1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Greqia në udhëkryq

25 Shtator 2009

Zgjedhjet parlamentare të 4 tetorit në Greqi janë një sfidë e madhe si për sistemin politik në krizë po kështu edhe për shoqërinë greke të zhgënjyer prej tij.

https://p.dw.com/p/JogW

Vetëm një reformim i thellë ekonomik dhe institucional i shoqëruar nga një reformë kulturore e vetë shoqërisë greke mund të nxjerrë vendin nga udhëkryqi, mendon publiçisti shqiptar Gazmend Kapllani.

Deutsche Welle : Zoti Kapllani, Greqia në udhëkryq, siç thuhet, apo një teprim elektoral?

Gazmend Kapllani: Po, mendoj se ndodhet në udhëkryq. Udhëkryqi i parë është ekonomik. Në kushtet e krizës ekonomike u duk se sa i brishtë është sistemi ekonomik i zhvillimit në Greqi, i cili u adoptua pas Luftës së Dytë Botërore. Turizmi dhe industria e ndërtimit ishin strukturat kryesore ekonomike, ndërsa administrata publike funksiononte si nyje e sistemit politik klientalist dhe rezervuar për të asimiluar papunësinë. Tashmë diçka e tillë ndodhet në krizë.

Greqia pati një zhvillim ekonomik spektakular, por duke paguar një kosto të lartë: Shkatërrimi i natyrës, nepotizmi ekstrem dhe mungesa e një infrastrukture moderne ekonomike. Prandaj edhe Jorgos Papandreu tani flet për një sistem të ri zhvillimi ekonomik dhe për një marrëdhënie të re të shtetit dhe qytetarit. Sepse udhëkryqi i dytë ku ndodhet Greqia është institucional. Shpesh thuhet që Greqia është një vend i botës së parë me simptoma të botës së tretë siç janë nepotizmi, korrupsioni, dinastitë politike. Ndjenja e zhgënjimit që ekziston tek qytetarët grekë pasqyron shpresat e zhgënjyera. Mos të harrojmë se njëzet vitet e fundit, falë mirëqenies ekonomike, u rrit një brez që krijoi lidhje gjithmonë e më të forta me Europën dhe standardet evropiane. Një brez që priste që Greqia të bëhej një vend europian në Ballkan. Me shumë zhgënjim qytetarët grekë shohin që ndoshta Greqia është më shumë një vend ballkanik në Europë. Nga ana tjetër, gjithë këto ndryshime ekonomike dhe institucionale nuk mund të bëhen pa një reformë kulturore të vetë shoqërisë greke. Sepse nepotizmi dhe sistemi klientalist nuk janë simptoma, janë fenomen social, strukturë sociale në të cilën marrin pjesë shteti dhe shoqëria.

Deustche Welle : Përballë një realiteti të tillë programet partiake të dy pretendentëve kryesorë të pushtetit –pothuajse pa ndryshime thelbësore- a nuk ngjajnë thjesht si retushime?

Gazmend Kapllani : Shpesh thuhet që dy partitë e mëdha politike, PASOK dhe Demokracia e Re, ngjajnë si dy pika uji. Personalisht, nuk jam dakord. Ka një ndryshim jo vetëm në ideologji, por edhe në përbërjen historike dhe klasore të dy partive. Sigurisht, nuk ekzistojnë ndryshimet që ekzistonin para njëzet vjetëve, por nuk janë dy parti të njëjta. Megjithatë ajo që ka rëndësi nuk është nëse ngjajnë apo jo këto dy parti. Rëndësi ka kush nga këto dy parti do të ketë guximin të kthehet kundër sistemit klientalist që mbizotëron në politikën greke, për t'i hapur rrugën një shoqërie me më shumë transparencë dhe meritokraci. Paradoksi është se, në kushtet e sotme, një hap i tillë do të ngjante me harakir politik. Për të reformuar Greqinë, njëra nga partitë e mëdha që do marrë pushtetin, duhet të kthehet në radhë të parë kundër vetvetes... Papandreu deklaron se do ta ndërmarrë një hap të tillë. Të shohim...

Deutsche Welle : Nëntë në çdo dhjetë qytetarë, sipas Eurobarometrit të fundit, nuk kanë asnjë besim te politika dhe politikanët. Mund t'i jepet fund dekadencës përmes zgjedhjeve, siç thotë opozita socialiste?

Gazmend Kapllani : Zhgënjimi i qytetarëve nga politika dhe mosbesimi ndaj institucioneve kanë sjellë dhe do sjellin një krizë të thellë kulturore në Greqi. Duket tashmë hapur. Partia më staliniste e Europës, Partia Komuniste Greke, merr 10 përqind dhe ekstremi i djathtë 7 përqind. Janë simptoma të një regresi kulturor të shoqërisë greke. Nëse mosbesimi ndaj institucioneve vazhdon, popullistët, nacionalistët, stalinistët do të kenë një rol gjithmonë e më shumë kyç. Gjë që mund të trondisë themelet e demokracisë greke.

Deutsche Welle : Si shpjegohet që sistemi dypartiak me dy dinastitë e tij politike, Karamanlis e Papandreu, ron e mbretëron akoma në Greqi?

Gazmend Kapllani : Këtu e 15 vjet parashikohet fundi i sistemit dypartiak në Greqi. Besoj se sistemi dypartiak në Greqi është në krizë por po t'a krahasoja me një trup njeriu, do të thosha që ka dhembje koke. Ndërsa pjesa tjetër e trupit është krejt e shëndetshme. Nëse partia fituese në këto zgjedhje nuk siguron numrat e duhura për të qeverisur dhe kemi zgjedhje të shpeshta në Greqi, sistemi dypartiak do kalojë krizë, por sipas mendimit tim do rezistojë. Shoqeria greke duket se është një shoqeri tradicionale, klientaliste dhe konservatore për sa i përket preferencave politike. Nuk i ndryshon lehtë...

Deutsche Welle : Si e parashikoni skenën politike të Greqisë te nesërmen e zgjedhjeve të katër tetorit? Është e pamundur një qeveri koalicioni? Pse të përjashtohet në Greqi ajo që ndodhë midis demokristianëve dhe socialdemokratëve në Gjermani?

Gazmend Kapllani : Shumë e thjeshtë përgjigja. Greqia nuk është Gjermani. Greqia ka një histori shumë konfliktuale politike. Kultura politike e bashkëpunimit është akoma në embrion dhe do duhen akoma shumë vite të kultivohet. Kjo lidhet edhe me historinë e turbullt të Greqisë pas Luftës së Dytë Botërore. Ajo që unë mund të them është se kushdo të vijë në pushtet do ndeshet me veshtirësi të mëdha. Duhet të kurojë ekonominë, duhet të rikthejë besimin e qytetarëve tek institucionet, duhet të risjellë Greqinë në skenën ndërkombëtare, sepse roli i saj në rajon vitet e fundit është zbehur. Me pak fjalë ai që do fitojë do gëzohet sigurisht sepse do vij në pushtet, por njëkohësisht do ketë edhe shumë arsye që të mallkojë veten.

Deutsche Welle : Pesë tetori do ta gjejë të majtën greke, me traditën e saj mëkatare të përçarjes, brenda apo jashtë parlamentit?

Gazmend Kapllani : E majta greke është paksa e ndryshme nga e majta e Europës perëndimore. Sepse kaloi nga një histori tjetër, persekucionesh nga ekstremi i djathtë, izolimi nga zhvillimet në Europë, sindromi i viktimizimit. Do thosha që është një e majtë e cila vuan nga provincializmi dhe mungesa e kulturës së bashkëpunimit. Do ketë pasoja shumë negative për kulturën politike në Greqi moshyrja në parlament e të majtës moderne....

Deutsche Welle : Imigracioni është i “harruari” edhe i këtyre zgjedhjeve? Autori i librit “Ditari i vogël kufijsh” çkapitull do t'i shtonte librit të tij sot?

Gazmend Kapllani : Emigracioni nuk është i harruar aspak edhe pse askush nuk flet për të. Ekstremi i djathtë, në fakt, një pjesë të madhe të propagandës e mbështet në këtë temë. Emigracioni është një nga temat e mëdha me të cilat duhet të përballet shoqëria greke. Që të jemi të drejtë, Papandreu deri tani tregon se ka ide të qarta, mjaft të përparuara, për këtë temë. Të shohim nëse do t'i ketë po aq të qarta kur të vijë në pushtet....

Autor : Niko Anagnosti

Redaktoi : Aida Cama