1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Good Bye, Shrëder!

Pandeli Pani13 Tetor 2005
https://p.dw.com/p/ArtP
Kancelari Shrëder duke folur në kongresin e sindikatës së minierave
Kancelari Shrëder duke folur në kongresin e sindikatës së minieraveFotografi: AP

Tema që dominon shtypin e sotëm gjerman është vendimi i kancelarit Gerhard Shrëder për të mos qenë pjesëtar i qeverisë së re gjermane. Fillimisht për këtë temë citojmë nga gazeta "Braunschweiger Zeitung":

"Vendimi i Gerhard Shrëderit është i zgjuar, sidomos kur u bë e qartë që pretendimi i tij për t'u bërë kancelar nuk mund të realizohej. Shrëderi e kishte përbuzur Angela Merkelin hapur dhe nuk mund të bëhej tani ministër nën drejtimin e saj. Për të dyja palët, prania e Shrëderit në qeveri do të ishte një barrë e madhe dhe tensionet mes tyre do ta kishin hedhur në erë herët a vonë koalicionin e madh qeveritar. Po ashtu, po të mos hiqte dorë nga posti i ministrit në qeverinë e re, Shrëderi do t'i hiqte partisë së tij shancin për t'u përgatitur për një kancelar të ri pas qeverisjes së socialdemokratëve dhe të demokristianëve."

Gazeta "Südwest Presse", që botohet në Ulm, thekson se Shrëderi gjatë kohës së qeverisjes së vet është kujdesur pak për krijimin e një rezerve, që do ta drejtonte në të ardhmen partinë. Citojmë:

"Dalëngadalë po bëhet e qartë se në ç'pozitë e ka çuar Shrëderi SPD-në, edhe pse ai pa diskutim ka merita të shkëlqyera. Partia socialdemokrate nuk është e armatosur si duhet për vitet e ardhshme. Nën hijen e Shrëderit, në radhët drejtuese të SPD-së nuk arriti të zhvillohet asnjë pasardhës. Kjo vihet re edhe në qeveritë e landeve. Nga ana tjetër, ndryshimet e shpeshta në kryesinë e partisë i kanë ndërprerë gjithmonë debatet për një ndryshim në programin e partisë. Socialdemokratëve u mungon mbështetja ideore, për një politikë reformuese bindëse."

Gazeta "Die Welt" që botohet në Berlin analizon në mënyrë kritike fjalimin ndarës të Shrëderit në kongresin e sindikatave të industrisë së minierave. Në këtë gazetë ndër të tjera lexojmë:

"Në vend që në fund t'u drejtonte punëtorëve një apel optimist duke i bërë thirrje sedrës së tyre që të mos kërkojnë t'u falë gjë njeri, Shrëderi kërkoi edhe një herë që të mos ketë më shkurtime. Më mirë do të kishte qenë, që tani kur partia e tij po hyn në një koalicion të madh, që Shrëderi të bënte reklamë për këtë koalicion dhe ta konsideronte atë jo si një konstruksion nga halli, por si një shanc të vërtetë për republikën. Në vend që të luftonte për reformat e vërteta, të cilat ai i filloi vetë me guxim, kancelari sinjalizoi se ata që do të vijnë pas tij do të jenë një kockë e fortë."

Kalojmë në një temë tjetër. Pas dëbimit të refugjatëve nga vendet arabe në eksklavat spanjolle në radhët e BE-së po diskutohet sërish për politikën e azilimit. Në lidhje me këtë në gazetën "Nordwest-Zeitung" që botohet në Oldenburg lexojmë:

"BE i kishte munguar deri tani një nxitës për të përpunuar një strategji të përbashkët dhe të efektshme në lidhje me azilin dhe refugjatët. Pamjet dramatike në Ceuta dhe Melilla e bënë tepër të qartë këtë problem. Brenda një peridhe afatshkurtër pritet që me anë të një aksioni logjistik dhe financiar këtij problemi t'i pritet rruga që në kufijtë e jashtëm të BE-së. Pra refugjatët do të kontrrollohen pa prekur territorin e BE-së nëse janë vërtet të përndjekur politikë apo nëse ndiqen për arsye rracore apo fetare. Të drejtë për azil do të kenë vetëm ata që përmbushin këto kushte. Kjo tingëllon tepër e ashpër, por është një qëndrim realist, sepse Evropa nuk mund të arrijë kurrë që të strehojë të gjithë refugjatët afrikanë."

Në fund citojmë nga gazeta "Weser-Kurier" që botohet në Bremen, në lidhje me skandalin e një firme në Gjermani, e cila importonte mbeturina nga thertoret në Zvicër për t'i shitur si mish të ngrirë.

"Një kontrroll edhe më i përimtë i rrjetit tregtar ushqimor nuk mund të financohet dhe nuk mund të zbatohet praktikisht. Gjithsesi konsumatorët e kanë vetë në dorë që duke blerë prodhime cilësore t'u presin rrugën veprimtarive kriminale. Ai që ha më pak mish, por për këtë ble mish të mirë dhe të shtrenjtë, ai që i bën vetë raviolit, ose ble të tilla jo të mbushura me mish, bën që industria ushqimore të mos jetë në gjendje të shesë prodhimet e lira dhe pa cilësi. Një radhë prodhuesish kanë reaguar, dhe nuk prodhojnë më mallra pa cilësi. Por për cilësinë ne duhet të jemi të gatshëm të paguajmë edhe një çmim më të lartë."