1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Gjermania: Nuk do të ketë shtyrje tjetër të statusit

1 Nëntor 2007

Volker Stanzel, deklaroi në Prishtinë se nuk do të ketë shtyrje tjetër të statusit të Kosovës pas datës 10 dhjetor. Qeveria gjermane shpreson që gjatë kësaj kohe të gjendet një zgjidhje e pranueshme nga të gjithë.

https://p.dw.com/p/C09D
Ministria e jashtme gjermane, Berlin
Ministria e jashtme gjermane, BerlinFotografi: dpa Zentralbild

Drejtori politik në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Gjermanisë Volker Stanzel, tha në Prishtinë, se data 10 dhjetor do të jetë data e fundit e bisedimeve shtesë për zgjidhjen e statusit të Kosovës. Ai tha se nuk do të ketë shtyrje tjetër të zgjidhjes së statusit, ndërsa shpreson se gjatë kësaj kohe të mbetur të negociatave të gjendet një zgjidhje për Kosovën e pranueshme nga të dyja palët, ajo shqiptare dhe serbe. Këto deklarata Volker Stanzel, i bëri gjatë një vizite që po realizon në Kosovë me takime me udhëheqësit kryesor politik kosovarë.

”Situata në Kosovë dhe marrëdhëniet Kosovë-Serbi janë një problem e shqetësues për Gjermaninë. Për qeverinë gjermane është shumë e rëdësishme që deri më 10 dhjetor palët të afrojnë qëndrimet dhe të mund të gjendet një zgjidhje e pranueshme nga të dyja palët,” thotë Volker Stanzel. Ai tha se, “nëse deri më 10 dhjetor nuk do të gjendet një zgjidhje atëherë mbetet të shihet se si do të veprohet më pas nga Bashkimi Evropian.”

”Nuk do të ketë shtyrje tjetër pas datës 10 dhjetor. Ne mendojmë se nuk është e domosdoshme që të kemi një mrekulli në emër të egociatave dhe të kemi marrëveshje, por ne themi se është e mundur që të ketë një marrëveshje. Mirëpo, nëse shihet se kjo nuk është e mundur atëherë, data 10 dhjetor duhet të jetë datë vendimtare,” thotë Volker Stanzel.

Udhëheqësit kosovarë thanë se Gjermania është një ndër shtetet me më ndikim në BE-së dhe në këtë linjë ata shpresojnë se qeveria Gjermane do ta njohë pavarësinë e Kosovës, sepse parlamenti i Kosovës është i vendosur që të marrë një vendim pas datës 10 dhjetor.

Drejtori politik në Ministrinë e Punëve te Jashtme të Gjermanisë, Volker Stanzel, nuk pranoi të thotë nëse qeveria Gjermane tashmë ka marrë vendim që ta njohë pavarësinë e Kosovës pas datës 10 dhjetor në mungesë të një marëveshje ndërmjet palëve.