1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Gjermani: Të drejtat e fëmijëve në kushtetutë? Ende jo ...

11 Qershor 2021

Gjermani: Në fillim të 2021 u duk sikur ndryshimet kushtetuese për të drejtat e fëmijëve do të realizoheshin shpejt. Por bisedimet përfunduan pa sukses. Të gjithë janë të zhgënjyer, partitë fajësojnë njera-tjetrën.

https://p.dw.com/p/3ujdK
Deutschland Fototermin anlässlich des Weltkindertags 2020 in Berlin
Aksion sensibilizues i UNICEF Deutschland: "Të drejtat e fëmijëve krijojnë të ardhmen"Fotografi: Frederic Kern/Geisler-Fotopress/picture alliance

Ndërhyrjet në Ligjin Themelor, siç quhet kushtetuta gjermane, nuk janë kurrë të thjeshta. Edhe për faktin se ato duhet të aprovohen nga dy të tretat e deputetëve. Ishte e qartë që qeveria gjermane nuk e ka një shumicë të tillë në parlament: Kur të drejtat e fëmijëve duhet të përfshihen në mënyrë eksplicite në Kushtetutë, duhet të merren edhe vota nga opozita. Në janar koalicioni qeveritar prezanzoi një tekst, i cili duhet të futet në nenin 6 të kushtetutës. Në të thuhet: "Të drejtat kushtetuese të fëmijëve së bashku me të drejtën e tyre për zhvillimin e një personaliteti të pavarur, duhen respektuar dhe mbrojtur. E mira për fëmijën duhet marrë parasysh si duhet. E drejta kushtetuese e fëmijëve duhet dëgjuar, duhet respektuar. Përgjegësia kryesore që kanë prindërit mbetet e paprekur."

Në këtë mënyrë qeveria gjermane donte të përmbushte premtimin e bërë në paktin e koalicionit në vitin 2017. Por për këtë duhet të bindet edhe opozita. Meqenëse me përjashtim të Alternativës për Gjermaninë (AfD), asnjë parti tjetër nuk është parimisht kundër futjes së të drejtave të fëmijëve në Kushtetutë, atyre që merren me këtë punë iu errën sytë nga optimizmi. Edhe koha dukej sikur ishte e përshtatshme, sepse gjatë periudhës së pandemisë fëmijët janë duke vuajtur shumë në gjithë botën. Dhënia e më shumë të drejtave fëmijëve nëpërmjet ndryshimit kushtetues, do kishte qenë për shumë vetë sinjali i duhur. Sipas motos: E kuptuam!

Partitë ia hedhin fajin e dështimit njëra-tjetrës

Por të vegjëlve dhe më nevojtarëve për mbrojtje do u duhet tani të presin. Sepse kompromisi i vendosur midis partive që përfaqësohen në parlament, nuk pati sukses pas zhvillimit të bisedimeve të tjera. Pjesëmarrësit ia hedhin fajin për këtë njeri-tjetrit. Ministrja e Drejtësisë Christine Lambrecht (SPD), e cila mban në mënyrë komisare edhe postin e ministres së Familjes, ia hodhi fajin partnerëve të koalicionit, kristiandemokratëve dhe kristiansocialëve si dhe opozitës. Kurse këta nga ana e tyre tregojnë me gisht nga socialdemokratja.

Deutschland Christine Lambrecht Deutscher Bundestag in Berlin
Ministrja e Drejtësisë, Christine Lambrecht kritikon Unionin për dështimin dhe opozitënFotografi: Frederic Kern/Geisler-Fotopress/picture alliance

Aleanca e Aksionit për të drejtat e fëmijëve është shumë e zhgënjyer nga mungesa e aftësisë për të arritur kompromise në politikë. Bisedimet e dështuara janë „amortizues të hidhur për fëmijët, të rinjtë dhe familjet e vendit tonë, që kanë pasur shumë pak përkrahje muajt e fundit". Pandemia e Coronës tregoi qartë „se fëmijët shpesh anashkalohen". Organizatat e përfaqësuara në Aleancën e Aksionit për të drejtat e fëmijëve, Shoqata në ndihmë të fëmijëve, Lidhja për mbrojtjen e fëmijëve, UNICEF- seksioni gjerman, Liga gjermane për fëmijën i drejtuan një apel landeve dhe federatës që të vazhdojnë të punojnë për të gjetur një zgjidhje për të futur të drejtat e fëmijëve në kushtetutë. „Nevojitet një formulim i qartë dhe i fortë për të drejtat e fëmijëve, që vlejnë për shtetin pavarësisht të drejtave të prindërve."

Konventa e OKB-së për të drejtat e fëmijëve si pikë referimi

Si pikë e rëndësishme referimi vlen Konventa e OKB për të drejtat e fëmijëve e vendosur më 1989: "Në të gjitha masat që merret për fëmijët, si në institucionet publike ashtu dhe në ato private të kujdesit social, gjykata, administrata ose organe ligjëvënëse, e mira e fëmijës është një pikë e cila duhet parë me prioritet.

Gjermania e ka ratifikuar në vitin 1992 konventën e OKB-së për të drejtat e fëmijëve. Por as sot, pas 30 vitesh nuk ekziston një nen më vete në kushtetutë që t‘u kushtohet të drejtave të fëmijëve.

TABLEAU | Deutschland  | Coronavirus dritte Welle | Kinder in Kita, Kindergarten
Pandemia tregoi, se fëmijët anashkalohen, thotë Aleanca e aksionit për të drejtat e fëmijëveFotografi: Leon Kuegeler/REUTERS

Formula e kompromisit të propozuar tani ishte sipas pikëpamjes së organizatave për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve, e dobët. Në një diskutim të parlamentit në mes të muajit maj, Aleanca për të Drejtat e Fëmijëve paralajmëroi për rreziqet e bërjes së „politikës simbolike". Ajo që duhet është një nen më vete në kushtetutë për të drejtat e fëmijëve, „të cilat duhet të vlejnë pavarësisht të drejtave të prindërve ndaj shtetit."

Vetëm kështu mund të arrihet krijimi i kushteve të jetës në përputhje me të drejtat e fëmijëve dhe shanse më të mira për zhvillimin e gjithë fëmijëve, forcimi i të drejtave të tyre dhe pjesëmarrja e fëmijëve në vendimet që kanë të bëjnë me ta. Praktikisht mendohet që fëmijët të marrin pjesë në vendime si në sheshin e lojrave, edhe në pikën e furnizimit të makinës me karburant, ose nëse duhet ngritur një rrugë përreth pallateve ku jetojnë. „Sepse pjesëmarrja e fëmijëve dhe të rinjve është vlerë qendrore e shoqërisë demokratike."