Gjermania nuk është e gatshme për kthesën! | FOKUS | DW | 18.09.2005
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

FOKUS

Gjermania nuk është e gatshme për kthesën!

Rezultati i zgjedhjeve parlamentare të 18 shtatorit në Gjermani është befasues: ndryshe nga ç´parashikonin demoskopët gjatë javëve të fundit, zgjedhësit nuk votuan për ndryshimin e qeverisë

Garë fituesish

Garë fituesish

Partitë e unionit konservator nuk fituan vota shtesë, përkundrazi ato kanë humbur kundrejt zgjedhjeve të mëparshme. Por edhe qeveria e socialdemokratëve dhe ekologjistëve nuk ka më mazhorancën. Pas këtyre zgjedhjeve vetëm një gjë është e qartë: Gjermania nuk është e gatshme për kthesën. Kjo është e keqja më e madhe që mund të mendohet për qeverinë e ardhshme.

Kancelari Gerhard Shrëder donte konfirmim për të vazhduar kursin e tij të reformave - ai e mori këtë. Qeveria e socialdemokratëve dhe ekologjistëve nuk u rizgjodh, pavarësisht nga rrethanat në të cilat u zhvilluan këto zgjedhje dhe nisur nga rezultati i ngushtë por në favor të socialdemokratëve, mund të thuash se kjo ndodhi falë angazhimit personal të Gerhard Shrëderit.

Kryetarja e kristjandemokratëve Angela Merkel donte një mandat të qartë për më shumë, për reforma edhe më radikale, ajo nuk e mori këtë. Shumica e arritur nuk mjafton për të krijuar koalicionin e dëshiruar prej saj me liberalët. Edhe nëse Angela Merkel do të mund të jetë kryeministrja e parë e Gjermanisë, epërsia kundrejt socialdemokratëve është mjaft e ngushtë.

Koalicioni i madh midis dy partive të mëdha socialdemokratëve dhe kristjandemokratëve nuk është dhe nuk mund të jetë zgjidhja optimale. Pasi kemi të bëjmë, me një parti kristjandemokrate e dobësuar dhe një kancelar socialdemokrat, që sërish pretendon të qeverisë, edhe pse politika e tij çoi në përçarjen e së majtës në Gjermani dhe partia e tij ndodhet në një gjendje keqe si asnjëherë tjetër. Në kushte të tilla punët nuk mund të ecin mirë. Megjithatë një koalicion i madh është në situatën aktuale zgjidhja më e mirë, sepse kjo është e vetmja zgjidhje e realizueshme për Gjermaninë.

Socialdemokratët, ekologjistët dhe një aleancë e këtyre dy partive me partinë e majtë as që çohet nëpërmend. As që mendohet të ketë një front popullor të një së majte të ribashkuar, ashtu siç ëndërrojnë të majtët e vjetër. Të gjelbërit ndodhen shumë larg qendrës së shoqërisë, hendeku mes socialdemokratëve dhe partisë së majtë është shumë i thellë, dhe cënimet personale të bëra reciprokisht nga drejtuesit e partive janë mjaft të rënda.

Po aq i pamundur është edhe i ashtuquajturi koalicioni Xhamajka i përbërë nga unioni konservator, liberalët dhe ekologjistët. Një aleancë e tillë që me kolorin e shtetit të Karaibeve do të kishte një farë sharmi, nuk ka asnjë shans për t´u bërë realitet. Edhe pse partitë nuk janë shumë larg njëra-tjetër në çështjet e të drejtave të qytetarëve, edhe pse kristjandemokratët i janë afruar shoqërisë në shekullin e 21, të gjelbërit nuk mund të pajtohen me një koalicion të tillë, të paktën tani për tani. Partia ekologjike e ka ruajtur stabël rezultatin e zgjedhjeve, sepse ajo i ka qëndruar besnike vetvetes, ndaj mund të jetojë mirë edhe në opozitë.

Mbetet opcioni i një koalicioni të ashtuquajtur semafor për shkak të ngjyrave: të kuq, të gjelbër dhe të verdhë, pra socialdemokratët, ekologjistët dhe liberalët. Ndonëse një koalicion i tillë do të kishte shumicën në Bundestag, ai nuk do të ishte i qëndrueshëm. Rezervat e fraksionit parlamentar të të gjelbërve janë shumë të mëdha, madje kryesia e partisë është shprehur shpesh herë kundër një aleance të tillë qeveritare. Nga ana tjetër liberalët kanë dalë me një deklaratë të qartë lidhur me opcionin e koalicionit mes tyre, krisjtandemokratëve dhe ekologjistëve. Në një rast të tillë liberalët, si partia që doli e forcuar nga këto zgjedhje do të humbisnin pas një viti, në rast se ashtu si edhe dy herë të tjera në historinë e pasluftës do të ndryshonin kampin politik. Liberalët do të mund të profilizohen shumë më mirë në opozitë, ndaj do të preferojnë t´ia lënë kohës, tek e fundit s´është nevoja të jesh profet për të parashikuar që një koalicion i madh nuk do ta ketë jetën e gjatë.

Unioni kristjandemokrat dhe socialdemokratët duhet të krijojnë një qeveri të përbashkët. Por pavarësisht nga mazhoranca në Bundestag hapësira e veprimit do të ishte mjaft e vogël. Në dhomën e ulët të parlamentit, në këshillin federal, Bundesrat, kjo aleancë do të ketë një shumicë me një votë, nëse të gjitha landet e qeverisura prej krisjtandemokratëve do të votojnë gjithnjë për qeverinë. Por kjo duket e pamundur, po të kemi parasysh kaq shumë kryeministrat ambicjozë nga kristjanëdemokratët në lande, të cilët në luftën elektorale i garantuan mbështetje të pakufizuar kandidates së tyre për kancelare.

Nga ana tjetër socialdemokratët do të përballeshin herë me domosdoshmërinë për një punë pragmatike qeveritare dhe herë me një opozitë të fortë brendapartiake të opozitës së majtë. Fakti që pikërisht Gerhard Shrëderi ka shpallur pretendimin për të drejtuar qeverinë si kancelar i socialdemokratëve në një situatë të tillë, i afrohet marrëzisë. Ishte pikërisht ai që kërkoi zgjedhje të parakohshme për t´i shpëtuar këtyre raporteve.

Ka shumë gjasa që kristjandemokratët dhe socialdemokratët të ndryshojnë personelin drejtues, në mënyrë që të mund të krijohet koalicioni i madh. Por ka shumë mundësi edhe që Gjermania shumë shpejt të ketë sërish zgjedhje të reja.

  • Data 18.09.2005
  • Autor Koment / Uta Tofern
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Aqih
  • Data 18.09.2005
  • Autor Koment / Uta Tofern
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Aqih