1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Gjermania do të vazhdojë të marrë pjesë në operacionin "Enduring Freedom"

Nina Werkhäuser 9 Nëntor 2007

U zhvillua seanca e parë dëgjimore në palamentin gjerman për zgjatjen e mandatit të trupave në Afganistan. Me votat e dy partive në pushtet duket se shumica do të arrihet.

https://p.dw.com/p/C5gI
Ministri gjerman i mbrojtjes Franc Jozef Jung gjatë debatit në Bundestag mbi misionin "Enduring Freedom"Fotografi: AP

Të enjten në parlamentin gjerman është debatuar mbi zgjatjen e misionit të ushtrisë gjermane në kuadër të operacionit "Enduring Freedom". Votimi në parlament do të mbahet në 15 nëntor. Të mërkurën koalicioni qeveritar mes kristiandemokratëve/kristiansocialëve dhe socialdemokratëve vendosën në kabinet zgjatjen e misionit.

Edhe pse Gjermania jep vetëm një kontribut të vogël ushtarak, qeveria gjermane vazhdon t'a konsiderojë të domosdoshëm operacionin "Enduring Freedom". Përsa kohë në Afganistan ka ende atentate dhe akte terroriste ky mision është i nevojshëm tha ministri gjerman i mbrojtjes Franc Josef Jung.

"Ky mandat i shërben edhe sigurisë së popullit gjerman pasi është shumë më inteligjente të mposhtësh rrezikun direkt në burimin e tij përpara se ai të arrijë Gjermaninë."

Operacioni "Enduring Freedom" nisi pas atentateve të 11 shtatorit 2001. Qeveria e atëhershme gjermane i premtoi SHBA mbështetje ushtaraje dhe dërgoi me intervale kohore forca speciale në Afganistan. Aktualisht nuk ka ushtarë gjermanë me këtë mandat në Afganistan por qeveria gjermane dëshëron t'a mbajë të hapur këtë opsion. Një pjesë e opozitës nuk tregon aspak mirëkuptim për këtë vendim. Pas 11 shtatorit misioni ishte i përligjur, tha Vinfrid Nahtvaj i partisë së gjelbër gjermane, por ndërkohë ai është kundër-produktiv.

"Efektiviteti i vërtetë i operacionit anti-terror "Enduring Freedom" është tepër kontradiktor. Fitore ushtarake ka pa mbarim por në të njëjtën kohë, dhe ky është mesazhi që dëgjojmë vazhdimisht nga Afganistani, humbasim koka dhe zemra të popullit."

Fjala është për numrin e lartë të viktimave që shkojnë në llogari të operacionit, kritikojnë të gjelbrit dhe të majtët. Ministri i jashtëm gjerman Frank-Valter Shtajnmajer iu përgjigj kritikës duke shpjeguar se qeveria gjermane është angazhuar pranë aleatëve për ndryshim të rregullave të misionit.

"Ushtarët janë udhëzuar tani shprehimisht që gjatë misioneve të tregojnë kujdes ndaj popullsisë civile dhe traditave kulturore. Dhënia e urdhërave ka në qendër të vëmendjes shmangien e viktimave dhe natyrisht ajo duhet zbatuar me konseguencë."

80 për qind e ushtarëve merren me stërvitjen e ushtrisë afganase, tha Shtajnmajer. Oskar Lafonten, kryetari i grupit parlamentar të të majtëve, nuk u bind nga argumenti i ministrit të jashtëm. Sipas Lafonten misioni bie ndesh me të drejtën ndërkombëtare.

"Lufta është dhe mbetet një mjet i gabuar. Do të ishte mirë të largoheshim nga kjo rrugë dhe t'i dedikoheshim politikës së jashtme të besueshme të Republikës Federale Gjermane, e cila ka qenë një tipar karakterizues për Gjermaninë."

Në debat u fol edhe për kontributin gjerman në operacionin "Enduring Freedom", angazhimin e një luftanijeje në Kepin e Afrikës. Për liberalen Birgit Homburger ngrihet pyetja:

"Për çfarë është fjala vërtet? Flasim për luftimin e terrorizmit apo mandati është zgjeruar deri në sigurimin e rrugëve tregtare? Unë pres që qeveria gjermane t'i diskutojë këto çështje edhe me partnerët nëse dëshëron që të ketë në të ardhmen mbështetje."

Edhe sigurimi i rrugëve detare është pjesë e luftës kundër terrorizmit ishte argumenti i qeverisë. Por ajo pranoi se mungesa e një mandati të OKB-së për operacionin mund të jetë problem në periudhë afatgjatë. Për këtë do të diskutohet me aleatët.