1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Gjermania nuk favorizon ndonjë obsion të statusit të Kosovës

Bekim Shehu9 Nëntor 2005

Drejtori politik në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Gjermanisë, Michael Schefer, i cili përfaqëson Gjermaninë në Grupin e Kontaktit është duke qëndruar në Prishtinë ku po takohet me udhëheqësit e institucioneve të Kosovës.

https://p.dw.com/p/Aqhr
Angela Merkel në Kosovë
Angela Merkel në KosovëFotografi: AP

Qeveria gjermane tash për tash nuk favorizon asnjë obsion për Kosovën përderisa akoma nuk kanë filluar bisedimet në mes palës serbe dhe asaj shqiptare për përcaktimin e stausit të Kosovës. Mirëpo, zgjidhja më e mirë për Kosovën do të ishte ajo zgjidhje që garanton stabilitet në rajonin e ballkanit.

Kështu deklaroi në Prishtinë, drejtori politik në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Gjermanisë, Michael Schefer, i cili përfaqëson Gjermaninë në Grupin e Kontaktit. Michael Schefer, po zhvillon biseda në Prishtinë, me udhëheqësit e institucioneve të Kosovës vetëm pak ditë pas emërimit të Marti Ahtisarit si kryenegociator ndërkombëtar në bisedimet për statusin. Ai fillimin e bisedimeve për statusin e cilëson një proces shumë të rëndësishëm ndërsa edhe më të rëndësishëm e cilëson mundësinë e arritjes së ndonjë marrëveshje në mës pales serbe dhe asaj shqiptare.

"Grupi i Kontaktit nuk favorizon ndonjë solucion të posaçëm. Ne e kemi bërë të qartë e mbështesim fuqishëm dhe qëndrojmë prapa kryenegociatorit ndërkombëtar, Marti Ahtisari. Ai do dëgjojë qëndrimet e të dy palëve dhe në linjën e këtyre qëndrimeve nga të dyja palët atëherë do të shofim se si do të vazhdohet", tha Michael Schefer. Ai tha se, procesi i zgjidhjes së statusit të Kosovës është shumë i komplikuar, mirëpo shpreson që kryenegociatori ndërkombëtar, Marti Ahtisari, do të gjejë ndonjë zgjidhje që do të pranohet nga të dyja palët.

"Në dëshirojmë të shohim nëse është e mundur që të arrihet ndonjë zgjidhje që del nga negociatat dhe kjo do të thotë se të dyja palët duhet të arrijnë compromise. Në këtë linjë Grupi i Kontaktit do të jetë i kënaqur dhe do të pranojë cdo zgjidhje që del nga marrëveshja dhe që pranohet nga qytetarët e Kosovës, e theksojë nga qytetarët e Kosovës, mirëpo këtu duhet nënkuptuar edhe popullatën pakicë në vecanti", tha Michale Schefer. Ai tha se Gjermania tash për tash, nuk favorizon ndonjë obsion të zgjidhjes së statusit. Opsioni më i mirë është ajo zgjidhje që garanton stabilitet në rajon.