Gratë janë e ardhmja e Evropës - Ségolène Royal është njëra nga ato | Evropa | DW | 17.11.2006
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Gratë janë e ardhmja e Evropës - Ségolène Royal është njëra nga ato

Në votimin e tyre për kandidaten për postin e presidentit të vendit anëtarët e Partisë Socialiste Franceze ia dhanë shumicën e votave, pra më tepër se 60% presidentes së rajonale, 53 vjeçares Ségolène Royal.

Ségolène Royal

Ségolène Royal

Ajo fitoi ndaj Dominique Strauss-Kahn dhe Laurent Fabius. Vitin tjetër francezët do të votojnë se cili do të pasojë në postin e presidentit francez Zhak Shirak. Konkurenti i saj nga kampi konservator do të jetë pas gjithë gjasash Nicolas Sakozy.

"Po e përjetoj intensivisht këtë moment lumturie" - thotë duke u përcjellë Segolene Royal, e surprizuar dhe e kënaqur njëkohësisht prej besimit të bazës së partisë tek personi i saj.

"Dua t'ju them se nuk do të zhgënjeheni, së bashku do të ndërtojmë diçka të jashtëzakonshme. Unë do të vazhdoj punën bazuar në vlerat e mia, të të dëgjuarit me vëmendje, të vështrimit ndaj realitetit. Unë do të mbetem kjo që jam." - premton ajo përpara elektoratit të saj në Deux-Sevres në Francën perëndimore.

Në qendrën e socialistëve në Paris, disa hapa larg prej bulevardit Saint Germain ndihmësit e saj përgëzojnë njëri-tjetrin. Celularët me urime nuk pushojnë: "Kemi bërë vërtet punë të mirë. Të përqafoj.."

Edhe zëdhënësi i Royal, Jean-Louis Bianco, nuk e fsheh dot gëzimin: "Kemi dhënë një shembull të arritur të demokracisë dhe mund të jemi kolektivisht krenarë për këtë. Ky është një moment i madh. Përcaktimi i kandidatit përmes votimeve të bazës ishte një premierë historike. Nuk e di nëse Segolenë Royal do t'i fitojë zgjedhjet presidenciale, por fituese kësaj here ishte Partia Socialiste."

Shefja u ka kërkuar ndihmësve dhe pasuesve të saj të mos dehen prej këtij suksesi dhe të mos e teprojnë me të festuara.

"Jemi të kënaqur, por gëzimi i vërtetë do të jetë kur t'i mundim të djathtët dhe kur Segolene Royal të zgjidhet presidente. Tani duhet t'i respektojmë të gjithë socialistët e tjerë që votuan për kandidatë e tjerë duke i sqaruar se jemi të gjithë vëllezër. Në fushatën elektorale do të mobilizohemi të gjithë sepse fakti që kandidon një grua është i rëndësishëm jo vetëm për Francën por për të gjithë Evropën." - thotë një ndihmës.

Dy kandidatët e tjerë, ish-ministri i ekonomisë Dominique Strauss-Kahn dhe ish-kryeministri Laurent Fabius dërguan në qendrën e partisë në Paris përfaqësuesit e tyre. Njëri prej tyre Claude Bartolone sqaron se anëtarët e rinj që janë anëtarësuar masivisht muajt e fundit në parti ishin përkrah Royal dhe se tani nuk mbetet që gje tjetër vetëm se ta pranojmë fitoren e saj dhe ta mbështesim. "Tani na duhet të fillojmë të përziejmë kollën për të ngjitur pllakatat dhe përgatitjet për fushatën elektorale 2007."

Në murin e një prej korridoreve të selisë qendrore të Partisë socialiste franceze ka rreth 20 vjet që varet një pllakatë me slloganin "Gratë janë e ardhmja e Evropës", sllogan ky që tingëllon më aktual se kurrë.


  • Data 17.11.2006
  • Autor Stefanie Merkert
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Ar9m
  • Data 17.11.2006
  • Autor Stefanie Merkert
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Ar9m