Greqia dhe Turqia me kompani të përbashkët paqeruajtëse | Ballkani | DW | 05.11.2006
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Greqia dhe Turqia me kompani të përbashkët paqeruajtëse

Bashkëpunimi ushtarak po kthehet në një faktor të rëndësishëm të afrimit të mëtejshëm midis fqinjëve ballkanas. Për herë të parë këtë javë vizitoi Athinën shefi i shtabit të përgjithshëm të ushtrisë turke, Jashar Bujukanit

Flamuri turk dhe ai i NATO-s

Flamuri turk dhe ai i NATO-s

Bashkëpunimi ushtarak edhe në rastin e Greqisë edhe Turqisë, dy fqinjëve ballkanas me të kaluar të rënduar dhe tensione aktuale, edhe pse anëtarë të Aleancës Atlantike, po afirmohet më në fund si një faktor i qëndrueshëm i afrimit dhe bashkëpunimit më të gjerë midis tyre.

Këto ditë bile kur politikanët me iniciativën e presidencës finlandeze nuk munden të mbidhen në një takim të përbashkët në Helsinki për çështjen e Qipros, nga ushtarakët u hodh një hap përpara në vendosjen e frymës së besimit midis dy anëve të Egjeut. Për katër ditë më radhë për herë të parë mysafir i shefit të shtabit të përgjithshëm të ushtrisë greke, admiralit Panajotis Kinofotis, ishte homologu i tij turk Jashar Bujukanit, i cili befasoi bashkëbiseduesit e tij sipas palës greke me “maturinë por edhe ofensivën e tij miqësore”.

“E dimë se rruga jonë është e gjatë. Por ne si ushtarakë në kuadrin e detyrave tona do ta përshkojmë këtë rrugë me sukses. Është bindja ime e palëkundshme” ishin
fjalët e Bujukanit që u prit në një atmosferë miqësore edhe nga ministri i Mbrojtjes, Meimaraqis. “Ekziston frymë sinqeriteti dhe duhet të zhduket defiçiti i mosbesimit” në mënyrë që të ecet përpara ishte konstatimi i përbashkët, sipas kreut të ushtrisë greke Kinofotis.

Krahas vullnetit për të ecur hap pas hapi në kapërcimin e tensioneve të detit Egje, që përbën “bërthamën” e tensionit dypalësh, të dy ushtarakët e lartë vendosën që të dalin me një propozim të përbashkët për institucionalizimin e bashkëpunimit ushtarak në kuadrin më të gjerë ballkanik që ishte edhe një nga çështjet kryesore të axhendës së tyre. U shprehen kështu për mbajtjen e përvitshme të takimit të shefave të shtabeve të përgjithshme të ushtrisë të vendeve ballkanike, duke filluar me një takim të tillë brenda dy mujorit të parë të vitit 2007 në qytetin e Selanikut.

Ajo çka ishte më e rëndësishme ishte konsesusi për krijimin e një kompanie të përbashkët greko-turke, nën ombrellen e NATO-s, për misione paqëruajtëse, destinacioni i parë i së cilës mendohet që të jetë Kosova. Ideja, që për rastin konkret duket një sfidë e vërtetë me hendekun e madh të mosbesimit që i ndan të dyja palët, ka në bazën e saj brigadën e përbashkët gjermano-franceze të ngritur më 1989 me largpamësinë e njohur të kancelarit Kol dhe presidentit Miteran. Vetë grekët dhe turkët kanë shembullin e liderëve të tyre historikë Venizellos dhe Ataturk që pa kaluar as 10 vjet nga lufta midis tyre nënshkruan më 1930 në Ankara Traktatin e Miqësisë.

Kursi evropian i Turqisë, që mbështetet nga Greqia, është garancia e kapërcimit të armiqësive historike si një shembull i madh edhe konkret dhe për trevën më të gjerë ballkanike. Tani për tani të dy fqinjët mjaftohen me manovra të përbashkëta për përballimin e fatkeqësive natyrore si ajo që do të zhvillohet javën tjetër në Ankara.




  • Data 05.11.2006
  • Autor Niko Anagnosti
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/ArbR
  • Data 05.11.2006
  • Autor Niko Anagnosti
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/ArbR
Reklamë