Grindje dhe jo konsensus - Samiti i OKB-së | FOKUS | DW | 13.09.2005
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

FOKUS

Grindje dhe jo konsensus - Samiti i OKB-së

Nga e mërkura deri të premten takohen në Nju Jork kryetarët e shteteve dhe të qeverive të vendeve antare të OKB-së

Logoja 60 vjet OKB

Logoja 60 vjet OKB

Fillimisht ishte planifikuar që në 60 vjetorin e themelimit të organigzatës botërore të miratohej agjenda e reformimit të saj, për ta forcuar OKB-në për të ardhmen. Por duket se as këtë radhë nuk do të arrihet ky synim. Nga njëra anë është shtyrë plani për zgjerimin e Këshillit të Sigurimit me antarë të rinj. E qëkurse SHBA paraqitën katalogun e tyre me 750 kërkesa për ndryshime për deklaratën përfundimtare, në shumë pika ka filluar grindja. Agjenda e reformës së Sekretarit të Përgjithshëm Kofi Anan ka mbetur në dispozicion.

* * *

Konflikti i vjetër po shfaqet nga e para: e vetmja superfuqi e mbetur e sheh OKB-në kryesisht si një mjet për realizimin e qëllimeve të veta të politikës së jashtme. E nisur nga ajo që OKB-ja vitet e fundit nuk ka preferuar ta luajë këtë rol, shembulli më i mirë është lufta në Irak, Uashingtoni nuk ka interes për forcimin e kësaj organizate botërore. Për aq kohë sa nuk do të ndryshojë gjë në këtë drejtim, OKB-ja duhet të mbetet një forum, një tryezë e dialogut, pra një sofër muhabeti dhe asgjë më tepër.

Por është me vend dhe i drejtë qëndrimi i shteteve të tjera dhe i vet Sekretarit të Përgjithshëm që nuk janë dakord me këtë perspektivë. S´ka dyshim se do të preferohej që OKB-ja të ishte një organizatë botërore e gjithëanshme, pra që ajo të pranohej edhe nga SHBA si një autoritet në çështjet e luftës e të paqes, të të drejtave të njeriut dhe veprimeve globale. Gjykata Ndërkombëtare Penale në Hagë, Protokolli i Kiotos për reduktimin e emisioneve të dioksdit të karbonit (CO2) dhe përcaktimi i përbashkët i qëllimeve për zhvillimin kanë qenë hapa të mëdha në këtë drejtim.

Kofi Anan ka planifikuar hapa të mëtejshëm për samitin e reformës në OKB: forcimin e kësaj organizate në mbrojtjen e paqes, një këshill të ri për të drejtat e njeriut, i cili të zëvendësojë komisionin jo efikas të të drejtave të njeriut si dhe një përkufizim unik i terrorizmit, për të përmendur këtu vetëm tri nga pikat më të rëndësishme. Këto janë qëllime ambicioze, por që siç duket do të dështojnë sërish prej egoizmave kombëtare.

Por nëse planet e rëndësishme të reformës do të hiqen nga deklarata përfundimtare e samitit, siç preferojnë ta komentojnë disa, kjo nuk do të ndodhë vetëm për shkak të qeverisë në Uashington. Kina dhe Rusia p.sh. janë po aq pak të interesuara në zgjerimin e pushtetit të OKB-së sa edhe SHBA. Kur është fjala për më shumë mbrojtje të të drejtave të njeriut, për një ndërhyrje të shpejtë në raste genocidi, apo për qëndrim të vendosur kundër terroristëve, një sërë shtetesh krijojnë bllokadë.

Ndërsa të tjera shteteve, ndër to edhe qeverisë gjermane në Berlin, i duhet të shtrojnë pyetjen, mos vallë kanë insistuar shumë dhe në mënyrë të mëvetsishme gjatë muajve të fundit për një vend të përhershëm në Këshillin e Sigurimit. Kjo pasi debatet pa asnjë rezultat mbi zgjerimin e forumit më të lartë të OKB-së u bënë shkas për spostimin në sfond të pikave të rëndësishme të agjendës së reformës.

Tani është e rëndësishme që vëmendja të përqëndrohet në ato pika kyçe të paketës së reformës së propozuar nga Kofi Anan, të cilat mund të pranohen nga shumica në asmblenë e përgjithshme, në mënyrë që së paku samiti i jubileut të japë një sinjal ripërtëritjeje. Këshilli i ri i të drejtave të njeriut që do të themelohet duhet të jetë pjesë e vendimeve që priten, e po ashtu edhe dy pikat e tjera të kërkuara nga Anani: forcimi i sektorit të vendosjes së paqes dhe konkretizimi i planit kohor për zbatimin e qëllimeve të mileniumit për zhvillimin. Nëse në fund do të nënshkruhet një deklaratë boshe, siç kanë frikë shumë pjesëmarrës, atëherë samiti më i madh në historinë e OKB-së mund të sjellë një krizë të madhe.


  • Data 13.09.2005
  • Autor komentoi Klaus Dahman
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Aqin
  • Data 13.09.2005
  • Autor komentoi Klaus Dahman
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Aqin