Gjykata Ndërkombëtare e Hagës kremtoi 60 vjetorin e themelimit | Politika | DW | 12.04.2006
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Politika

Gjykata Ndërkombëtare e Hagës kremtoi 60 vjetorin e themelimit

Gjykata Ndërkombëtare e Hagës është organi kryesor gjyqësor i bashkësisë ndërkombëtare. Më 18 prill 1946 u zhvillua mbledhja e parë e Gjykatës Ndërkombëtare të Hagës. Ceremonia festive jubilare u zhvillua sot, më 12 prill. Në të mori pjesë edhe sekretari i përgjithshëm i OKB-së Kofi Anan.

Gjykata Ndërkombëtare e Hagës

Gjykata Ndërkombëtare e Hagës

Gjykata Ndërkombëtare e Hagës kremtoi sot, në praninë e mbretëreshës hollandeze Beatrix dhe të sekretarit të përgjithshëm të OKB-së, Kofi Anan 60 vjetorin e saj. Anani u bëri thirrje të gjitha shteteve që ta njohin gjykatën më të lartë të OKB-së si instancën kryesore juridike të detyrueshme. Më shumë shtete duhet t'i gjykojnë konfliktet e tyre para kësaj instance neutrale, tha Anani para rreth 150 të ftuarve në sallën e madhe të gjyqit në Pallatin e Paqes. Ato shtete që nuk janë të gatshme për bashkëpunim duhet të shqyrtojnë të paktën mundësinë e marrëveshjeve të posacme, për t'i zgjidhur mosmarrëveshjet para kësaj gjykate:

"Vecanërisht unë do të inkurajoja të gjitha shtetet që nuk e kanë bërë ende që të njohin juridiksionin e detyrueshëm të kësaj gjykate. Unë gjithashtu inkurajoj shtetet që nuk janë të përgatitura të njohin një juridiksion të detyrueshëm t'i zgjidhin mosmarrëveshjet me njëra tjetrën me anë të marrëveshjeve speciale me gjykatën"

Më tej Anani përshëndeti rolin që tashmë Gjykata e OKB-së luan në mosmarrëvweshjet ndërkombëtare. Ai tha se rëndësia e Gjykatës është rritur sot më shumë se kurrë më parë. Shtetet anëtare të OKB-së i drejtohen asaj jo vetëm për të zgjidhur mosmarrëveshjet e kufijve tokësore dhe detarë, apo për t'u ankuar për shkelje marrëveshjes, por edhe në rastet e genocidit dhe të përdorimit të forcës. Si rezultat, vazhdoi Anani, kjo Gjykatë nuk ka pasur kurrë më shumë kërkesa se aktualisht.

Gjykata Ndërkombëtare e Hagës e nisi punën në vitin 1946. Ajo ushtron një lloj funksioni mbikqyrësi të Kombeve të Bashkuara. 15 gjykatësit kanë dy detyra kryesore: nga njëra anë ata marrin vendime për grindje midis shteteve, nga ana tjetër bëjnë ekspertiza juridike për cështje aktuale të së drejtës ndërkombëtare, si në rastin e gardhit rrethues izraelit përballë zonave palestineze. Ideja për themelimin e saj e ka burimin në kohën e Lidhjes së Kombeve: atëherë u konstatua se kur dy ose më shumë shtete janë në grindje me njëra-tjetrën është më mirë që ata të angazhojnë gjykatës të pavarur, se sa ta zgjidhin konfliktin me forcën e armëve.

Pika delikate e funksionimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Hagës ka të bëjë me faktin se vendimi i gjykatësve ka vetëm atëherë forcë detyruese, kur të gjitha shtetet e përfshira në mosmarrëveshje janë shprehur më parë dakord, që kjo gjykatë të angazhohet. Por në fakt, në të kaluarën kjo ka ndodhur rrallë. Në 60 vitet e ekzistencës së saj, Gjykata Ndërkombëtare e Hagës ka marrë rreth 100 vendime dhe ka hartuar rreth 25 ekspertiza juridike.

  • Data 12.04.2006
  • Autor ADD
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/AqqR
  • Data 12.04.2006
  • Autor ADD
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/AqqR