1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Gorbaçov: Bota është në prag të një lufte të re të Ftohtë

PP (dpa, Reuters, DW)10 Nëntor 2014

Nobelisti i Paqes, Mihail Gorbaçov, e akuzon Perëndimin, e sidomos SHBA-në, se nuk i kanë mbajtur premtimet e tyre pas vitit 1989.

https://p.dw.com/p/1Djna
Fotografi: picture-alliance/dpa/Jens Kalaene

Mihail Gorbaçovi, ish-presidenti i Bashkimit Sovjetik, i cili gjendet në Gjermani për veprimtaritë kushtuar rënies së Murit të Berlinit drejtoi akuza të rënda kundër Perëndimit. "Bota është në prag të një lufte të re të Ftohtë. Disa madje thonë se ajo ka filluar tashmë." - tha ai të shtunën gjatë një debati në lidhje me konfliktin e Ukrainës. Nobelisti i Paqes e akuzoi Perëndimin, e veçanërisht SHBA-në, se nuk i kanë mbajtur premtimet e tyre pas vitit 1989.

Gorbaçovi pritet sot (10.11) nga kancelarja Angela Merkel. 83-vjeçari tha se do të shkojë tek kancelarja si përkrahës i kreut të Kremlinit Vladimir Putin.

Dështim i Evropës perëndimore

"Politika evropiane dhe ndërkombëtare ka dështuar në rinovimin e strukturave në një botë të globalizuar, pas Luftës së Ftohtë. Ne duhet të pranojmë se ne që nga krijimi i kushteve të reja në fillim të këtij shekulli, kurrë nuk kemi qenë në një mjedis kaq të tensionuar dhe të rrezikshëm. Gjakderdhja në Evropë dhe Lindjen e Mesme në sfondin e prishjes së dialogut mes fuqive të mëdha - është shkak për brengosje të madhe, ne jemi në prag të një Lufte të re të Ftohtë, dhe disa thonë madje se ajo tashmë ka filluar " - tha ish-presidenti i Bashkimit Sovjetik, Mihail Gorbaçov.

Mihail Gorbaçovi
Mihail GorbaçoviFotografi: Getty Images/AFP/O. Andersen

Moska nuk merrej seriozisht

Për një kohë të gjatë Perëndimi ndjehej fitimtar mbi Bashkimin Sovjetik dhe Moska nuk merrej seriozisht si një partner i plotë. Kjo sjellje tani po hakmerret në krizën e Ukrainës. Vetëm tani që Putini ka nisur një kurs të rrezikshëm dhe të suksesshëm konfrontimi me Europën, ai po trajtohet si njeri i të njëjtit nivel. BE-ja duhet t'i sinjalizojë Moskës se e ka kuptuar mesazhin. Nga ana tjetër, Putini duhet t'i rikthehet përsëri politikës konstruktive. Pas kësaj kriza aktuale mund të jetë pikënisje për një bashkëpunim të ri, të barabartë. - shkruan gazeta Stuttgarter Zeitung.

Kufiri ndarës i Evropës

Edhe ish-ministri i Jashtëm gjerman Hans-Dietrich Genscher, tha në një intervistë me Deutsche Wellen: "Ekziston një shqetësim i madh, për shkak se sipas mendimit tim nga shanset dhe mundësitë që ofroi viti 1989-1990, nuk u bë ajo që mund të bëhej. Asokohe ne u përpoqëm për të krijuar një Evropë të re. Sot, unë nuk jam i sigurt nëse ne të gjithë në lindje dhe në perëndim e shohim këtë gjë kështu. A nuk ka shumë vetë në perëndim që thonë se kjo nuk i dha fund ndarjes, por se kufiri ndarës u zhvendos nga qendra në kufirin perëndimor të Rusisë. Por te kufiri perëndimor i Rusisë fillon Evropa Lindore dhe jo Azinë Prändimore. Kjo do të thotë se ne duhet të investojmë energji të reja në përpjekjet që të mbajmë Evropën të bashkuar dhe që Karta e Parisit e vitit 1990, për shtëpinë e përbashkët evropiane, si thotë Gorbaçovi, të mund të bëhen realitet. Ne kemi nevojë për një fillim të ri. Ne kemi përsëri nevojë për të ringjallur këtë arritje të madhe, këshillin NATO-Rusi. "

Hans-Dietrich Genscher
Hans-Dietrich GenscherFotografi: DW/M.Müller