1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Greqi: Rritet pakënaqësia ndaj klasës politike

10 Qershor 2010

Bashkë me protestat për pasojat e rënda të krizës, në Greqi janë bërë të përditshme edhe shprehjet spontane të pakënaqësisë së qytetarëve për politikanët. Sulmet verbale ndaj klasës politike janë bërë të modës.

https://p.dw.com/p/Nn8N
Të përditshme edhe shprehjet spontane të pakënaqësisë së qytetarëve për politikanët.
Të përditshme edhe shprehjet spontane të pakënaqësisë së qytetarëve për politikanët.Fotografi: AP

Në Greqi bashkë me protestat dhe grevat, si revoltë e ligjshme kundër masave shtrënguese që solli thellimi i krizës, rriten dukshëm edhe rastet e shprehjes së pakënaqësisë ndaj politikanëve por edhe sindikalistëve që, pa e tepruar, përjetojnë një lloj "karantine politike". "Gjërat duhet të ndryshojnë nga themelet, kohëra të vështira për politikanë," i thotë Deutsche Welles gazetari Tasos Caqirogllu.

Skandale ekonomike dhe në radhë të parë mosndëshkim i politikanëve në dallim nga qytetarët e thjeshtë dhe privilegjet e veçanta të deputetëve, janë ndër shkaqet që përbëjnë dhe lëndën shpërthyese të revoltës popullore dhe shpjegojnë faktin pse gjithnjë e më shumë njerëz shprehin pakënaqësinë dhe shajnë politikanët por edhe adoptojnë parullën margjinalizuese "të digjet parlamenti".

Shtohet buletini i shprehjeve të pakënaqësisë

Ish ministri i Financave Jorgos Allogoskufis u akuzua nga studentët në Athinë por edhe në Londër si "lektor i papërshtatshëm" pasi "falimentoi ekonominë e vendit" të tij. Ish zëvendësministri Petros Dhukas, u detyrua të largohet nga plazhi për shkak të sharjeve nga të pranishmit por edhe ish ministri i fundit i Financave i qeverisjes së djathtë, Janis Papathanasiu u bë objekt i sulmit verbal të një zonje që i thoshte "më jep paratë që më more". Janë vetëm disa nga rastet e "buletinit" të pasur të shprehjeve të përditshme të pakënaqësisë, akoma edhe të ministrave aktualë që evitojnë aktivitetet publike dhe, siç thotë deputetja militante e opozitës së djathtë Fotini Pipili, "së shpejti do të qarkullojmë me syza dhe maska".

"Në këto momente jemi të gjithë në mëshirën e një revolte dëshpëruese," thotë profesoresha e Universitetit të Athinës Fotini Calikogllu, e cila në debatin që po bëhet për legjitimitetin ose jo të dhunës preferon të evidentojë shkaqet e saj dhe të kërkojë mirëkuptim shoqëror. "Nuk mund të presim më nga njerëz që nuk kanë se ç`të humbasin", "që bashkë me pensionin apo punën nuk humbasin vetëm bukën e tyre, por edhe atë pak dinjitet që u ka mbetur, të tregojnë urtësi dhe gjakftohtësi. Nuk mund të presim që këta njerëz të mos mbushen me një revoltë që mund të dalë dhe në forma që nuk na nderojnë," thotë intelektualja e mirënjohur greke.

Griechenland Proteste NO-FLASH
Fotografi: AP

Këtë ka sigurisht parasysh dhe kryeministri grek Jorgos Papandreu, që e ka bërë transparencën moto të kursit të tij dhe sot organet e Partisë Socialiste(PASOK) përjashtojnë nga radhët e saj një nga themeluesit dhe kuadrot historikë të saj, bashkëpunëtorin më të ngushtë të babait të tij Andreas Papandreu, ish ministrin e Mbrojtjes Aqis Cohaxopullos, që akuzohet për "pasurim të paligjshëm" përmes firmave off shore. "Në qoftë se nuk vihet rregull në vend, në qoftë se nuk vendoset ndjenja e drejtësisë, në qoftë se nuk vendoset ligji do të na marrin të gjithë me gurë," deklaroi këto ditë kryeministri grek si në qershor të vitit 2008, kur shpërthente skandali i Siemensit.

Të gjithë kundër të gjithëve?

"Shpresoj të mos arrijmë tek gurët, se traumat që do të shkaktojnë do të jenë të dhimbshme. Në qoftë se vazhdohet kjo gjendje do të kemi fenomenin e përplasjeve të verbëra, të gjithë kundër të gjithëve," thekson për DW analisti grek Tasos Papas, i cili e cilëson "revoltën,

pakënaqësinë dhe protestën në një shkallë të madhe të verbër se nuk duket në horizont një dalje realiste nga kriza". Gjithçka, sipas tij, tregon krizën e sistemit politik por edhe pamundësinë e partive që t`i japin drejtim revoltës popullore. Anketimet për herë të parë, që nga periudha e sistemit dypartiak, regjistrojnë kuotat më të ulëta për PASOK-un në pushtet por edhe Neodemokracinë në opozitë, e majta nuk përfiton nga revolta popullore dhe shumica e qytetarëve thonë "nuk di", "nuk përgjigjem".

Politika siç zhvleftësoi vetveten ftohet tani të dëshmojë se mund t`i kthejë vetes nderin e humbur. Përkundër zërave që thonë se sistemi nuk mund të shpëtojë nga ata që e falimentuan, sekretari i përgjithshëm i ministrisë së Punës Rovertos Spiropullos i thotë Deutsche Welles se "ka vetëm një rrugë": "Rinovim, funksionim demokratik i të gjitha partive, marrëdhënie të reja cilësore të partive me qytetarët, transparencë e plotë, konroll i rreptë ekonomik, një bazë kjo për riaktivizimin demokratik të shtetit dhe të partive". Për demokracitë moderne nuk ka qorrsokak. Por ja që ka disaprovime, një formë sigurisht më pak e dhimbshme se ekzostrakizmi apo dëbimi i politikanëve, si Themistokliu, nga Athina e Greqisë së lashtë kur shpalleshin të padëshirueshëm pasi 6.000 qytetarë shënonin emrin e tyre në një copë qeramike.

Autor: Niko Anagnosti

Redaktoi: Aida Cama