1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Greqia kaloi natën e parë disi të qetë

Niko Anagnosti / Athinë11 Dhjetor 2008

Pas katër dite dhune dhe shkatërrimesh, Greqia kaloi natën e parë disi të qetë. Mbulimi i plageve dhe dalja nga kriza nuk do të jene çeshtje të lehta.

https://p.dw.com/p/GDiQ
Trazira në Greqi
Trazira në GreqiFotografi: AP

Me përjashtim te mikroepisodeve në Politeknikumin e Athinës dhe në Universitetin e Selanikut, Greqia kaloi natën e parë disi të qetë, pas çunamit katër ditor të dhunës dhe shkatërrimeve. Kryeministri Karamanlis, pas shtatë masave të shpallura në ndihmë të të demtuarve, shkoi në Bruksel për samitin dyditor evropian, duke lenë pas kryetarin e Bashkisë, që me ekipet e tij të pastrimit të mbledhë gërmadhat e shkatërrimeve por jo, sigurisht, edhe ato të dështimit të plotë qeveritar, përballë ngjarjeve siç shprehet 68 përqind e të anketuarve. Apokalipsi i shkatërrimeve në serialet televizive të pambarimta përjetohet si një grusht i rëndë në stomak, nga qytetarët e dëshpëruar që bëhet dhe më i madh nga apologjia provokative dhe pa ndjenjën më të vogël të pendimit, nga ana e vrasësit të 15-vjeçarit dhe analistët shtrojnë pyetjen “pse po vetëshkatërrohet demokracia jonë?”.

Por reflektimet e deritanishme duket se janë më dekurajuese se pamjet e shkatërrimeve dhe plaçkitjeve, kur vetë kryeministri Karamanlis pa vetëm “armiq të demokracisë” pas tyre dhe jo dhe zëmeratën më të gjerë popullore, për politikën e tij qeveritare dhe qorrsokakun social, veçanërisht të rinisë. Aq më tepër, që diskutimi politik degradohet te fajësimi, si shkaktar të trazirave të partisë së majtë SIRIZA, që guxon të flasë për “kryengritje popullore”, e akuzuar në radhë të parë nga Partia Komuniste dhe tani nga shtypi proqeveritar, i cili “kërkon izolimin e saj politik” dhe “shtypjen e rebeleve sipas modelit Sharkozi”. “Ne luftojmë kundër padrejtësisë së sistemit, jo kundër vitrinave dhe automjeteve të qytetarëve,” deklaroi kreu i grupit parlamentar të partisë, Alekos Allavanos, që insiston se pas dhunës, që e disaprovon, fshihet një “brumosje sociale” si tek të “Mjerët” e Parisit të Viktor Ugosë.

Debati “revoltë popullore” apo “dhunë e verbër dhe plaçkitje”, nga përgjigja politike e të cilit, do të duket sa i mundshëm është një impuls për daljen nga kriza e thellë e vendit, përfshin më në fund edhe botën intelektuale, zëri i sëcilës nuk ishte ndier deri tani. “Është një simptomë tipike e një proçesi shërberjeje, që ka nisur që para 30 vjeteve… dhe nuk fsheh asgjë pozitive,” sipas intelektualit konservativ më në zë, Kristos Janaras. “Për mendimin tim, ajo që po ndodh sot përbën në mënyrë të qartë një kryengritje… që për dallim nga revolucioni apo edhe grushti i shtetit nuk parashikohet dhe nuk programohet,” thotë nga ana e tij intelektuali i majtë, Kleanthis Grivas. Në mesin e këtyre dy pikëpamjeve të kundërta ndodhet shoqëria greke e dëshpëruar, që hëpërhë nuk sheh dritë në fund të tunelit.