1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Arrestohet Sali Mustafa

Bekim Shehu
24 Shtator 2020

Prokuroria e Specializuar me seli në Hagë bëri arrestimin e parë në Kosovë. Personi i arrestuar është ish-shefi i shërbimit sekret të Forcës së Sigurisë së Kosovës, Sali Mustafa.

https://p.dw.com/p/3iwTx
Niederlande Den Haag Raamweg, Gebäude des Kosovo-Sondergerichtshofes
Fotografi: DW/Virtyt Gacaferri

Prokuroria Speciale pranë Gjykatës Speciale për Krime Lufte me seli në Hagë bëri të ditur se është arrestuar në Kosovë, Sali Mustafa, në bazë të një urdhërarresti të saj dhe akuzës së konfirmuar nga një gjykatës i procedurës paraprake. Salih Mustafa, ishte ish-shef i shërbimit sekret të Forcës së Sigurisë së Kosovës, ndërsa tash punonte si zyrtar civil në Ministrinë e Mbrojtjes.

Njoftimi zyrtar

Në njoftimin e Prokurorisë Speciale, thuhet e zoti Mustafa është transferuar në njësitë e paraburgimit të Dhomave të Specializuara dhe ai do të dalë pa vonesë para gjykatësit. "Sipas Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar, policia në kuadrin e Zyrës së Prokurorit të Specializuar ka autoritetin dhe përgjegjësinë që të ushtrojë kompetencat që i janë dhënë Policisë së Kosovës, sipas ligjeve të Kosovës. Në Ligjin për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar gjithashtu përcaktohet se personi kundër të cilit është konfirmuar aktakuzë, merret në ndalim në zbatim të urdhërarrestimit ose fletarrestimit të lëshuar nga Dhomat e Specializuara”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë Speciale. Prokuroria nuk dha më shumë detaje për arrestimin e Sali Mustafës, i cili në vjeshtën e vitit të shkuar ishte intervistuar nga specialja në cilësinë e të dyshuarit për krime lufte.

Konfirmimi i arrestimit

Der Präsident von Kosovo Hashim Thaci in Den Haag vor einem Sondergericht
Fotografi: DW/A. Bajram

Arrestimin e Sali Mustafës e konfirmoi edhe zëdhënësi i Ministrisë së Mbrojtjes, Ibrahim Shala. "E konfirmojmë arrestimin e zotit Sali Mustafa, zyrtar civil në Ministrinë e Mbrojtjes. Si Ministri e Mbrojtjes ende nuk kemi informacion zyrtar. Jemi në pritje të njoftimit zyrtar për shkaqet e arrestimit”, tha zëdhënësi Shala.

Misioni i Bashkimit Evropian për sundimin e ligjit, EULEX, tha në një njoftim se i ka ofruar "mbështetje operacionale dhe logjistike Prokurorisë së Specializuar në pajtim me mandatin e tij dhe në pajtim me ligjet e Kosovës”, duke mos dhënë më shumë hollësi rreth arretimit të zotit Mustafa.

Mbi 200 ish-pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës janë marrë në pyetje nga Prouroria Speciale që nga fillimi i vitit 2019. Arrestimi i Sali Mustafës ish-pjesëtar i UÇK-së, ndodhi në kohën kur brenda tre javësh, tre herë me radhë persona anonim lanë në zyrat e organiztave të veteranëve të UÇK-së, dokumente "konfidenciale”, që pretendohet se janë të Prokurorisë Speciale në Hagë.

Prokuroria Speciale për këtë cështje ka nisur hetimet. Ajo tha se "disa aktivitete në të cilat është përfshirë Organizatat e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVLUÇK), kanë për qëllim të minojnë administrimin e drejtësisë në mënyrë të duhur”.

Akuzat ndaj presidentit

Me 24 qershor Zyra e Prokurorit të Specializuar paraqiti një aktakuzë për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, kundër presidentit të Kosovës Hashim Thaçi, kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli dhe disa të tjerëve, emrat e të cilëve nuk janë publikuar.

Prokuroria Speciale e "akuzon”, Hashim Thaçin dhe Kadri Veselin, si përgjegjës "për 100 vrasje të paligjshme” dhe krimet e paraqitura në aktakuzë përshijnë "qindra viktima të identifikuara shqiptarë, serbë dhe romë të Kosovës dhe kundërshtarë politikë”. Kjo aktakuzë duhet të shqyrtohet "të konfirmohet apo hudhet poshtë”, nga gjyqtari i procedurës paraprake, francezi Nikola Giju. Nëse aktakuza konfirmohet, atëherë Thaçi, ka deklaruar se ai do të japë dorëheqje nga posti i presidentit.

Premierminister Ramush Haradinaj Kosovo
Fotografi: DW/B. Cani

Gjykata Speciale ka selinë e saj në Hagë dhe i tërë stafi i saj është ndërkombëtar, ndonëse ajo funksionon në bazë të ligjeve të Kosovës. Arsyeja se pse kjo gjykatë gjendet në Hagë është "mundësia e frikësimit të dëshmitarëve”, thuhej në vitin 2016, në një komunikatë për medie të qeverisë së Holandës.

E gjithë kjo "marrë parasysh se bëhet fjalë për çështje të ndjeshme dhe për faktin se disa nga të dyshuarit, në pjesë të caktuara të shoqërisë kosovare, mund të konsiderohen si luftëtarë të lirisë”, thuhej në komunikatë.

Gjykata Speciale u themelua në vitin 2015 me këmbëngulësinë e bashkësisë ndërkombëtare. Kuvendi i Kosovës miratoi ndryshimet kushtetuese për këtë Gjykatë. Ideja për themelimin e Gjykatës, pasoi hetimet e pretendimeve të të dërguarit të Këshillit të Evropës, Dick Martty, për përfshirjen e ish-drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në krime të luftës dhe të pasluftës në Kosovë. Që nga viti 2019, mbi 200 ish-pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës janë marrë në pyetje si të dyshuar dhe dëshmitar nga prokuroret e Prokurorisë së Specializuar. Në mesin e të intervistuarve nga Prokuroria Speciale si i dyshuar për krime lufte ishte edhe ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj.