1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Guri: Shteti të reagojë, ku do të drejtohen këta njerëz.

Angjelina Verbica11 Korrik 2015

Etmond Guri, kryetar i Federatës së Shoqatave shqiptare në Greqi, flet mbi pasojat e krizës për emigrantët shqiptarë dhe vështirësitë e sfidat e kthimit të tyre në Shqipëri.

https://p.dw.com/p/1Fx9S
Etmond Guri
Fotografi: Klix.ba
Federata kontribuon për ligjërimin e emigrantëve shqiptarë në Greqi, Guri me ministren e Emigracionit Christodoulopoulou
Federata kontribuon për ligjërimin e emigrantëve shqiptarë në Greqi. Guri me ministren e Emigracionit ChristodoulopoulouFotografi: DW/O. Lipe
Ambasadori shqiptar në Athinë Dashnor Dervishi (djathtas) në një aktivitet të federatës
Ambasadori shqiptar në Athinë Dashnor Dervishi (djathtas) në një aktivitet të federatësFotografi: DW/O. Lipe

DW: Zoti Guri, ju jeni kryetar i Federatës së shoqatave shqiptare në Greqi. Çfarë funksioni ka kjo federatë?

Guri: Federata ka rol koordinues, është organ i nivelit të dytë, i ligjëruar nga gjykata e Athinës dhe përfaqëson komunitetin më lart. Eshtë një shkallë më sipër nga ç’mund të bëjë një shoqatë. Federata ekziston më shumë për zgjidhjen e problemeve, grumbullon problemet nga gjithë komuniteti, i drejtohet dikastereve përkatëse, ministrive të Brendshme, të Jashtme, qeverisë greke, parlamentit, qeverisë shqiptare, BE.

DW: Çfare bëni momentalisht në shërbim të emigracionit shqiptar në Greqi?

Guri: Momentalisht kemi ofruar shërbim ligjor, pasi ka një problem shumë të madh me ligjërimin e emigrantëve shqiptarë në Greqi. Kemi tre avokatë, që ofrojnë informacion falas rreth çertifikimit të emigrantëve. Kemi dërguar propozimet me shkrim në ministrinë e Emigracionit, kemi marrë pjesë njëkohësisht në dy seanca plenare të zhvilluara për ligjin e nënshtetësisë, i cili sapo u miratua me shumicë votash në parlament (09.07), pra për dhënien e nënshtetësisë së brezit të dytë dhe të shumë kategorive të tjera të emigrantëve.

DW: Sa i ka prekur shqiptaret kriza greke? Kë më së shumti, emigrantët e legalizuar e të integruar, apo ato që shkojnë për të punuar si punëtorë sezonalë?

Guri: Kriza me e madhe ndikoi për hir të së vërtetës mbi emigrantët e ligjëruar, sidomos meshkujt, të cilët pjesa më e madhe rreth 70% e tyre punësoheshin në sektorin e ndërtimit. Sektori i ndërtimit ishte i pari sektor, që u shkatërrua totalisht nga kriza. Dhe në ndërtim janë mbi 60, 70 profesione të ndryshme, që jetojnë nga ndërtimi dhe emigrantët shqiptarë shquhen për muratorë të shkëlqyeshëm për profesione ndërtimi në përgjithësi, hidraulikë, suvaxhinj, teknikë të thjeshtë, për të gjitha kategoritë e ndërtimit. Shqiptarët shquheshin për mjeshtëri, për një specializim më të lartë se të gjitha komunitetet e tjera, ndaj dhe ishin përfshirë të gjithë në ndërtim. Tani ndërtime nuk ka. Ka një paralizë totale.

DW: Dhe këto njerëz kanë ngelur fare pa punë?

Guri: Kanë ngelur pa punë dhe ka një kategori shumë të madhe, që u integrua në mënyrë individuale, sepse unë integrimin e shoh ndryshe jo në mënyrë individuale, që u përshtaten me jetën e vendasve, duke marrë makina me qera, duke blerë shtëpi me kosto të lartë, morën kredi nëpër banka. Dhe keni parasysh, kur ngelesh pa punë, kredia vijon, duhet kthyer. Kriza i preku dhe rëndoi shumë mbi ta.

DW: Çfarë zgjidhjeje kanë, çfarë bëjnë tani?

Guri: Fatkeqësisht në moment nuk bëjnë asgjë. Dhe këtu vjen tragjedia, mund ta them tragjedia, racizmi nga institucionet dhe forcat politike, sidomos dy partitë që ikën, aq më tepër Nea Demokratia ishte totalitare ndaj të huajve na preu shumë ndihma sociale. Me keqardhje e them, edhe pse nuk është thënë deri sot nga mediat, ka shumë bashkëatdhetarë, të cilët janë flijuar, apo kanë vrarë veten, për arsye të problemeve të krizës. Një problem tjetër është se gratë në Greqi nuk u integruan si meshkujt, u konsideruan si kategori e dytë dhe me shumë u sistemuan si shtëpiake me punë shtëpie pra nëpër shtëpitë e pasura të grekërve. Ko solli një problem tjetër, i cili është shumë serioz, problemin e ligjërimit. Nëpër shtëpi punonin në të zezë dhe nuk u ofrohej osiguracion për t’u ligjëruar.

DW: Tani që grekët me zor tërheqin para për vete, vështirë se mund të kenë për të paguar ndihmësit shtëpiakë, që punojnë në të zezë?

Guri: Deri një viti përballohej situata, nga një vit e këndej sa vjen e bëhet më e ashpër. Ndjehet përditë papunësi. Ka njerëz, që janë në dilemë, besomëni vuajnë për mbijetesë. Pa dashur ta teproj, apo ta paraqes si tragjike, ka shumë njerëz, që kanë sedër dhe ne shqiptarët e kemi një çikë në karakter, që e kemi shumë të lartë moralin dhe nuk para e ulim veten. Por besoni ka shumë familje të tilla dhe ne u kemi ardhë në ndihmë disa familjeve me ndihmë konkrete. Mundohemi nga ana jonë sa të mundemi të grumbullojmë e t’u ofrojmë ndihmë këtyre njerëzve.

DW: Njerëzit në këto situata kthejnë sytë nga vëndi mëmë, për t'u kthyer e për të gjetur atje shpëtimin. Si qëndron puna me kthimet, janë masive apo sporadike?

Guri: Janë sporadike. Ne ndjehemi mirë, kur shikojmë ato dritat e fuqishme të rikthimit të shtetit në Shqipëri, të paktën mediatikisht, tentativat e policisë, luftimin nga shteti të korrupsionit, apo ngritjen e standarteve të paktën mediatikisht. Mirepo realiteti për të kthyerit është ndryshe.

DW: Cilat janë problemet e të kthyerve? Me çfarë pengesash përballen njerëzit, që nuk kanë më punë në Greqi, por kanë vendosur të kthehen dhe mendojnë të ngrenë një të ardhme në Shqipëri?

Guri: Shkojnë në një vend të panjohur, edhe pse është vendi i tyre.

DW: Pas sa vitesh kthehet pjesa më e madhe?

Guri: Pjesa më e madhe është pas një dekade e gjysëm, dy dekadash. Plus ka nga edhe ato, që janë nga një pesëvjeçar, por pjesa më e madhe janë ato, që janë një dekadë e më tepër, por që detyrohen, sepse duke patur detyrime financiare shumë të larta në Greqi dhe të pamundur të gjejnë punë, kthehen me shpresën të gjejnë diçka në Shqipëri që të shlyejnë detyrimet dhe borxhet. Dhe ato që kanë muaj apo vjet të papunë kthehen me shpresën, që ato dy lekë apo kursime që i kanë në bankë t’i shpëtojnë në Shqipëri.

DW: Ato kthehen me fëmijët, që kanë lindur dhe shkuar në shkollë në Greqi. A ka problem të riambjentimit të fëmijëve në mjedisin e ri, ndoshta edhe me gjuhën në Shqipëri?

Guri: Nuk ka asnjë lloj politike shtetërore për riintegrimin e kësaj kategorie njerëzish. Duke mos pasur asnjë lloj politike sociale të integrimit më shumë të fëmijëve, të cilët u rritën këtu vetëm me gjuhën greke, (okej është faji i prindërve, që nuk u mësuan gjuhën shqipe), e kanë shumë të vështirë të integrohen në shoqërinë shqiptare. Duke marrë parasysh mentalitetin, sistemin e arsimit të Shqipërisë dhe rrjedhën e jetës. Tjetër ritëm jete ka në Shqipëri nga ai në Greqi.

DW: Cili është dallimi?

Guri: Eshtë më i avashtë dhe jo aq social sa ç’është në Greqi. Të jemi realistë, tregu i punës në Shqipëri nuk ndodhet në nivelin e duhur, apo të jetë i krahasueshëm me vende të tjera. Akoma vijon fuksionimi me miq, me shokë, me të njohur, apo akuzat për administratën për pesë mijë euro, 3 mijë euro për një vend pune.

DW: A ka ndonjë plan për riatdhesimin apo zyra, ku të drejtohen të kthyerit për banesë, për punë etj.

Guri: Nuk ka absolutisht.

DW: Po ndonjë organizatë në Shqipëri, që të ndihmojë në këtë çështje?

Guri: Mund të ketë, por deri më sot ne nuk kemi kontakt, apo ndonjë organizatë, që të na ketë kontaktuar. Qeveria shqiptare si ajo e kaluara edhe ajo e sotme, nuk ka një statistikë konkrete, sa emigrantë ndodhen në Greqi, apo sa shqiptarë ndodhen jashtë kufirit të Shqipërisë. Kur nuk ka një statistikë, si mund të hartojë politika sociale. E dyta nuk ka një udhëzues, ku do të drejtohen këta njerëz. Ka familje, që kthehen në Shqipëri dhe si i thonë asaj fjalës, kthejnë sytë nga dielli, se nuk dinë ku të adresohen, nuk ka asnjë lloj strukture. Qeveria shqiptare fare mirë në qytetet e mëdha, ku kthehen emigrantët, mund të hapte shkolla pëshpejtuese paralele për mësimin e gjuhës shqipe, apo në shkollat aktuale të shkojnë fëmijët të mësojnë gjuhën shqipe.

DW: 180 000 vetë janë kthyer nga Shqipëria në Greqi kohët e fundit. Disa e kanë lënë përsëri Shqipërinë për t'u kthyer në Greqi. Përse rikthehen, çfarë perspektive shohin në Greqi?

Guri: Kthehen të dëshpëruar nga mëmëdheu. E ndjejnë vetëm përsëri jetim në vendin e tyre. Ndaj për shumë shqiptarë sot edhe nuk ka një kthim, apo një dëshirë për kthim masiv në mëmëdhe. Pjesa më e madhe preferojnë t’i drejtohen BE, vendeve të zhvilluara siç është Gjermania, Hollanda, apo shumë më tepër vendet skandinave.

DW: Pra nuk mund të themi se nuk kemi dyndje kthimesh për momentin?

Guri: Jo, realiteti është ky, nuk ka një kthim masiv, ka kthim. Mirëpo ajo, që ne na shqetëson është kjo, që shteti duhet të reagojë, duhet të vijë në kontakt me komunitetin, këtu ka shumë organizata. Eshtë ambasada shqiptare, ne i jemi drejtuar ambasadës, ajo nuk ka asnjë udhëzues se ku do shkojnë shqiptarët. Do të kthehen në Shqipëri, si do kthehen në Shqipëri, ku do shkojnë këta njerëz, ku do të drejtohen. Ka njerëz, që kanë shtëpitë e tyre në Shqipëri, ka të tjerë, që i kanë shitur, ku do shkojnë këto njerëz? Si do orientohen? Ambasada shqiptare duhet të kishte një udhëzues, për të marrë fillimisht orintimet e duhura.

DW: Çfarë mund të ndodhë me shqiptarët e Greqisë, po të dilte Greqia nga eurozona, mund të ketë atëherë një ikje masive drejt Shqipërisë?

Guri: Uroj të mos ndodh ky skenar, por është një frikë e madhe, që dita-ditës po shtohet. Në qoftë se kemi një skenar dalës, atëherë po, kam frikën se do të kemi kthim masiv. Nëse Greqia del nga Eurozona, i bie të kemi shkurtim të kapitaleve bankare dhe kjo do të ishte më e rënda për bashkëatdhetarët. Atëherë po mund të flasim për kthim masiv të emigrantëve në Shqipëri. Nëse Greqia falimenton, i bie që në bazë të gjithë financierëve botërorë, që kanë njohuri të duhura për raste të tilla, do të vijojë një gjashtëmujor kaos, mungesë ushqimesh, mungesë kapitelesh e shumë gjëra të tjera në treg.

DW: Për remitancat, që kanë qenë ndihmë e madhe për shumë familje në Shqipëri, zor se mund të bëhet më fjalë.

Guri: Remitanca nga shqiptarët sa vjen e bie. Ndërkohë që parvjet ishte 2.1 miliardë euro, u ul në 900 milionë, 800 milionë dhe vjet remitancat arriten në 544 milion euro, sivjet do të shkojë në mos them zero te një shifër shumë e vogël. Të them një fenomen tjetër? Tani janë vetë grekët, që preferojnë të bëjnë transferimin e parave nga Greqia në Shqipëri. Duke kuptuar se sistemi bankar falimentoi dhe duke patur frikën e humbjes së kapitaleve, shtetasit grekë deri vjet i transferonin paratë në Zvicër dhe vende të tjera të zhvilluara. Nga ai moment e këtej një pjesë i është drejtuar vendeve fqinje, si në Maqedoni apo Shqipëri, në bankat shqiptare dhe më shumë ato të huaja në Shqipëri.