1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Gjykata federale kushtetuese e tha fjalën e saj. Ashtu siç ishte planifikuar do të zhvillohen më 18. shtator zgjedhjet parlamentare në Gjermani

Wolter von Tiesenhausen25 Gusht 2005

Tanimë u hap rruga për zhvillimin e zgjedhjeve të parakohshme në Gjermani. Gjykata kushtetuese ka konfirmuar vendimin e presidentit gjerman për shpërndarjen e parlamentit dhe afrimin me një vit të zgjedhjeve parlamentare. Kusht për këtë ishte vendimi i parlamentit, për refuzimin e votbesimit kancelarit të tanishëm, megjithëse shumicën në parlament e ka koalicioni i socialdemokratëve dhe ekologjistëve

https://p.dw.com/p/Aqj1
Gjykatësit kushtetues shpallin vendimin për zgjedhjet e parakohshme në Gjermani
Gjykatësit kushtetues shpallin vendimin për zgjedhjet e parakohshme në GjermaniFotografi: AP


Gjykata federale kushtetuese duhet të shqyrtonte për shkak të padive të dy deputetëve gjermanë, nëse vendimi i presidentit gjerman për zhvillimin e zgjedhjeve të parakohshme respektonte plotësisht nenin 68 të kushtetutës gjermane. Vendimi me shumicë të padiskutueshme, 7 vota pro dhe një kundër, e bën të qartë, se është vetëm në të drejtën e kancelarit të vlerësojë, nëse ai mund të presë ose jo votbesimin nga shumica e parlamentit. Këtu është dytësor fakti, nëse ndjesia e kancelarit se nuk e ka votbesimin mund të dëshmohet publikisht. Gjykata kushtetuese gjermane nuk i miratoi provat që solli pala paditëse dhe që u diskutuan në opinionin gjerman, se në këtë mënyrë, mund të shpërndahet parlamenti sipas vullnetit të kancelarit. Nuk ka asnjë argument që provon, se kancelari mund të shpërndajë parlamentin në kundërshtim me vullnetin e tij. Kështu u shprehën gjykatësit kushtetues. Më tej, ata thanë se deputetët nuk janë të varur nga porosi dhe udhëzime dhe se ata janë përgjegjës para ndërgjegjes së tyre.
Dhe në të vërtetë në historinë 56 vjeçare të Republikës federale gjermane deri më tani opcionet përkatëse të kushtetutës janë përdorur vetëm tre herë. Megjithatë ekziston opinioni se përmes ndryshimit të kushtetutës, bundestagut gjerman mund t'i krijohej një mundësi më e kollajtë ligjore për vetëshpërndarjen e tij. Paragrafet e tanishme kushtetuese, lidhen me përvojën negative të Republikës së Vajmarit në vitin 1919 deri në 1933, ku presidenti i rajhut mund të shpërndante parlamentin në çdo kohë pa argumentim dhe mund të caktonte zhvillimin e zgjedhjeve të reja.
Por kundër vetëshpërndarjes së parlamentit është fakti, që deputetët gjermanë, nuk e kanë fituar vetë të drejtën pët t'u ulur në parlamentin gjerman, por këtë j'ua ka dhënë populli. Por në Gjermani vetëm në raste të jashtëzakonshme mund të zhvillohet referendumi për situata të tilla dhe ato nuk çojnë në shpërndarjen e parlamentit. Megjithatë kur aktualisht në këtë vend ka zhvillime të cilat tregojnë se zhvillimi i zgjedhjeve të parakohshme do të ishte rruga e vetme për daljen nga kriza, është e rëndësishme që të gjendet një zgjidhje më e thjeshtë.