1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Gjykata Europiane e Drejtësisë vendos: kompanitë ajrore do paguajnë për dioksidin e karbonit, që çlirojnë

22 Dhjetor 2011

Gjykata e lartë e BE hodhi poshtë padinë kompanive ajrore të SHBA për tregun e dioksidit të karbonit në Europë, dhe mbështeti ligjin, që detyron transportuesit e huaj të zbatojnë rregullat e emetimit për vitin 2012.

https://p.dw.com/p/13Xpk
Kompanitë ajrore do paguajnë për karbonin
Kompanitë ajrore do paguajnë për dioksidin e karbonitFotografi: dapd

Gjykata më e lartë e Bashkimit Europian la në fuqi të drejtën e bllokut për të detyruar kompanitë e huaja të marrin pjesë në tregun europian të emetimit të dioksidit të karbonit, që pritet të shtrihet edhe në aviacion që nga 1 janari i vitit 2012.

Gjykata Europiane e Drejtësisë në Luksemburg hodhi poshtë një padi të kompanive ajrore amerikane dhe vendosi që ligji të ishte i vlefshëm. Ligji kërkon që të gjitha kompanitë ajrore, që përdorin aeroportet europiane të kompensojnë emetimet e dioksidit të karbonit.

“Aplikimi i skemës tregtare për emetimet nuk bie në kundërshtim as me parimet bazë të ligjit për shërbimin ndërkombëtar të klientëve dhe as me marrëveshjen për qiejt e hapur,” tha gjykata në një deklaratë.

Të ardhurat do të shkojnë për të penguar transformimin e klimës
Të ardhurat do të shkojnë për të penguar transformimin e klimësFotografi: UN/DW

Ambjentalistët mirëpresin vendimin

BNU, Organizata për Mbrojtjen e Mjedisit në Gjermani, deklaroi se kjo ishte “një fitore”. Edhe pse aviacioni përbën vetëm pesë përqind të emetimit të dioksidit të karbonit nga njeriu në mjedis, është cilësuar si mënyra më e shpejtë e rritjes së efektit serë dhe për ndryshimet klimatike.

Në përputhje me marrëveshjet ndërkombëtare

Ndërkohë që vendimi i Gjykatës Europiane të Drejtësisë është i formës së prerë, sërish ka disa hapësira, se si mund të implementohen rregullat.

Kompanitë ajrore do të mund të paguajnë vetëm 15 përqind të dioksidit të karbonit, që ato emetojnë. Ligji lejon gjithashtu “masa ekuivalente”, çka nënkupton se do të përjashtohen ato kompani, që vijnë nga shtete, të cilat kanë masa të njëtja për uljen e emetimeve të dioksidit të karbonit në mjedis.

Grupi i kompanive ajrore amerikane tha se do të vazhdojë të gjejë një zgjidhje brenda kuadrit ligjor të Bashkimit Europian.

“Vendimi i sotëm izolon akoma më shumë Bashkimin Europian nga pjesa tjetër e botës dhe e vendos në një pozicion në kundërshtim me rregullat ndërkombëtare të aviacionit dhe ndryshimeve klimaterike”, tha grupi në një deklaratë nga Uashingtoni.

Hillary Clinton u shkroi zyrtarëve evropianë për ta rishikuar ligjin
Hillary Clinton u shkroi zyrtarëve evropianë për ta rishikuar ligjinFotografi: dapd

Ky nuk është fundi i çështjes

Peter Siegloch, Drejtori i Shoqërisë së Aviacionit Gjerman (BDL), tha se vendimi nuk do të thotë se debati nuk ka marrë fund.

“Ne mund të kemi tani një vendim për Bashkimin Europian, por kaosi politik duket se do të vazhdojë", tha ai duke kërkuar një zgjidhje globale të çështjes. Padia u ngrit nga kompanitë amerikane dhe ato kanadeze, por protesta u mbështet edhe nga Kina, India e vende të tjera me trasportues ndërkombëtarë.

Kritikët e vendimit të Bashkimit Europian kanë argumentuar se në kuadër të Paktit të Klimës në Kioto në vitin 1997 të gjithë vendet ranë dakord për të trajtuar emetimet e aviacionit bashkarisht përmes trupit të aviacionit të OKB-së, Organizata Ndërkombëtare e Aviacionit Civil (ICAO).

Bashkimi Europian mori një vendim të njëanshëm për shkak të mungesës së progresit në bisedimet ndërkombëtare.

Brukseli tashmë ka përcaktuar një tavan për nivelin e emetimeve nga fabrikat dhe termocentralet. Emetuesit, që kalojnë kuotat e tyre, duhet të blejnë lejen e emetimit të dioksidit të karbonit.

Shtetet e Bashkuara, atje ku ligji për mjedisin është kthyer në qendrën e debatit mes demokratëve të Barack Obamës dhe konservatorëve Republikanë, reaguan ashpër. Javën e shkuar Sekretarja Amerikane e Shtetit, Hillary Clinton, u shkroi zyrtarëve evropianë për ta rishikuar ligjin. Ajo tha se Shtetet e Bashkuara janë të gatshme për t'u kundërpërgjigjur, por nuk tha se në ç'mënyrë.

Author: Dagmar Breitenbach/Amarildo Topi

Redaktoi: Angjelina Verbica