Guximi do e distanconte Merkelin nga kursi ledhatues i Shrëderit | Studimi në Gjermani | DW | 16.01.2006
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Studimi në Gjermani

Guximi do e distanconte Merkelin nga kursi ledhatues i Shrëderit

Vizita e kancelares Angela Merkel në Moskë dhe kriza atomike me Iranin janë dy ndër temat që komentohen në shtypin e sotëm të Gjermanisë.

Hija e Shrëderit dhe Putinit, Hanover 2005.

Hija e Shrëderit dhe Putinit, Hanover 2005.

Lidhur me vizitën e kancelares Angela Merkel në Moskë, e përditshmja "Tageszeitung" që del në Mynih shkruan: "Që me largimin e Gerhard Shrëderit do t´i jepej fund edhe miqësisë mes burrash në marrëdhëniet gjermano-ruse, kjo as që vihej në dyshim. Por axhenda e vizitës së prezantimit të Angela Merkelit në Moskë të befason: kancelarja dëshiron të takohet me organizatat jo qeveritare të ndaluara me ligj si dhe me gazetarët në Rusi. Madje edhe lufta, tashmë e harruar në Çeçeni, do të jetë temë e bisedimeve. E po ashtu edhe gjendja në Bjellorusi dhe në Ukrainë. Nëse Merkel flet me guxim në Moskë, kjo do të shërbente si një distancim prej kursit të ledhatimeve që ka ndjekur parardhësi i saj", vëren "Tageszeitung".

"Finatial Times Deutschland" mbi të njëjtën temë komenton: "Angela Merkel po mbledh mirënjohje nga të gjitha anët. Vizita në Uashington javën e shkuar shënoi edhe kulmin e deri tanishëm të saj si një kancelare që e ka gjetur veten në politikën e jashtme. Por sidoqoftë suksesi i padiskutueshëm në skenën e re është pjesërisht meritë vetëm e saj. Kryetarja e kristiandemokratëve po profilizohet si një forcë e pakonsumueshme politike prej krizave, që po e shndërrojnë atë në një figurë shpresëdhënëse. Merita e Merkelit është që këto shanse po i shfrytëzon më së miri. Sot në Moskë nis për të një provë delikate: sa kritika do t´i lejojë vetes Merkeli në adresë të Vladimir Putinit?", këtë pyetje shtron komentatori i "Finantial Times Deutschland".

Një ndër temat që do të diskutohet mes Putinit dhe Merkelit në Moskë do të jetë edhe konflikti në shkallëzim për programin atomik të Iranit. Lidhur me këtë çështje në komentin e "Berliner Zeitung" lexojmë: "Teherani u ka mbijetuar sanksioneve amerikane, atyre evropiane ai s´u trëmbet, sepse normalisht ato nuk mendohen seriozisht. Megjithatë ka edhe një propozim për ndërmjetësim, pasi Teherani hodhi poshtë ofertën e Rusisë për programin bërthamor. Evropianët mund ta arrijnë zhvillimin e energjisë bërthamore për qëllime civile duke i ofruar joint venture Iranit. Nëse Teherani e refuzon edhe një ofertë të tillë, atëherë vërtetë që s´mund të ketë më dyshime mbi qëllimet që ka ky vend", nënvizon "Berliner Zeitung".

Kriza për programin bërthamor të Iranit ka hapur edhe në Gjermani diskutimin mbi vazhdimësinë e mbajtjes në funksionim të centraleve bërthamore. Lidhur me këtë e përditshmja "Märkische Allgemeine" që del në Potsdam shkruan: "Derisa energjitë alternativë të plotësojnë boshllëkun që do të krijojë dorëheqja prej energjisë bërthamore do të duhet një kohë e gjatë. Madje edhe vetë kryetari i kryesisë së prodhuesit të energjisë së erës Repower, Fritz Vahrenholt, ish-senator i Hamburgut, që padyshim konsiderohet si agjent i lobit të "energjisë atomike", po bën thirrje për shtyrjen e afatit të nxjerrjes nga përdorimi të centraleve bërthamore. Tek e fundit duhet fituar kohë, në mënyrë që energjitë alternativë të aftësohen për t´i bërë ballë konkurrencës. E kjo madje duhet të arrihet me kosto të përballueshme. Por çështja e shtyrjes së afatit nuk përputhet me lojrat profilizuese të partive politike. E rëndësishme është që të peshohen mirë rreziqet dhe se ç´është e arësyeshme për ekonominë popullore", analizon "Märkische Allgemeine".

Debati në radhët e koalicionit të gjerë në Gjermani për energjinë bërthamore mund të jetë në të ardhmen edhe një nga pikat e konfliktit midis dy partive të mëdha, asaj kristiandemokrate dhe socialdemokratëve. Duke komentuar mbledhjen e partisë socialdemokrate gazeta "Stuttgarter Zeitung" shkruan: "Partia socialdemokrate ka rrezik që të tronditet nën hijen e kancelares, që e ka nisur detyrën me më shumë sukses se parardhësit e saj. Nuk mjafton që t´i varësh shpresat tek popullariteti i madh i qeverisë së re bazuar tek melodia bazë e socialdemokratëve "marrëveshja e koalicionit" dhe tek "zemra e Merkelit për të dobëtit". Nga sukseset e koalicionit të gjerë tani për tani po përfiton vetëm kancelarja. Por vetëm me harmoninë e koalicionit të madh nuk mund të bëhet politika socialdemokrate. Kjo parti duhet të forcojë profilin e vet pa rrezikuar të marrë rolin e plangprishësit në qeveri. Politika e përkëdheljeve mes të kuqve dhe të zinjve padyshim që do të marrë fund së shpejti. E më së voni atëherë, kur do të duhet të sqarohen çështjet vërtetë të diskutueshme", paralajmëron "Stuttgarter Zeitung".

  • Data 16.01.2006
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Arrr
  • Data 16.01.2006
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Arrr