Grupi negociator i Kosovës kundër referendumit të Serbisë për kushtetutën edhe në territorin e Kosovës | Ballkani | DW | 16.10.2006
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Grupi negociator i Kosovës kundër referendumit të Serbisë për kushtetutën edhe në territorin e Kosovës

Kundërshtimin e tij grupi negociator e shprehu në një takim të posaçëm shefit të UNMIK-ut, Joakim Rycker. Ky i fundit, tha se UNMIK-u nuk do ta pengojë mbajtjen e referendumit të Serbisë në territorin e Kosovës, por theksoi se ai nuk do të ketë ndikim në procesin e zgjidhjes së statusit

Joakim Ryker

Joakim Ryker

Shefi i administratës ndërkombëtare, Joakim Rycker, siguroi grupin negociator të Kosovës, se referendumi për kushtetutën e re të Serbisë, në të cilët Kosova përfshihet si pjesë integrale e saj, nuk do të ketë ndikim në procesin e zgjidhjes së statusit të Kosovës. Administrata ndërkombëtare, sipas zotit Rycker, nuk do të mbështesë referendumin për kushtetutën mirëpo as nuk do ta pengojë votimin në territorin e Kosovës.

Statusi i Kosovës do të përcaktohet në bazë të rezolutës 1244 të KS-it, dhe është në mandatin të ndërmjetësit ndërkombëtar, Marti Ahtisari, që të bëjë propozimin e tij. Pra ky proces është unik, i vetëm dhe referendumi i Serbisë për kushtetutën nuk do të ketë ndikim, nuk do ta minojë as tash dhe as në të ardhmën këtë proces, tha Joakim Rycker.

Anëtarët e grupit negociator të Kosovës u shprehen kundër mbajtjes së referedumit të Serbisë për kushtetutën në territorin e Kosovës.

Referendumi për kushtetutën e re të Serbisë, ku Kosova përfshihet si pjesë integrale e saj, do të mbahet më 28 dhe 29 tetor. Miratimi i kësaj kushtetute dhe mbajtja eventuale e zgjedhjeve parlamentare në Serbi këtë vit, kanw nxitur shqetësimet e palës kosovare për mundësinë e shtyrjes së zgjidhjes së statusit të Kosovës për vitin e ardhshëm.

Megjithatë, grupi negociator i Kosovës beson se grupi i kontaktit do t’i përmbahet afateve kohore për zgjidhjen e statusit brenda këtij viti. Autoritetet ndërkombëtare në Kosovë thonë se pala kosovare nuk ka nevojë të jetë e shqetësuar për mundësinë e shtyrjes së zgjidhjes së statusit, përderisa grupi i kontaktit nuk ka njoftuar zyrtarisht për shtyrjen e procesit. Ata kërkojnë nga pala kosovare që të vazhdojë punën në plotësimin e standardeve dhe në respektimin e të drejtave të pakicave, sepse kjo do ta bëjë më të lehtë marrjen e vendimit përfundimtar për të ardhmen e Kosovës, thuhet nga grupi i kontaktit.

  • Data 16.10.2006
  • Autor Bekim Shehu
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Arbt
  • Data 16.10.2006
  • Autor Bekim Shehu
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Arbt
Reklamë