jetë njohja e ndërsjelltë”, ka thënë nënsekretari David Hale, për mediet në Prishtinë. Ai ka shtuar se "ka një pajtim të gjerë ndërmjet aleatëve perëndimorë se çdo marrëveshje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, duhet t'i kontribuojë stabilitetit rajonal dhe jo e kundërta”. Sipas, tij, "SHBA nuk ndryshn pozicionin kur është në pyetje shtetësia e Kosovës, ajo e përkrah pavarësinë dhe sovranitetin”.

Nënsekretari amerikan për Çështje Politike, David Hale, takoi në Prishtinë tre udhëheqësit e institucioneve kryesore në Prishtinë, Presidentin Hashim Thaҁi, kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli dhe kryeministrin Ramush Haradinaj. Takimi u zhvillua për më shumë se dy orë me dyer të mbyllura në ambasadën e SHBA në Prishtinë, ku asnjëri nga udhëheqësit kosovar pas takimit nuk folën për medie, por shfrytëzuan profilet e tyre sociale që të japin qëndrime dhe të tregojnë se ҁfarë është folur në këtë takim.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaҁi, shkroi përmes Facebook-ut se në takim është diskutuar për dialogun me Serbinë dhe se sipas tij, "Kosova ka përsëritur zotimin, se është gati për dialog sa më gjithëpërfshirës dhe transparent. Për këtë edhe Kuvendi i Kosovës e ka miratuar Platformën për Dialogun".

"Biseduam edhe për zhvillimet aktuale në Ballkanin Perëndimor, me theks të veçantë për vazhdimin e dialogut në mes të Kosovës dhe Serbisë në këtë momentum të ri, si mundësi për një marrëveshje përfundimtare dhe gjithëpërfshirëse, që do t'i mbyllë të gjitha çështjet e hapura në mes të vendeve tona. Pra, për një marrëveshje ligjërisht obliguese, që do të sjellë njohjen reciproke dhe ulësen në Kombet e Bashkuara dhe që do të na mundësojë që të kalojmë nga gjendja e armiqësisë së përhershme në një gjendje të paqes, normalitetit dhe bashkëpunimit mes vendeve tona", shkroi Presidenti Thaci.

Edhe kryeministri Ramush Haradinaj, nga ana e tij shkroi se "Kosova është për rikthim të dialogut me Serbinë "ku do të diskutoheshin të gjitha çështjet përfshirë edhe tregtinë e lirë që të arrihet marrëveshje me njohje në kufijtë ekzistues", ndërsa nuk përmendi nëse qeveria e tij do të heqë taksën e vendosur ndaj produkteve, e cila po kërkohet.

Kryetari i kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, shkroi se "qëllimet e Kosovës mund të arrihen vetëm duke ruajtur dhe duke fuqizuar partneritetin e përjetshëm ndërmjet Kosovës dhe SHBA-së”.

"Qytetarët tanë i siguroj se Dialogu do të përfundojë me rezultat të qartë, që i siguron Kosovës njohje nga Serbia dhe anëtarësim në OKB, pa cënuar në asnjë mënyrë sovranitetin shtetëror, integritetin territorial dhe karakterin unitar të shtetit tonë. Po ashtu, z. Hale i shpreha qëndrimin tim të vendosur që për asnjë arsye nuk do të lejoj rrezikimin e raporteve ndërmjet Kosovës dhe SHBA-së dhe se veprimet tona të ardhshme do të jenë të kordinuara me SHBA-në”, shkroi në postimin e tij, Kadri Veseli.

Nënsekretari amerikan i Shtetit për Çështje Politike, David Hale, një ditë më parë (8.03) ishte në Beograd, ku pas takimit me Presidentin serb Aleksandër Vuҁiq, kërkoi nga Kosova dhe Serbia "që të ndalin provokimet dhe të rivendosin dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian në Bruksel”. Ndërsa, nga Prishtina zyrtare kërkoi heqjen e taksës prej 100 për qind ndaj mallrave serbe.

"Shtetet e Bashkuara të Amerikës bëjnë thirrje për heqjen e taksës, ndaljen e provokimeve të dyanshme dhe vazhdim të dialogut. Shtetet e Bashkuara vlerësojnë partneritetin me Serbinë dhe dëshirojnë të ndërtojnë raporte edhe më të fuqishme”, citohet të ketë thënë David Hale, publikuar në Twitter nga ana e Ambasadës së SHBA-së në Beograd.