1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Një zë për një botë të ndarë

Georg Schwarte
12 Dhjetor 2016

Të hënën, Antonio Guterres do të bëjë betimin si Sekretar i Përgjithshëm i OKB-së. Ai është njeriu i duhur.

https://p.dw.com/p/2U73P
Antonio Guterres künftiger UN Generalsekretär
Fotografi: pictur-alliance/AP Photo/T. Peter

Merrini seriozisht fjalët e këtij burri! Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së synon "që t'u vërë emrin që kanë dhe t'i luftojë populizmin politik, racizmin, armiqësinë ndaj të huajve dhe ekstremizmin radikal". O burra, Antonio Guterres! Deklaratat e tij premtojnë shumë. Biografia e tij është universale. Puna e tij është e pamundur. Po kjo nuk ka rëndësi. 

Një Sekretar i Përgjithshëm i OKB-së është njeriu më pa pushtet në skenën ndërkombëtare. Ai ka vetëm një shans: ai duhet të jetë në gjendje të mbajë fjalime. T'i zgjojë njerëzit me fjalët e tij. Të kërkojë. Të bëjë thirrje. Të ngacmojë nervat. Dhe Antonio Guteres është në gjendje të t'i ngacmojë nervat. Ai ka edhe nerva. Ban Ki Moonin, aziatikun që buzëqeshte miqësisht pa zë e pason tani një mjeshtër i vërtetë i retorikës.

Ban Ki Moon ishte fytyra miqësore e çorientimit të bashkuar të këtij komuniteti ndërkombëtar. Ky burrë gjithmonë synimet i kishte të mira. Askush nuk e kundërshton këtë. Por ky burrë qe i padukshëm. I padëgjueshëm. Jo spektakolar. Një diplomat i qetë në vend të gabuar. Çfarë do të mbetet pas dhjetë vjetësh Ban Ki Moon? Një marrëveshje për klimën - testamenti i tij, për aq kohë sa atë ta grisë Donald Trumpi. Një luftë në Siri, e cila është kthyer në një plagë ulçeroze të botës.

Një Këshill Sigurimi të OKB-së, i cili duket se merret me bllokimin e vetes. Një komunitet ndërkombëtar, i cili për dhjetë vjet Ban Ki Moon nuk arriti të reformojë veten dhe atë forum të 15 kombeve së bashku me të drejtën e tij për veto. Një ushtri helmetkaltërish, emri i së cilës është dëmtuar, mandati i së cilës është i kufizuar dhe stërvitja e së cilës është e diskutueshme.

Njerëzimi ka nevojë për OKB-në

Tani kemi pra një Sekretar të ri të Përgjithshëm OKB-së. Ai nuk do ta shpikë nga e para botën. Ai do të ndeshet me kufij. Ai do të dëshpërohet me këtë Këshill Sigurimi për t'i qarë hallin. Po ai do ta thotë. Ai do ta tregojë. Ai është shpresa në kohë shumë të errëta. Ai që thotë sot se këto Kombe të Bashkuara nuk i duhen më kujt, ai e ka shumë gabim. Çdo njeri, njerëzimi në tërësi ka nevojë më shumë se kurrë për këtë organizatë që mezi lëviz, të orientuar nga konsensusi, burokratike.

Sepse bota është një grumbull gërmadhash. Populizmi i djathtë është moda e re. Faktet janë të interpretueshme. Luftërat janë jetë e përditshme. Dhe vetëm kur politika i ka shkatërruar të gjitha, atëherë ata kërkojnë ndihmën e OKB-së: "Pse nuk na ndihmoni?" Antonio Guterres e njeh këtë lojë të mjerueshme. Ai mundet dhe duhet të bëhet prishës i haresë së të të tjerëve. Bota ka nevojë për zërin e tij. Tani. Për dhjetë vjet nga sekretariati i përgjithshëm i OKB-së u dëgjua vetëm një mërmëritje e butë.

Tani vjen Guterresi. Pas zgjedhjes së Donald Trumpit bota mbajti e frikësuar frymën, u mbush me frymë dhe në mënyrë fatale vendosi që edhe një njeri i tillë meriton një shans. Shansi ynë dhe përgjigjja si komunitet ndërkombëtar prej sot është: Guterres. Jepini një shans këtij burri. Për hir të neve njerëzve. Ne kemi vetëm atë.