Grindja për Brexit: ministri i Jashtëm britanik Boris Johnson jep dorëheqjen | Evropa | DW | 09.07.2018
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Grindja për Brexit: ministri i Jashtëm britanik Boris Johnson jep dorëheqjen

Kriza qeveritare në Londër po shkallëzohet. Pak orë pas dorëheqjes së ministrit për Brexitin, David Davis, kryeministres britanike i duhet të zëvendësojë edhe ministrin e Jashtëm.

Kryeministrja Theresa May e pranoi dorëheqjen e Johnsonit, bëri të ditur zyra e saj. Emri i pasardhësit do të publikohet së shpejti.

Në mes të një faze delikate negociatash me Bashkimin Evropian për daljen e Britanisë së Madhe nga Bashkimi Evropian, është larguar nga kabineti edhe një anëtar tjetër i rëndësishëm i qeverisë. Me këtë, qeveria May ndodhet në një krizë masive qeveritare, nëntë muaj para Brexitit. Vërtet që shkaqet e dorëheqjes së Boris Johnsonit ende nuk dihen. Megjithatë, të dielën (08.07) në mbrëmje pati dhënë dorëheqje për shkak të një mosmarrëveshjeje për daljen e vendit nga Bashkimi Evropian ministri i Brexitit, David Davis.  Ashtu si Davis, Boris Johnsoni bënte pjesë në mbështetësit e vijës së pakompromis për Brexitin. Për shkak të mospajtimeve në kabinetin britanik, negociatat e shkëputjes nga BE me Komisionin Evropian thuajse ngecën në vend.

Një njeri i fjalëve të qarta dhe të rënda

Mbetet e hapur nëse Johnsoni synon ta rrëzojë qeverinë. May i pati imponuar qeverisë të premten një mbledhje dymbëdhjetë orëshe maratonë në Chequers, në veriperëndim të Londrës. Ministrat qenë të detyruar që gjatë mbledhjes me dyer të mbyllura të dorëzonin edhe celularët e tyre. Në mbrëmje May shpalli që qeveria e saj pati rënë dakord për një strategji të re për daljen nga Bashkimi Evropian. Por pajtimi ndodhi vetëm nën një presion të madh.

May: BE të mendohet, ndryshe shkëputemi pa marrëveshje

Në një deklaratë pas dorëheqjes së dy ministrave të saj, kryeministrja britanike May vlerësoi kontributet e tyre. Në adresë të Bashkimit Evropian, May tha, se ai duhet të merret në mënyrë konstruktive me propozimet e saj të reja për Brexitin. Alternativa është që BE ta shohë Britaninë e Madhe që del nga BE pa një marrëveshje. May shtoi se modelet që ofron Brukseli deri tani janë të papranueshme për Britaninë e Madhe.

"Ajo që propozojmë ne është sfiduese për Bashkimin Evropian, kërkon që ata të mendohen edhe një herë, që të shohin pas pozicioneve të zëna deri tani dhe të bien dakord për një balancë korrekte të drejtash dhe detyrimesh", deklaroi Theresa May para para parlamentit britanik.

Periudha tranzitore e Brexitit nuk do të zgjatet, shtoi ajo. Gjykata Evropiane e Drejtësisë nuk do të ketë jurisdiksion mbi Britaninë e Madhe pas Brexitit.

Sipas kryeministres britanike, sinjalet nga liderë të Bashkimit Evropian sugjerojnë se mund të avancohet në negociatat e Brexitit. Bashkimi Evropian megjithatë është në pritje të publikimit të "dokumentit të bardhë" nga Britania e Madhe, ku do të shtjellohen propozimet e reja britanike. BE ka thënë se nuk do ta lejojë Britaninë e Madhe që të zgjedhë fushat më të leverdisshme për të, nga ato që ofron Bashkimi Evropian.