1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

GM-i ka nevojë për njohuritë e Opelit

26 Gusht 2009

Mosmarrëveshjet e koncernit amë të Opelit, General Motors me qeverinë gjermane për ardhmërinë e sipërmarrjes, është ndër temat më të komentaura në shtypin e sotëm gjerman.

https://p.dw.com/p/JIV4
Fotografi: AP

Në të përditshmen "Nürnbergner Zeitung" lexojmë:

"Çfarë kanë menduar krerët në Berlin, kur kanë përcaktuar itinerarin e bisedimeve me General Motorsin? Duket se nuk kanë menduar shumë, sepse është krijuar bindja se qeveria do ta ruajë Opelin, pa marrë parasysh çmimin. Një sinjal më të mirë për palën tjetër, që në fillim të mos ofrojë gati asgjë, nuk mund ta dërgosh. Më pas janë kërkuar investitorë dhe janë zhvilluar negociata, pa kurrfarë sigurie se GM-i më nuk do të ketë shumicën në Opel. Qeveria gjermane i ka ndarë Opelit 1,5 miliardë euro të parave të taksapaguesve. Ai që nxjerr kokën nga dritarja, pa pasur asnjë lloj sigurie, nuk duhet të befasohet nëse pala tjetër e shfrytëzon këtë gjendje", konstaton Nürberger Zeitung.

Edhe më i ashpër ndaj qeverisë gjermane është komentatori i gazetës "Kieler Nachrichten".

"Qeveria gjermane e ka poshtëruar veten me ndihmat e ofruara tepër shpejt dhe vendimin për Magnën. Uashingtoni nuk mendon t'i nënshtrohet drejtimit të dhënë nga Berlini. Kancelarja Merkel e ka humbur kontrollin në çëshjten e Opelit. Në takimet e shumta në zyrën e kancelarisë ajo e ka fryrë çështjen e Opelit, ndërsa Obama tani e ka shfryrë. Për presidentin Obama më e rëndësishme është ruajtja e qindra mijëra vendeve të punës në vendin e vet, se sa fushata elektorale e Merkelit", mendon komentatori i kësaj gazete.

Ndërsa komentatori i "Kölner Stadt-Anzeiger" pohon:

"GM-i e sheh pas lundrimeve të vështira sërish tokën. Prandaj është e kuptueshme që është i interesuar ta ruajë punën në Evropë. GM-i ka nevojë për njohuritë e Opelit. Në anën tjetër, Opeli në duart e Magnës është shumë i vogël, për të mbijetuar në shtigje të gjata. Pa marrë parasysh cili do të jetë vendimi i fundit, zvogëlimi i numrit të punëtorëve nuk mund të evitohet. Madje as nga vetë qeveria federale", pohon komentatori i gazetës nga Këlni. (bc/dpa/aca)