Grupi i ekspertëve në bisedimet për statusin final të Kosovës zhvilloi takimin e parë për 2006 | Politika | DW | 04.01.2006
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Politika

Grupi i ekspertëve në bisedimet për statusin final të Kosovës zhvilloi takimin e parë për 2006

Udhëheqësi i grupit të ekspertëve i delegacionit të Kosovës në bisedimet për statusin final, Blerim Shala deklaroi, se nuk mund të ketë ndarje të Kosovës dhe as kantonizim të saj

Prishtina

Prishtina

Udhëheqësi i Grupit të ekspertëve i delegacionit të Kosovës në bisedimet për statusin final të vendit, Blerim Shala u shpreh sot, se pala kosovare është krejtësisht e përgatitur për takimin e radhës me kryenegociatorin ndërkombëtar, Marti Ahtisari. Grupi i ekspertëve i delegacionit të Kosovës, zhvilloi një takim të parin për këtë vit, ku diskutoi përgatitjet e palës kosovare dhe gatishmërinë për të hyrë në biseda për statusin.

Blerim Shala, kordinator i këtij grupi, tha se nuk mund të ketë ndarje të Kosovës dhe as kantonizim të saj, sepse sipas tij askush nuk e dëshiron një Bosnjë të dytë në Kosovë. Ai tha se, Ministri i Pushtetit Lokal, Lutfi Haziri, i cili është i ngarkuar nga delegacioni i Kosovës që të merret me decentralizimin ka paraqitur dy projekte për reformën e pushtetit lokal. Këto projekte pritet të finalizohen javën e ardhshme mirëpo, ato duhet të marrin konfirmimin e Grupit Negociator të Kosovës. Megjithatë zoti Shala u shpreh, se për decentralizimin nuk do të ketë kompromise që mundësojnë çfarëdo ndarje të Kosovës. Obligimi i Grupit Politik Strategjik të Kosovës dihet mirë, theksoi Shala, dhe se ai do të këmbëngul në këtë plan.

Grupi politik strategjik i Kosovës, ka kohë që është duke punuar në materialet bazë që duhen përgatitur për ekipin e zotit Ahtisari. Janë dy dokumente kryesore, decentralizimi dhe argumentimi ligjor i pavarësisë së Kosovës. Në këtë linjë Blerim Shala, tha se materialet do të jenë të gatshme për takimin e radhës me kryenegociatorin ndërkombëtar, Marti Ahtisari. Ky takim pritet të realizohet në gjysmën e dytë të muajit Janar ku pala kosovare do të prezantojë edhe argumentimin ligjor për pavarësinë e Kosovës.

Ka edhe shumë materiale tjera që Grupi Politik Strategjik i Kosovës duhet të përgatisë gjatë bisedave për statusin. Ato që kanë të bëjnë me trashëgiminë kulturore, me çështjen e pronës, kthimin e të zhvendosurve si do të hartohet një raport i Këshillit Konsultativ për komunitetet pakicë.

  • Data 04.01.2006
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/AqrO
  • Data 04.01.2006
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/AqrO