Greqia afrohet me bashkësinë ndërkombëtare | Ballkani | DW | 15.11.2006
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Greqia afrohet me bashkësinë ndërkombëtare

Intervistë me Kryeministrin e Kosovës Agim Çeku, i cili është duke zhvilluar një vizitë zyrtare në Greqi

Agim Çeku, kryeministër i Kosovës që nga marsi 2006

Agim Çeku, kryeministër i Kosovës që nga marsi 2006

Deutsche Welle: Zoti Çeku, qëndrimi juaj në favor të pavarësise si e vetmja zgjidhje në ç'masë gjen mirëkuptimin e palës greke, e cila deri së fundi shprehej për nevojën e konsesusit paraprak shqiptaro-serb? Cila ishte përshtypja juaj në lidhje me këtë në takimin tuaj të sotëm me shefen e diplomacisë greke Dora Bakojani?

Agim Çeku: Nuk është shumë e vështirë të kuptohet se s’mund të gjendet një konsesus me palën e Beogradit, e cila nuk është e interesuar që të gjendet një zgjidhje. Kanë një mungesë të theksuar të realizmit për ta kuptuar situatën ashtu. Unë e theksova se duam pavarësinë, por pavarësinë nuk e kuptojmë vetëm për shumicën. Zgjidhja e suksesshme do të jetë pavarësi edhe për minoritetet e vendosuara dhe të akomoduara në Kosovë dhe që gëzojnë të gjitha të drejtat. Ne këtë jo vetëm që e premtojmë por edhe e garantojmë. Mendoj se për ketë pata mirëkuptimin dhe se qëndrimi i tyre (i Greqisë) është tashmë më i përafërt me qëndrimin tonë por edhe të bashkësisë ndërkombëtare për Kosovën.

Deutsche Welle: Argumentat tuaja iu duken bindëse bashkëbisedueses suaj se pavarësia e Kosovës nuk do të krijojë rrezikun e një dominoje destabilizimi për rajonin më të gjerë të Ballkanit?

Agim Çeku: Mesazhi që unë solla sot në Athinë është se pavarësia e Kosovës kontribuon në stabilitetin e rajonit. Nuk mund të ketë stabilitet as në Kosovë edhe as në rajon pa pavarësinë e Kosovës. Gjithashtu theksova se Kosova është shumë e interesuar që të zhvillojë marrëdhënie partneriteti dhe të fqinjësisë së mirë me të gjitha vendet e rajonit, përfshi edhe Greqinë, një fuqi evropiane në rajonin tonë, një zë me shumë influencë në vendimet që bota merr në këtë rajon dhe ne jemi shumë të interesuar që të kemi marrëdhënie shumë më të mira me Greqinë. Këto janë dy mesazhet e vizitës sonë, pavarësia në Kosovë si e vetmja zgjidhje me Greqinë dhe marrëdhënie të mira partneriteti me Greqinë.

Deutsche Welle: Zoti Çeku, obsionin e pavarësimit gradual të Kosovës, për definimin e saj brenda një periudhe 5-vjeçare, që në median greke është dekonspiruar si propozim amerikan, ju do ta pranonit?

Agim Çeku: Jo, jo, ne me shumë vështirësi kemi pranuar këtë shtyrje që është bërë për arsye të zgjedhjeve në Serbi. Kosova është e gatshme, Kosova është e bërë dhe nuk ka asnjë arësye praktike, pragmatike për shtyrje edhe për pritje. Statusi duhet të vijë sa më shpejt, menjëherë herët në vitin 2007 dhe do të jetë pavarësia e Kosovës.

Deutsche Welle: Partia Demokratike e Serbisë kërkoi veç shtyrjes së shpalljes së statusit edhe zëvendësimin e zotit Ahtisari, si të njëanshëm edhe proshqiptar. Komenti juaj?

Agim Çeku: Është një përpjekje e vazhdueshme e palës serbe që ta diskreditojë Ahtisaarin, të diskreditojë procesin dhe ta shtyjjë atë pa kufi, të ndajë komunitetin ndërkombëtar dhe në fund të destabilizojë Kosovën. Unë mendoj që i vetmi mirëkuptim që ka treguar bota është të shtyjë çështjen deri në mbarimin e zgjedhjeve të tyre. E vetmja zgjidhje racionale dhe pragmatike është pavarësia e Kosovës dhe nuk ka absolutisht asnjë zgjidhje tjetër.

  • Data 15.11.2006
  • Autor Niko Anagnosti
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Arb9
  • Data 15.11.2006
  • Autor Niko Anagnosti
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Arb9
Reklamë