1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Guttenberg jep dorëheqjen

1 Mars 2011

Ministri gjerman i Mbrojtjes Karl-Theodor zu Guttenberg largohet nga detyra, pas kritikave për plagjiaturë në punimin e tij të doktoraturës.

https://p.dw.com/p/10RBc
Ish ministri i Mbrojtjes, Karl-Theodor zu Guttenberg (CSU)Fotografi: picture alliance/dpa

Ministri gjerman i Mbrojtjes Karl-Theodor zu Guttenberg ka dhënë dorëheqjen e tij nga të gjitha postet politike. Këtë e bëri të ditur sot në Berlin vetë ministri. "Dikush mund të pyesë, se përse po e jap dorëheqjen. Fillimisht për disa, një shkak ndoshta jo i kënaqshëm, por njerëzor. Askush nuk e ka të lehtë që të heqë dorë nga një post, të cilin e do me zemër, nga një post, që do të thotë përgjegjësi për shumë njerëz dhe jetën e tyre. Kësaj i shtohet rrethana se unë, për të marrë një vendim me përmasa të tilla, desha të kisha në dispozicion kohën e nevojshme jashtë presionit të medieve dhe të opozitës".

Kritika të pafund

Më parë Guttenberg ishte konfrontuar lidhur me skandalin e plagjiaturës edhe me politikanë nga kabineti qeverisës. Zëvendëskryetari i Parlamentit (Bundestagut), Wolfgang Thierse, ishte shprehur kundër deklaratës së Merkelit se ajo nuk ka vendosur një asistent shkencor, por një ministër. Kancelarja ndan në njërën anë Guttenberg-un si person privat dhe në anën tjetër Guttenberg-un si ministër. Ish-kryeministri i landit të Saksonisë, Kurt Biedenkopf, e kritikoi qëndrimin e qeverisë lidhur me skandalin mbi plagjiaturën e ministrit. Ai e mbështet plotësisht notën e protestës së nënshkruar nga rreth 30.000 shkencëtarë drejtuar kancelares Angela Merkel, tha politikani i CDU-së në televizionin ZDF. Më parë kolegia e kabinetit të tij qeveritar, ministrja e Shkencës, Annette Schavan, kishte thënë se ky rast ishte një turp për Guttenbergun. Edhe profesori Peter Häberle, udhëheqësi i doktoraturës së tij, u distancua hapur nga skandali i Guttenbergut.

Autor: Mimoza Kelmendi (dpa)

Redaktoi: Angjelina Verbica