1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Gjykata evropiane për të drejtat e njeriut merr vendim mbi dëmshpërblimin e të shpronësuarve në RDGJ

Bernd Gräßler30 Mars 2005

Që prej ribashkimit të Gjermanisë pronësia e tokës në lindje të Gjermanisë e prekur prej reformës agrare është e diskutueshme dhe po trajtohet nga gjykatat. Sipas motos "toka e junkerëve i takon fshatarëve" pas Luftës II Botërore në zonën e pushtimit sovjetik u krye një shpronësim rigoroz i të ashtuquajturve junkerë në lindje të lumit Elbë. Kush zotëronte më shumë se 100 ha, humbi gjithçka. Pasi pretendimet e pronarëve të vjetër u hodhën poshtë nga gjykata kushtetuese gjermane edhe gjykata evropiane për të drejtat e njeriut e konfirmoi sot këtë vendim. Bernd Gräßler shpjegon se për çfarë bëhej fjalë në këtë proces.

https://p.dw.com/p/Ar4D
Fotografi: dpa zb

Kur në vitin 1990 Republika Demokratike Gjermane pësoi kolaps më shumë se një milion hektar dikur tokë e reformës agrare i kaluan Republikës Federale Gjermane. Ata që shpresonin për kthimin e saj pronarëve të vjetër u zhgënjyen. Edhe Carl-Wilhelm von Herder, familja e të cilit në vitin 1945 humbi kështjellën Rauenstein në Saksoni megjithë pyjet. Von Herder ishte fort i bindur se ribashkimi i Gjermanisë do t'ia kthente pronën e vet, të cilën e humbi në sajë të reformës agrare në zonën e pushtimit sovjetik; por politika dhe drejtësia i treguan marrëveshjen gjermano-gjermane të bashkimit. Në të thuhet se shpronësimet e kohës së pushtimit sovjetik nga 1945-a deri në 1949-ën nuk duhen kthyer mbrapsht. Von Herder është i pezmatuar:

"Të gjithë të rehabilituarve pas 1949-ës u kthehet prona e tyre. "Kthim përpara zhdëmtimit". Dhe në rastin tonë zhdëmtimi as që nuk është marrë parasysh, e shumta vetëm dëmshpërblime. Në rastin më të mirë pesë për qind e vlerës së tashme."

Carl-Wilhelm von Herder, pasardhës i poetit dhe filozofit Johann Gottfried von Herder, ankohet si shumë fisnikë të tjerë se po trajtohet në mënyrë jo të barabartë nga shteti gjerman. Derisa atyre që u shpronësuan në Gjermaninë Lindore pas 1949-ës nga RDGJ-ja përgjithësisht ua kthyen pronat pas ribashkimit ose së paku u zhdëmtuan siç duhet, të prekurit nga reforma agrare nën regjimin pushtues të Bashkimit Sovjetik nga 1945-a deri në 1949-ën mbetën pa gjë.

As kthim e as zhdëmtim i duhur - shteti gjerman po paraqitet si "fshehës i plaçkës së vjedhur nga komunistët", ankohen viktimat e reformës agrare. Nga ana e saj qeveria gjermane, si ajo e mëparshme nën drejtimin e kancelarit Helmut Kohl ashtu edhe ajo e tashme nën Gerhard Schröderin, tregon së pari me gisht nga Moska. Atje ndodhet sipas tyre fajtori. Bashkimi Sovjetik, thotë qeveria, nuk do ta kishte miratuar bashkimin gjerman, në rast se Republika Federale Gjermane nuk do ta kishte shpallur të paprekshme reformën agrare. Se a është kjo e saktë, për këtë ka mosmarrëveshje midis aktorëve të atëhershëm. Ish-kreu i shtetit sovjetik Gorbaçov e mohon që sovjetikët t'i kenë kushtuar kaq shumë rëndësi reformës agrare. Lothar de Maiziere nga ana tjetër, i pari dhe i fundit kryeministër i RDGJ-së i zgjedhur në mënyrë të lirë, thekson:

"Në 1990 kërkesa e sovjetikëve ishte krejt e domosdoshme. Cilido që pretendon sot të kundërtën, nuk tregohet i ndershëm."

Gjykata kushtetuese gjermane e gjykon njëlloj çështjen dhe disa herë i ka hedhur poshtë paditë e pronarëve të vjetër. Fisnikut të shpronësuar von Herder, i cili pas arratisjes në Perëndim prej një kinemaje shëtitëse krijoi një rrjet kinemsh që lulëzoi, iu desh të jepte një milion për të blerë pronën familjare, kështjellën Rauenstein në Saksoni. Riblerja e pronës së vet i duket poshtëruese.