Gjermania mbështet përpjekjet e OSBE-së dhe kryetarit të saj të radhës për Bjellorusinë | Ballkani | DW | 18.09.2020
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages
Reklamë

Ballkani

Gjermania mbështet përpjekjet e OSBE-së dhe kryetarit të saj të radhës për Bjellorusinë

Gjermania mbështet përpjekjet e OSBE-së dhe kryetarit të saj të radhës për Bjellorusinë. Por nëse Shqipëria merr këtë vit një datë për konferencën e parë ndërqeveritare me BE-në nuk është e sigurt.

"Qeveria gjermane i mbështet shprehimisht përpjekjet e OSBE-së dhe kryetarit të saj të radhës, Edi Rama, për të zhvilluar bisedime në Bjellorusi" - iu përgjigj në konferencën e rregullt për shtyp zëdhënësi i qeverisë gjermane, Steffen Seibert, pyetjes së DW se a nuk do të ishte Rama, si kryetar i radhës së OSBE-së, një bashkëbisedues i rëndësishëm për Merkelin, aktualisht kryetare e radhës e BE-së, për zgjidhjen e krizës në Bjellorusi.

Lobim për hapjen e negociatave me BE-në

Burime të Deutsche Welles bëjnë të ditur se gjatë një vizitë dyditore në Gjermani Rama u takua të enjten (17.09) në mbrëmje në një darkë me një grup parlamentarësh nga Bundestagu Gjerman. I pranishëm ka qenë edhe kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste në Kuvendin e Shqipërisë. Taulant Balla, i cili është edhe kryetar i Shoqatës Parlamentare të Miqësisë Shqipëri-Gjermani.

Sipas qarqeve ne Berlin, Rama ndodhet në Gjermani për të lobuar te grupi parlamentar më i madh në Bundestag, CDU/CSU, për t'i dhënë Shqipërisë po-në e hapjes së konferencës së parë ndërqeveritare për hapjen e negociatave me BE-në. Por siç mësoi DW nga qarqet parlamentare pranë CDU/CSU, në takim nuk merrte pjesë as kryetari i grupit parlamentar të Ballkanit Perëndimor nga partia CDU/CSU, Johann Wadephul, dhe as kryetari i Komisionit për BE në Bundestag, Günther Krichbaum. 

Ende shumë punë

Në një konferencë të Institutit Aspen në Berlin, të zhvilluar po të enjten (17.09.) si dhe në një konferencë të mëparshme të zhvilluar javën e kaluar në Fondacionin Konrad Adenauer në Berlin, të dyja me rregulla “chattam house”,  ka dalë në pah, se deri tani vendet e zakonshme skeptike të BE-së, ndër to edhe Gjermania, nuk janë bindur ende se Shqipëria e meriton çeljen e konferencës së parë ndërqeveritare.

Dy pikat më delikate në argumentimin e skeptikëve nga Gjermania janë: ligji anti shpifje dhe ndryshimet që iu bënë marrëveshjes për ligjin elektoral në parlament, vetëm disa ditë pasi palët, opozita dhe qeveria, ishin dakorduar pas ndërhyrjeve të diplomatëve perëndimorë në Shqipëri. "Do të duhet shumë punë diplomatike dhe politike deri sa të vijë dita e hapjes së konferencës së parë ndërqeveritare", thonë skeptikët në Berlin.

S'ka pasur takim Rama - Merkel

Kohët e fundit Shqipëria është lëvduar nga qeveria gjermane për angazhimin e saj për të ndërmjetësuar në konfliktin e Bjellorusisë. Por, ndryshe nga ç'ishte raportuar më parë nga disa mediume të Tiranës gjatë vizitës në Berlin Rama nuk ka pasur takim apo telefonatë me kancelaren Angela Merkel, i thanë DW-së burime diplomatike nga Berlini.