1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Shpallet antikushtetues ekipi negociator i Kosovës

Bekim Shehu''
27 Qershor 2019

Pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, ekipi negociator i Kosovës për dialog me Serbinë, që nga nesër, shpërbëhet. Partitë opozitare kërkojnë dorëheqjen e qeverisë dhe zgjedhje të jashtëzakonshme.

https://p.dw.com/p/3LCXu
Justitia mit Pendelwaage
Fotografi: picture-alliance/Ulrich Baumgarten

Gjykata Kushtetuese e Kosovës, e shpalli jo kushtetues ligjin dhe delegacionin shtetëror të Kosovës për dialog me Serbinë, i miratuar në dhjetor të vitit të shkuar. Në vendimin e Gjykatës Kushtetuese, që u shpall të enjten më datë (27.06), thuhet se "ligji për Detyrat, Përgjegjësitë dhe Kompetencat e Delegacionit Shtetëror të Kosovës në Procesin e Dialogut me Serbinë, është i papajtueshëm me Kushtetutën e Kosovës”.    

Dy partitë politike opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe Lëvizja Vetëvendosje, e patën dërguar në kushtetuese ligjin për dialogun në mars të këtij viti, duke thënë se dialogun me Serbinë mund të zhvillojë vetëm qeveria e Kosovës dhe asnjë mekanizëm tjetër.

Gjykata Kushtetuese në njoftimin e saj thotë se, "delegacioni shtetëror, i cili është themeluar me Ligjin e kontestuar, nuk është i paraparë me Kushtetutë dhe nuk është i paraparë brenda formës së qeverisjes dhe ndarjes së pushtetit".

"Delegacioni shtetëror nuk mund të përfshihet në ndërveprimin e ndarjes, kontrollit dhe balancimit të pushteteve, gjegjësisht strukturën e ndarjes së pushtetit, sikurse është e përcaktuar me nenin 4 të Kushtetutës”. Prandaj Gjykata konstaton se "bartja e kompetencave të institucioneve kushtetuese tek mekanizmi i posaçëm i krijuar me Ligjin e kontestuar, është ndërhyrje në ushtrimin e kompetencave të institucioneve të përcaktuara me Kushtetutë dhe nuk është në pajtim me vlerat demokratike dhe të sundimit të ligjit, të përcaktuara me nenin 7 të Kushtetutës, sepse i vesh delegacionit shtetëror funksione, të cilat nuk përkojnë me dispozitat kushtetuese”, thuhet në njoftimin e Gjykatës Kushtetuese.

Reagime nga bashkëkryesuesit e delegacionit shtetëror

I menjëhershëm ishte reagimi i njërit nga bashkëkryesuesit e delegacionit shtetëror të dialogut me Serbinë, Shpend Ahmeti. Ai tha se ai e pranon vendimin e Gjykatës Kushtetuese dhe që nesër do t'i paraqesë dorëheqjen nga kjo detyrë Kuvendit të Kosovës. Shpend Ahmeti është edhe kryetar i Partisë Social Demokrate, që ka 12 deputetë në Parlamentin e Kosovës.

"Partia Socialdemokrate e pranon këtë vendim dhe do të veprojë sipas tij. Rrjedhimisht, nga sot anëtarët e Delegacionit shtetëror nga radhët e PSD-së pushojnë të shërbejnë në këtë organ. Ne kemi hyrë në Delegacion me kushtin që delegacioni të ketë kompetenca. Meqenesë ato nuk janë më, atëherë qëndrimi ynë në delegacion është pa kurrfarë rëndësie ligjore”, shkroi në profilin e tij Shpend Ahmeti.

Edhe zëvëndëskryeministri i Kosovës, Enver Hoxhaj, që vjen nga radhët e PDK-së në pushtet, tha se partia e tij, do ta respektojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese.

"Ne do ta respektojmë vendimin e Gjykatës Kushtetuese mbi vlerësimin e kushtetutshmërisë së Ligjit për Detyrat, Përgjegjësitë dhe Kompetencat e Delegacionit Shtetëror të Republikës së Kosovës në Procesin e Dialogut me Serbinë."

Nga fillimi, PDK ka besuar se Kosova ka institucionet legjitime për ta udhëhequr procesin e dialogut duke respektuar Kushtetutën e vendit. Ne vazhdojmë të besojmë, se megjithatë, konsensusi politik është i nevojshëm për ta arritur marrëveshjen finale me Serbinë që do të përfundonte me njohje të ndërsjelltë dhe ulëse në OKB”, shkroi në profilin e tij zëvëndëskryeministri Enver Hoxhaj.

Ndërkohë, shefi i grupit parlamentar të LDK-së Avdullah Hoti i cili së bashku me Vetëvendosjen e dërguan në kushtetuese ligjin për dialogun thotë se vendimi i sotëm i Gjykatës Kushtetuese vetëm e vërteton atë që LDK ka thënë që nga miratimi që ligjit që "dialogu duhet të udhëhiqet vetëm nga institucionet legjitime sipas kompetencave kushtetuese që kanë ato institucione".

"Kosova është dëmtuar shumë nga pazaret antikushtuese të koalicionit PAN. Në të gjitha veprimet që ka ndërmarrë Qeveria sa i përket dialogut ka bërë shkelje kushtetuese:

1. Shkelje e Kushtetutës është draft-rezoluta e miratuar në Qeveri, ku dialogu i kalon Presidentit.

2. Shkelje e Kushtetutës është platforma e dialogut e miratuar në Kuvend,

3. Shkelje e Kushtetutës është ligji për dialog”, shkroi në ragimin e tij shefi i grupit parlamentar të LDK-së i cili kërkoi që pos ekipit dialogues edhe qeveria e Kosovës të jap dorëheqje.

Edhe lëvizja Vetëvendosja kërkon dorëheqjen e qeverisë dhe zgjedhje të jashtëzakonshme, duke e kontestuar, siç thonë, edhe përfaqësimin e Presidentit Thaçi në dialog me Serbinë.

"Gjykata Kushtetuese ka argumentuar që Qeveria ka ingerenca kushtetuese, presidenti i Kosovës nuk mund të përfaqësojë Kosovën në dialogun me Serbinë, ndërsa zgjidhja e vetme janë zgjedhjet e jashtëzakonshme. Ne e kemi kundërshtuar presidentin Thaçi, mënyrën se si ka shkuar ky dialog me Serbinë. Në këto rrethana ku kemi një president që në mënyrë jo kushtetuese ka udhëhequr dialogun, dhe kryeministrin i cili refuzoi të marrë kompetencat e tij, zgjidhja e vetme është që të shkohet në zgjedhje të jashtëzakonshme", thuhet në reagimin e Vetëvendosjes.

Presidenti Thaçi: "Kushtetuta e Kosovës - udhërrëfyesi në çdo hap"

E nga ana e tij, Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, i cili që nga ndërprerja e dialogut me Serbinë tash e disa muaj e ka përfaqësuar i vetëm Kosovën në forume dhe disa takime me Presidentin serb Aleksandër Vuçiç, tha se "Kushtetuta e Kosovës është udhërrëfyesi në çdo hap drejt forcimit të shtetësisë së Kosovës".

"Askush i vetëm nuk mund ta marrë barrën e zgjidhjes së një konflikti shekullor me Serbinë, prandaj gjithmonë kam apeluar për unitet politik në këtë proces shumë të rëndësishëm për vendin dhe qytetarët tanë”, shkroi Presidenti Thaçi. Më tej ai fton, që "në përputhje me Kushtetutën dhe vullnetin politik, udhëheqësit e institucioneve, liderët politikë të të gjitha subjekteve...të jenë të bashkuar në procesin e dialogut për arritjen e marrëveshjes paqësore, e cila hap perspektiven e integrimit të Kosovës dhe i jep fund izolimit dhe stagnimit”.

Ligji dhe delegacioni shtetëror i Kosovës për bisedimet me Serbinë, pas debateve shumë të ashpra, ishin miratuar në kuvendin e Kosovës në dhjetor të vitit të shkuar. Në krye të ekipit ishin emëruar zëvendëskryeministri i Kosovës, Fatmir Limaj dhe kryetari i Partisë Socialdemokrate, Shpend Ahmeti.

Në ligjin për dialogun, ishin përfshirë pjesë të një platforme për dialog, ku u përcaktuan edhe vijat e kuqe të Kosovës në bisedime dhe zgjidhjen e të gjitha çështjeve të hapura me Serbinë. Autoritetet në Beograd këtë platformë që përcaktonte vijat e kuqe në dialog me Serbinë e patën cilësuar si fundin e dialogut, ndërsa vazhdojnë ta kushtëzojnë rifillimin e dialogut me Kosovën me heqjen e taksës së vënë nga qeveria e Kosovës për produktet e Serbisë.

Sidoqoftë, aktiviteti diplomatik i Serbisë kundër Kosovës dhe si kundërpërgjigje e kësaj, vendosja e taksës nga qeveria e Kosovës ndaj produkteve të Serbisë, janë dy faktorët që bënë që tash e disa muaj të ndërpritet dialogu Kosovë-Serbi. Prej këtyre zhvillimeve u anulua edhe takimi i Parisit (vazhdimësi e Samitit të Berlinit), që planifikohej të mbahej më 1 korrik në Paris. Në të do të flitej vetëm për mundësinë e arritjes së një marrrëveshjeje Kosovë-Serbi, që do të përmirësonte raportet ndërmjet dy vendeve.