Gjithçka nën kontroll? | Evropa | DW | 06.04.2004
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Gjithçka nën kontroll?

Kufiri i ri i jashtëm i BE-së në lindje të Sllovakisë nuk duhet të kthehet në një portë për hyrjen e trafikantëve të qënieve njerëzore

Flamuri sllovak

Flamuri sllovak

Nga Vjena në Bratisllavë udhëtimi zgjat vetëm një orë me makinë. Pastaj duhen përshkuar edhe rreth 500 kilometra përmes vendit deri në kufirin ukrainas. Pas hyrjen së Sllovakisë në BE më 1 maj të këtij viti rripi i tokës 100 km i gjatë, në pjesën më të madhe pyje të Karpateve, do të bëhet kufiri i jashtëm i BE-së. A do të kthehet ai në një portë për hyrjen e trafikantëve të qënieve njerëzore?

Fshati kufitar quhet Vishnje Njemetcke dhe në shqip do të thotë "fshati i gjermanëve". Lindja në Sllovaki është prej kohësh që s'mbahen mend krahinë e ngulimeve të popujve të ndryshëm: sllovakë, hungarezë, gjermanë, polakë, rutenë, romë. Në kalimin kufitar trafiku nuk është fare i ngarkuar, vetëm çdo dy minuta kalon ndonjë makinë apo kamion. Fshati që i paraprin ka disa pak shtëpi në të majtë e në të djathtë të rrugës kryesore. Ato nuk rrezatojnë kamje e mirëqënie por duket megjithatë se disa prej tyre janë rinovuar e madje ndërtuar nga e para kohët e fundit. Ndërkohë që ekonomia është përtokë në këtë pëllëmbë tokë të anëtarit të ardhshëm të BE-së, Sllovakisë. Por mesa duket mundësi të tjera fitimi janë shfaqur: "Kontrabanda simodos në rradhët e të rinjve është kthyer këtu në një lloj sporti kombëtar" - pranon hapur Miroslav Koltshar. Dhe ai duhet t'a dijë për çfarë flet pasi është shefi i policisë kufitare këtu. "Më shumë bëhet tregti i paligjshme me cigare, pastaj vijnë nafta dhe benzina. Për këtë përdoren para së gjithash mundësitë e ligjshme. Serbatori i një benci Mercedes psh mban rreth 70 deri 90 litra karburant. Ato kalohen përtej kufirit, dorëzohen dhe makina rikthehet në Ukrainë."

Ndoshta për këtë arsye ka mbetur prej kohësh pa punë pika lokale e furnizimit. Nuk ka kërkesë. Të tjera mallra të kontrabandës janë kryesisht cigaret të cilat në Ukrainë ashtu si nafta mund të blihen me gjysmën e çmimit sllovak. Pesë burra bëhen së bashku dhe kalojnë pesë herë në ditë, pesë ditë në javë secili me nga një stekë cigare, tregon shefi i policisë. Gjithçka sipas ligjit. Pika e shitjes gjendet direkt në zonën kufitare ukrainase.

42-vjeçari Marosh tregon edhe për forma të tjera kontrabande: stimulues si pervitin, e natyrisht armë dhe ar të cilat mendohet se vijnë nga helikopterët ushtarakë ukrainas. E para së gjithash kontrabandë njerëzish, me refugjatë nga lindja. Pasi në këtë lloj tregtie ndryshe nga ajo me cigare bëhet fjalë për shuma të mëdha parash:"Deri tani për këtë paguheshin rreth 550 deri 600 dollarë amerikanë për person" - thotë Marosh.

Vetë kontrabandisti merr rreth një të tretën e shumës. Për të fituar të njëjtën shumë me një profesion të ligjshëm do t'i duhej një muaj punë. Marosh i njeh këta njerëz, dikur ishte njëri prej tyre. Pjesa e kufirit që duhej kaluar ishte nganjëherë 3 kilometra e kur fati s'të ndihmonte 30 kilometra: "Atëherë shkojnë deri në kufirin çek dhe aty i presin të tjerë. Pastaj në kufirin gjerman. Por gjithnjë është një grup që organizon gjithçka. Eshtë biznes i mirë por edhe shumë i rrezikshëm. Qeveria tani i ka ashpërsuar dënimet. Për vrasje dënohesh me pesë vjet burg ndërsa për kontrabandë njerëzish tetë vjet. Ti ndihmon njerëzit të shkojnë në vendin e ëndrrave të tyre dhe për këtë bën tetë vjet burg."

Dhe jo vetëm kaq. Numri i rojeve kufitare është dyfishuar, pesë vetë ruajnë tani një kilometër zonë kufitare. Vetëm për pajisjen e tyre teknike qeveria sllovake ka investuar miliona nga programi i BE-së Phare. Që prej një majit Sllovakia mund të përdorë edhe 48 milionë euro nga i ashtuquajturi fondi i tranzicionit i marrëveshjes Shengen për sigurimin e kufirit ukrainas. Kështu thotë një zëdhënës i ministrisë së punëve të brendshme në Bratisllavë, Boris Ashaltoviç: "Vetëm gjatë vitit të kaluar kemi arritur të shkatërrojmë më shumë se dhjetë banda trafikantësh. Shumica e tyre ishin të organizuara në plan ndërkombëtar kështu që për këtë bashkëpunuam edhe me autoritetet austriake, çeke, sllovene dhe italiane. Gjatë këtyre aksioneve u ndaluan më shumë se 200 persona. Bëhej fjalë kryesisht për bosë të vërtetë që kishin organizuar trafikun e njerëzve përmes Sllovakisë."

Migrantët e kapur vinin nga Kina, Pakistani, Afganistani, Ukraina, Rusia, Çeçenia, Gjeorgjia dhe të tjera ish-republika sovjetike. Deri tani Sllovakia ishte thjesht një vend tranziti për këta njerëz por pas 1 majit ajo mund të bëhet edhe vetë një vend qëndrimi për refugjatët. Për këtë arsye ka filluar ndërtimi i strehave të reja për azikërkuesit jo larg kufirit. Shefi i policisë kufitare Miroslav Koçar thotë:"Gjatë vitit të kaluar këtu kemi kapur rreth 5.500 migrantë ilegalë."

Atëherë numri i atyre që kanë kaluar ka qenë rreth dhjetë mijë mendon njohësi i kësaj skene Marosh. Njëkohësisht ai pranon se për ish shokët e tij kohët kanë ndryshuar dhe nuk janë më aq të favorshme. Ka shumë polici dhe shërbime të tjera të ndryshme. Gjithçka filmohet me kamera:"Ndërkohë policia ka marrë masa të ndryshme edhe në pyje: kabllo që reagojnë nga prekja, kamera të ndjeshme ndaj temperaturës. Këto financohen nga gjermanët dhe nga BE-ja. Nuk e di nëse me masa të tilla mund të ndalohet gjithçka por të paktën 90% mendoj se po."

Vetë Marosh nuk dëshiron më të ketë të bëjë me trafikun e qënieve njerëzore në kufirin sllovako-ukrainas. Jo vetëm sepse në të kaluar ka qenë shpesh pas hekurave por edhe sepse prej kohësh i ka dhënë fund këtij aktiviteti dhe ka investuar në biznese të ligjshme: në një bar dhe një dyqan veshjesh.

  • Data 06.04.2004
  • Autor Vladimir Müller
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/ArHi
  • Data 06.04.2004
  • Autor Vladimir Müller
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/ArHi