1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Haga ngre padi ndaj Hashim Thaçit

24 Qershor 2020

Presidenti i Kosovës Thaçi dhe nëntë të tjerë paditen për krime lufte gjatë konfliktit të armatosur me Serbinë. Deputeti gjerman Sarrazin e mirëpret ngritjen e padive si përpjekje serioze për drejtësi.

https://p.dw.com/p/3eHLk
Kosovo |  Präsident Hashim Thaci wegen Kriegsverbrechen angeklagt
Fotografi: picture-alliance/AP Photo/File/V. Kryeziu

Zyra e Prokurorit të Specializuar ka dorëzuar një aktakuzë ndaj Presidentit të Kosovës Hashim Thaçi dhe kreut të PDK-së, Kadri Veseli. Aktakuza pretendon se ata dhe disa persona të tjerë dyshohen se janë përgjegjës për vrasjen e 100 vetëve. Gjykatësi i procedurës paraprake është duke e shqyrtuar aktakuzën dhe do të marrë vendim nëse do ta konfirmojë atë.

Në aktakuzën që Zyra e Prokurorit të Specializuar u paraqiti për shqyrtim Dhomave të Specializuara për Kosovën  Hashim Thaçi, Kadri  Veseli dhe disa persona të tjerë akuzohen për një sërë krimesh kundër njerëzimit dhe krimesh lufte ndër të cilat, vrasje të paligjshme, zhdukje me detyrim të personave, përndjekje dhe tortura.

Kosovo Präsident Hashim Thaci und Kadri Veseli
Fotografi: picture-alliance/AP Photo/V. Kryeziu

Në aktakuzë thuhet se të paditurit janë përgjegjës për rreth 100 vrasje të paligjshme. Krimet e paraqitura në aktakuzë përshijnë viktima të identifikuara si shqiptarë, serbë dhe romë të Kosovës si dhe kundërshtarë politikë.

Pengim dhe sabotim i punës së Gjykatës Speciale

Në njoftimin e prokurorit të specializuar thuhet më tej se “Prokurori i specializuar  e gjykon të domosdoshëm nxjerrjen e këtij njoftimi publik për akuzat, për shkak të përpjekjeve të përsëritura të Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit për pengimin dhe sabotimin e punës së Gjykatës Speciale. Besohet se zoti Thaçi dhe zoti Veseli kanë ndërmarrë në fshehtësi një fushatë për shfuqizimin e ligjit që krijoi Gjykatën dhe kanë penguar punën e Gjykatës në orvatje për t'i bishtënuar drejtësisë.” 

“Nëpërmjet këtyre veprimeve zoti Thaçi dhe zoti Veseli, kanë vënë interesat e tyre vetjake mbi viktimat e krimeve të tyre, sundimin e ligjit dhe popullin e Kosovës." - thuhet më tej në njoftim.    

Një gjykatës i procedurës paraprake i DHSK-së është duke e shqyrtuar aktakuzën për të vendosur nëse do t'i konfirmojë akuzat në fjalë.

Landesmitgliederversammlung der Grünen: Manuel Sarrazin
Manuel SarrazinFotografi: picture-alliance/dpa/M. Scholz

Manuel Sarrazin deputet i partisë ekologjike "Të Gjelbërit" dhe njohës i Ballkanit Perëndimor tha në një deklaratë për DW: "Edhe më tepër se 20 vjet pas luftës shumë krime lufte as nuk janë sqaruar as nuk janë shlyer. Por pa një përpjekje serioze për drejtësi, pajtimi dhe paqja e qëndrueshme janë të vështira për t'u arritur. Prandaj, unë mirëpres faktin që gjykatat speciale të Kosovës tani kanë paraqitur paditë e para kundër Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit. Shpresoj se ndjenja e shumë njerëzve që shumë kriminelë lufte nga të gjitha palët e luftërave në rajon gëzojnë deri më sot pandëshkueshmëri mund të zvogëlohet."