1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Gjermani: Viza pune për 3.500 qytetarë nga Shqipëria

3 Janar 2018

Gjermania vendi më i preferuar për rininë e Shqipërisë të diplomuar në mjekësi. Ambasada gjermane në Tiranë ka dhënë gjatë vitit 2017 viza pune për 3.500 qytetarë nga Shqipëria.

https://p.dw.com/p/2qGEK
Deutschland Medizin Studium Studenten Laborpraktikum
Fotografi: picture-alliance/dpa/W. Grubitzsch

Në Qendrën Goethe të gjermanishtes në Tiranë, partnere e Institutit Goethe, është rritur me ritme të shpejta kërkesa për të mësuar gjuhën gjermane. Drejtorja e kësaj qendre Petra Behlke-Campos thotë për DW se numri i kursantëve është dyfishuar që nga viti 2013 , kurse numri i pjesëmarrësve në provime është trefishuar.

Ligji gjerman, që hyri në fuqi në janar të vitit 2016, sipas të cilit qytetarët e vendeve të Ballkanit Perëndimor, mund të marrin leje qëndrimi për të punuar dhe jetuar legalisht në Gjermani, nëse kanë një kontratë pune me nje kompani private apo strukturë publike hapi mundësi të mëdha për të emigruar në Gjermani. Efekti i tij i menjëhershëm është rritja e jashtëzakonshme e kërkesave për të mësuar gjemanishten si një parakusht për të siguruar një  kontratë pune.

Ärztemangel in Deutschland
Kurse gjermanishteje për mjekëFotografi: Pandeli Pani

Burime zyrtare nga Ambasada gjermane në Tiranë pohojnë për DW se gjatë vitit 2017 kjo ambasadë ka dhënë viza pune për 3.500 qytetarë nga Shqipëria. Ligji i sipërpërmendur i shoqëruar me njoftime në mediat gjermane për  vende të lira pune, sidomos për mjekë dhe infermierë, po ushqejnë tek rinia shqiptare e diplomuar në mjekësi dëshirën për të emigruar dhe punuar në Gjermani.

 Gjermania - vendi i preferuar për emigrim të ligjshëm   

Në kursin e gjermanishtes të nivelit C në Qendrën Goethe në Tiranë po zhvillohen orët e fundit të mësimit për 2017-ën. Në  janar pjesëmarrësit në këtë kurs do të japin provimin. Kush e merr do të pajiset me diplomën e gjuhës, që njihet edhe në Gjermani. Kush kërkon të emigrojë dhe përpiqet për një kontratë pune ka me këtë diplomë në dorë një armë të mirë. Në këtë kurs bisedoj me tre vetë të dipolomuar në Tiranë. Të ndryshëm, por me ëndrrën e përbashkët për të emigruar dhe punuar në mënyrë legale në Gjermani.  

Nëse më shkon mbarë ...

Aurora Likani është nga Fieri dhe po specializohet si mjeke për analizat klinike-biokimike në Laboratorin e Qendrës Spitalore Universitare "Nënë Tereza” në Tiranë. Për specializimin dyvjecar ajo paguan rreth 1000 euro në vit.

"Dua të shkoj në Gjermani sapo të marr diplomën si mjeke specialiste laboratori. Laboratori ku bëj specializimin i është dhënë vitin e kaluar një kompanie private me koncesion, e cila ofron shërbimin me fondet shtetërore, fondet publike dhe ka akses të plotë tek aparaturat dhe personeli mjekësor. Për fat të keq, ajo që ndodh në këtë laborator është përdorimi i kiteve me cilësi të ulët për të bërë analizat, pasi kështu kompania nuk harxhon shumë para nga fondet e marra prej shtetit dhe i ngelet më shumë fitim. Por ka analiza që kërkojnë kite me cilësi të lartë. Nëse kundërshton, kompania të pushon nga puna dhe specializimi ndërpritet. Kjo më ka demotivuar shumë dhe është bërë shkas që të mendoj për të emigruar në Gjermani dhe për të kërkuar një kontratë pune në një strukturë shëndetësore gjermane. Nëse më shkon mbarë do të marr edhe familjen time, prindërit dhe vëllain dhe nuk do të kthehem në Shqipëri. Nëse nuk më shkon, mbarë do të kthehm dhe me dijet e përvojën e fituar dhe do të ngre një laborator analizash bio-kimike” tregon Aurora planet e saj.

Albanien Medizinstudenten Aurora Likani
Aurora Likani Fotografi: DW/A. Ruci

Dua të kontriboj për vendin tim

Ndryshe nga ajo është projektuar Romina Berellari nga Tirana.  Ajo është diplomuar në mjekësi në Universitetin Katolik italian „Zoja e Këshillit të Mirë”, diploma e të cilit njihet në Itali dhe në të gjitha vendet anëtare të BE-së. " Kam bërë specializim në Itali por nuk kam mbetur e kënaqur. Teknologjia është më e përparuar se në Shqipëri por mjeku specializant ngarkohet edhe me përgjegjësi të tjera dhe ka pagën shumë të ulët, 1.200 euro. Dua të shkoj në Gjermani dhe të specializohem për mjeke dermatologe ose kirurge. Familja do të më mbështesë financiarisht. Pasi të specializohem dua të kthehem në Shqipëri, të kontriboj këtu, në vendin tim".

Albanien Medizinstudenten Romina Berellari
Romina BerellariFotografi: DW/A. Ruci

Në Gjermani në mënyrë të ligjshme

Edhe Johan Haviari nga Tirana është diplomuar në Universitetin Katolik „Zoja e Këshillit të Mirë" dhe ka studiuar atje për 6 vjet. "Prindërit e mi kanë bërë një sakrificë të jashtëzakonshme duke paguar një tarifë prej 4. 500 eurosh për çdo vit akademik. Kur isha student vajta tre muaj në  Këln dhe më pëlqeu shumë mjedisi i punës dhe sjellja e mjekëve. Pres të jap provimin e gjuhës në janar dhe të aplikoj për të bërë specializimin në kirurgji të përgjithshme në Këln. Për mua sistemi shëndetësor në Shqipëri është i pareformuar. Nëse bën specializim duhet të punosh 10 orë në ditë, edhe të shtunave, me një page prej 270 euro në muaj, të paguash edhe 1000 euro në vit tarifë për specializimin. Pas specializimit, Ministria e Shëndetësisë, të cakton vendin e punës. Nëse nuk shkon, të hedhin në gjyq. Funksionon ende nepotizmi, lidhjet familiatre dhe miqësore, gjë që është një problem i madh.  E kam vendosur të shkoj në Gjermani dhe të specializohem për kirurgji të përgjithshme. Dua të jetoj dhe punoj në Gjermani në mënyrë të ligjshme. Në Shqipëri ndofta kthehem pas 20 vitesh, ndofta jo” - thotë Johani.

Albanien Medizinstudenten Johan Habiari
Johan HaviariFotografi: DW/A. Ruci

Dukuri pozitive?

Qeveria e Tiranës e konsideron dukuri pozitive emigrimin e ligjshëm të rinisë së shkolluar në universitetet vendase. Dija dhe përvoja e tyre në vende në avanguardë si Gjermania i vlen zhvillimit të vendit, nëse një pjesë e tyre do të kthehet. Nga ana tjetër ky emigrim frenon emigrimn e parregullt dhe azil kërkimin, që mbetet ende problem.

 

 

Ani Ruci Korrespondente nga Tirana