Greqi: Dhënia e nënshtetësisë greke fëmijëve të imigrantëve e paligjshme | Shoqëria & Kultura | DW | 07.02.2011
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages
Reklamë

Shoqëria & Kultura

Greqi: Dhënia e nënshtetësisë greke fëmijëve të imigrantëve e paligjshme

Në Greqi, 7 gjykatës të seksionit të 4-të të Këshillit të Shtetit shpallën të paligjshëm votimin e imigrantëve në zgjedhjet vendore të nëntorit të kaluar si edhe dhënien e nënshtetësisë greke fëmijëve të imigrantëve.

Ana Dallara, zëvendësministrja e Punës dhe koordinatore e politikës qeveritare për emigracionin

Ana Dallara, zëvendësministrja e Punës dhe koordinatore e politikës qeveritare për emigracionin

Emi Zaimi nga Fieri ka plot vite dhe po aq ëndërra këtu në Greqi, ku u diplomua dhe si juriste. Ka gati bile edhe dosjen e aplikimit për përftimin e nënshtetësisë greke, sipas së drejtës që i jep ligji grek (3838/2010) i marsit të vitit të kaluar fëmijëve të imigrantëve të lindur në Greqi ose me mbi 6 vjet shkollimi nëpër shkollat greke.

Një vendim ndërkohë javën që shkoi i 7 gjykatësve të seksionit të katërt të Këshillit të Shtetit, që shpalli si kontraversal dhe antikushtetues ligjin e nënshtetësisë, duke njohur si kriter të vetëm “lidhjen e gjakut”, kërkon t'i prishë ëndrrën dhe perspektivën e integrimit. “Vendimi i Gjykatës së Lartë të Shtetit që u heq të drejtën e nënshtetësisë fëmijëve të imigrantëve se nuk kanë origjinë greke është anakronik dhe nuk i përshtatet një shteti që respekton qytetarët e vet, si ata që e kanë po kështu edhe ata që nuk e kanë”, thotë Emi duke shkuar nëpër mend, siç shton, “zemërimin që do të ketë ngjallur” vendimi tek juristi i shquar, profesori i saj dhe arkitekti i ligjit për nënshtetësinë Nikos Alivizatos.

Der griechische Journalist Chris Zervas

Kristos Zervas, publiçist dhe analist

Mjaft konstitucionalistë reaguan nga të parët duke cilësuar si të gabuar jo vetëm rikthimin e së “drejtës së gjakut” si i vetmi kriter për dhënien e nënshtetësisë, por edhe shfuqizimin nga ana e 7 gjykatësve të Këshillit të Shtetit të së drejtës së votës të imigrantëve, të ushtuar në zgjedhjet vendore të nëntorit të kaluar, “pa ndryshimin paraprak të kushtetutës”. “Për mendimin tim, universaliteti i votimit, të cilit i referohet vendimi i Këshillit të Shtetit, vendos një dysheme. Domethënë, ndalon të drejtën e heqjes së votës nga qytetarë grekë. Dhe jo tavan. Nuk mendoj se është antikushtetuese e drejta e votës mbi bazën e së drejtës evropiane,” thotë konstitucionalisti Konstandinos Krisigonos, kurse kreu i Institutit për të Drejtat, Barazinë dhe Diversitetin, Miltos Pavllu, thotë se Gjykata e Lartë “injoron realitetin e ri multikulturor të brezit të dytë të imigracionit, me një larmi identitetesh në Greqinë e sotme”.

Qeveria reagoi, duke i kujtuar opozitës së djathtë konsensusin e saj në votimin e ligjit. “Në qoftë se mbaj mend mirë, më përgënjeshtroni në qoftë se nuk është ashtu, veçanërisht në çështjen e fëmijëve të gjitha grupimet, edhe opozita e djathtë, jo vetëm nuk votoi kundër, por bëri edhe propozime për kushtet dhe premisat e dhënies së nënshtetësisë. Vendime me një ngarkesë aq të fortë ideologjike do të ishte mirë të mos konsumoheshin në përplasje dhe ballafaqime,” i thotë DW zëvendësministrja e Punës dhe koordinatore e politikës qeveritare për emigracionin Ana Dallara.

Vërtet, një freskim i shpejtë i kujtesës thotë se shtimi në gjashtë nga tre fillimisht i viteve të nevojshme të shkollimit nëpër shkollat greke ishte sugjerim dhe insistim i së djathtës. “Qëndrimin tim e dini, nuk besoj so do të bëhet diçka e tillë” përgjigjet zonja Dallara dhe për eventualitetin që të vihet në pikëpyetje edhe vlefshmëria e zgjedhjeve lokale. Kjo jo vetëm për numrin e kufizuar prej 12.500 votuesish imigrantë, por edhe për faktin se skadoi afati i apelimit brenda 60 ditësh që nga 7 nëntori i zgjedhjeve lokale.

Flutura Tafilakou

Fëmijë të emigrantëve shqiptarë duke bërë mësim

Ndoshta jo “bombë”, siç ishte reagimi i së majtës, por do të jetë sigurisht me pasoja të mëdha në qoftë se vendimi definohet nga Plenumi i Këshillit të Shtetit, muajt e ardhshëm. “Në qoftë se përkundër shpresës Plenumi i Këshillit të Shtetit, që do të gjykojë përfundimisht çështjen muajt e ardhshëm, do t'i përmbahet vendimit të seksionit, atëherë do të kemi të bëjmë me një shfuqizim të një aspekti bazë të politikës së imigracionit në lidhje me integrimin social të migrantëve të brezit të dytë, që lindën dhe u rritën në Greqi,” i thotë DW publiçisti dhe analisti i njohur Kristos Zervas, i cili sanksionimin i “një lloj helenometri, që do të gjykojë se sa imigrantët janë mëkuar me vlerat e helenizmit” e vlerëson si kthimin e vendit në “nacionalizmin e viteve 50-të”.

Vendimi, mendon bashkëbiseduesi ynë, shpreh vetëm “një pakicë të shoqërisë greke dhe trupit gjykues”, që ushqehet dhe nga radikalizimi konservator që sjell kriza aktuale. “Ligjërata ultra e djathtë nuk është sigurisht dominuese në Greqi por pas krizës së madhe ekonomike por edhe vetë grevës së urisë të 237 imigrantëve afriakano-aziatikë, që është në zhvillim e sipër, ka shumë që besojnë se po rreket të bëhet hegjemoniste, me shfrytëzimin e fobive dhe ankthin për të nesërmen e shtresave të tëra shoqërore” thotë Zervas. “Do të marr pas të gjitha akuzat edhe për njerën edhe për tjetrën palë, në qoftë se plenumi do të legjitimojë të drejtën e gjakut dhe do të shpëtojë Greqinë nga imigratët klandestinë,” ishte ligjerata ndërkohë në parlament i Adonis Gjeorgjadis, deputetit të partisë nacionaliste Alarmi Ortodoks Popullor, kreu i sëcilës Karaxhaferis mburret hapur që pas qeverisë tani edhe gjykatësit po adoptojnë axhendën politike të partisë së tij.

Konjuktuara, me sfond gardhin e përfolur të Evropës me Turqinë për klandestinët por edhe grevën e urisë të imigrantëve në Athinë, sigurisht që nuk është këshilltar i mirë për qeverinë socialiste të Papandreut pas aspiratave të mëdha që kishte lindur tek imigrantët. “Personalisht do të ndjehesha shumë e zhgënjyer, edhe si emigrante edhe si një njeri që e respekton Greqinë si atdheun e tij të dytë, në qoftë se ky ligj do të hiqet nga fuqia” thotë Emi Zaimi me zërin e gjithë bashkëmoshatarëve të saj. Aktualisht mund të kenë marrë nënshtetësinë vetëm 278 vetë, por përllogariten të arrijnë në 50.000 vitet e ardhshme. Përspektivë me sa duket që shqetësoi gjykatësit, të cilët vendosen t'i rikthehen së “drejtës së gjakut” për nënshtetësinë në një Greqi evropiane.

Autor: Niko Anagnosti

Redaktoi: Aida Cama

  • Data 07.02.2011
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/10CNG
  • Data 07.02.2011
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/10CNG