Greqia ndërton dy kampe të reja për migrantët | Evropa | DW | 29.11.2021
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages
Reklamë

Evropa

Greqia ndërton dy kampe të reja për migrantët

Organizatat e ndihmave janë kritike ndaj kampeve të reja në ishujt grekë sepse ato janë të largëta dhe liria e lëvizjes është e kufizuar. Megjithatë, ministri përgjegjës është entuziast.

Greqia ka hapur edhe dy kampe të tjera "të mbyllura” refugjatësh. "Fillon një epokë e re”, tha ministri i Migracionit, Notis Mitarachi me rastin e hapjes së objekteve në ishujt Leros dhe Kos. "Ne po i çlirojmë ishujt tanë nga problemi i migracionit dhe pasojat e tij. Imazhet që kujtojmë nga viti 2015 deri në 2019 tani janë një gjë e së kaluarës," tha Mitarachi.

Me ishujt e saj në Egje, Greqia ishte pika kryesore e ardhjes në BE për më shumë se një milionë azilkërkues nga viti 2015, shumica e të cilëve vinin nga Siria, Iraku dhe Afganistani. Ata erdhën me gomone nga Turqia - me shpresën për një jetë më të mirë në Evropë. Por atje shpesh u duhej të qëndronin në kampe të mbipopulluara për një kohë të gjatë.

Pa liri lëvizjeje

Kampet e reja për refugjatë janë të rrethuara me gardhe me tela me gjemba, të pajisura me kamera vëzhgimi dhe makineri me rreze X për kontrollet e sigurisë, si dhe dyer dhe porta magnetike që mbeten të mbyllura gjatë natës. Ato janë të vendosura në zona të largëta, gjë që kufizon më tej lirinë e lëvizjes së migrantëve. Në ndryshim nga kampet e mëparshme, këto të rejat kanë edhe ujë të pijshëm, tualete dhe më shumë masa mbrojtëse për banorët.

"Kushte njerëzore"

Një objekt i parë i këtij lloji u përurua në shtator dhe dy të tjerë do të hapen në ishujt Lesbos dhe Kios. Bashkimi Evropian ka kontribuar me 276 milionë euro për ndërtimin e kampeve të reja të refugjatëve.

BE po hap "një faqe të re" në politikën e saj të migracionit, u tha gazetarëve zëvendëskryetari i Komisionit, Margaritis Schinas. Evropa do të vazhdojë të jetë një "strehë për të gjithë ata që ikin nga diktatura, lufta dhe persekutimi dhe është në interesin tonë që ne të ofrojmë kushte njerëzore”, shtoi greku. Sipas vlerësimeve të fundit të OKB-së, aktualisht në Greqi ka rreth 96.000 refugjatë dhe azilkërkues.

 

 

bc/wa/fw (afp)