1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Gjermania do të dërgojë trupa shtesë në Lituani

7 Shkurt 2022

Ministrja gjermane e Mbrojtjes Christine Lambrecht tha se forca shtesë do të vendosen në Lituani përballë tensioneve rajonale me Rusinë.

https://p.dw.com/p/46eCZ
Christine Lambrecht Besuch NATO EFP Battalion
Fotografi: Petras Malukas/AFP/Getty Images

Gjermania do të dërgojë trupa shtesë "brenda disa ditësh" në Lituani, tha të hënën ministrja gjermane e Mbrojtjes Christine Lambrecht, në një kohë kur përqendrimi ushtarak i Rusisë pranë Ukrainës po intensifikohet.

"Ne po forcojmë kështu kontributin tonë të trupave në krahun lindor të NATO-s dhe po japim një shenjë të qartë të vendosmërisë sonë për aleatët tanë," tha Lambrechti.

Ajo shtoi se Berlini dëshiron t'u dërgojë aleatëve mesazhin: "Mund të mbështeteni tek ne".

Si e ndihmon Gjermania ushtarakisht Lituaninë?

Lambrecht foli për kontributin e Gjermanisë në mbrojtjen e Lituanisë në një intervistë të publikuar nga grupi mediatik Funke të dielën.

"Ne (Gjermania) po japim tashmë një kontribut shumë të rëndësishëm në Lituani, ku jemi i vetmi vend në Bashkimin Evropian me një njësi të përzierë beteje," tha Lambrechti.

Këto njësi beteje të NATO-s, të udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara, Gjermania, Kanadaja dhe Britania, kanë për qëllim të vonojnë një sulm në rajon dhe të lejojnë trupat shtesë të NATO-s të arrijnë në linjë.

Lambrecht kishte thënë më parë se Eurofighters do të vendosen në Rumani për vëzhgim ajror. Ministrja e vizitoi Lituaninë në udhëtimin e saj të parë jashtë vendit në dhjetor.

Pesë vitet e fundit, Gjermania ka qenë vendi kryesor pjesëmarrës në operacionin e NATO-s në Lituani, duke siguruar rreth gjysmën e 1200 anëtarësve të njësisë shumëkombëshe.

Lambrecht mbron qëndrimin e Gjermanisë për armatosjen e Ukrainës

Lambrecht gjithashtu mbrojti kohët e fundit refuzimin e Gjermanisë për të furnizuar me armë Kievin, pasi ambasada e Ukrainës në Gjermani i dërgoi një listë kërkesash ministrive të jashtme dhe të mbrojtjes në Berlin.

Kjo listë përfshinte sisteme të mbrojtjes raketore, mjete të luftës elektronike, syze të shikimit natën, radit digjitale, stacione radarësh dhe ambulanca ushtarake.

"Ka qenë një qëndrim i qartë i qeverisë federale për një kohë të gjatë, madje edhe në legjislaturat e mëparshme, që ne të mos dërgojmë armë në zonat e krizës në mënyrë që të mos shkaktojmë përshkallëzim të mëtejshëm atje," tha ajo.

"Në konfliktin me Ukrainën, ne kemi partnerë negociues që janë rikthyer në tryezën e bisedimeve... Kjo është arsyeja pse tani është detyra jonë të shtensionojmë. Ne duam ta zgjidhim këtë konflikt në mënyrë paqësore," tha Lambrecht-i.

Nisja e kancelarit gjerman Olaf Scholz për në Uashington të dielën shënon fillimin e një ofensive diplomatike që synon zbutjen e tensioneve me Rusinë.

Në një intervistë televizive të mërkurën, Scholz-i tha se aleatët e Gjermanisë "e dinë saktësisht" se cili është pozicioni i Berlinit.

Christine Lambrecht
Fotografi: Thomas Frey/dpa/picture alliance

Scholzi gjithashtu pritet të mirëpresë krerët e shteteve dhe qeverive të shteteve baltike në Berlin të enjten dhe të fokusojë diskutimet në krizën rreth Ukrainës dhe situatën e sigurisë në Evropën Lindore. Më 14 dhe 15 shkurt, kancelari gjerman do të vizitojë Kievin dhe Moskën.

Moska ka mohuar se dëshiron të pushtojë Ukrainën, por ka mbledhur dhjetëra mijëra trupa pranë kufijve të fqinjit të saj.

Në përgjigje të fuqisë në rritje të Rusisë, Uashingtoni urdhëroi dërgimin e rreth 3000 trupave shtesë për të forcuar krahun lindor të NATO-s në Poloni dhe Rumani.

Ushtarët e parë amerikanë arritën në bazën ushtarake Rzeszow në Poloninë juglindore të shtunën.

Imazhe satelitore të publikuara

Maxar Technologies, një kompani private amerikane, publikoi të dielën imazhe satelitore që tregojnë detaje të manovrave ushtarake në kufirin Bjellorusi me Ukrainën.

Imazhet tregojnë se njësitë ushtarake të armatosura me raketa, raketahedhës të shumtë dhe avionë sulmues janë vendosur në Bjellorusi në tre lokacione pranë kufirit me Ukrainën.

Rusia dhe Bjellorusia kanë thënë se do të zhvillojnë stërvitje të përbashkëta nga 10-20 shkurt për të praktikuar parandalimin e një sulmi në kufijtë jugorë të aleancës së tyre.

Një zgjidhje diplomatike ka më shumë gjasa se sulmi rus, thotë Ukraina

Zyrtarë të lartë u kanë thënë ligjvënësve amerikanë se një pushtim rus në shkallë të gjerë mund të vrasë deri në 50000 civilë dhe të shkaktojë një krizë refugjatësh në Evropë, raportoi të shtunën The New York Times.

Presidenca e Ukrainës, megjithatë, theksoi të dielën se mundësia për të zgjidhur tensionet e përshkallëzuara me Rusinë përmes diplomacisë mbetet më e madhe se ajo e një sulmi.

"Një vlerësim i sinqertë i situatës sugjeron se mundësia për të gjetur një zgjidhje diplomatike për shtensionimin e situatës është ende shumë më e lartë se kërcënimi i përshkallëzimit të mëtejshëm," tha në një deklaratë këshilltari i presidencës Mykhailo Podolyak.

NATO ka vendosur tashmë katër njësi luftarake shumëkombëshe me rreth 5000 trupa gjithsej në Poloni, Lituani, Letoni dhe Estoni. Ata janë vendosur në përgjigje të aneksimit të rajonit të Krimesë nga Rusia nga Ukraina në vitin 2014.

mvb/wd (dpa, Reuters)