1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

"Gjermania dëshiron vend të përhershëm në Këshillin e Sigurimit" - Ministri i jashtëm në OKB

Daniel Sheshkevic29 Nëntor 2005

Gjatë vizitës në Nju Jork, ministri i jashtëm i Gjermanisë, Frank-Valter Shtajnmajer siguroi Sekretarin e Përgjithshëm, Kofi Anan, se Gjermania do të mbetet partnere e angazhuar dhe besnike e OKB-së. Sot Shtajnmajer takohet me Konodliza Rajs në Uashington

https://p.dw.com/p/AqsN
Frank-Valter Shtajnmajer & Kofi Anan
Frank-Valter Shtajnmajer & Kofi AnanFotografi: AP

Frank-Valter Shtajnmajer i transmetoi Kofi Ananit përshëndetjet e qeverisë së re dhe e siguroi atë për vazhdimësi në politikën e jashtme gjermane. "Ne mbetemi të angazhuar, sepse ne veprojmë dhe e orientojmë politikën e jashtme gjermane në traditën e parimeve multilaterale. E kjo jo vetëm në plan operativ si në misionet paqësore në Afganistan apo gjetkë, por edhe në planin përgatitor, si në rastin e konferencës së Petersbergut në Bon apo të konferencës ndërkombëtare për mbrojtjen nga katastrofat, që zhvillohet pranverën e ardhëshme."

Pjesë e vazhdimësisë në politikën e jashtme është, që edhe qeveria e re vazhdon t´i përmbahet pretendimit për një vend të perhershëm të Gjermanisë në Këshillin e Sigurimit të OKB-së. "Reforma e Këshillit të Sigurimit mbetet në rendin e ditës. Një ndër pikat e reformës është edhe zgjerimi i Këshillit të Sigurimit. Propozimi ynë qëndron i parashtruar në tryezë, sipas vlerësimit tonë ai ka edhe shanset më të mëdha për t´u pranuar me shumicë."

Qysh në fillim të dhjetorit do të mësohet, nëse propozimet konkurruese si p.sh. plani i vendeve afrikane do të kalojnë vërtetë për aprovim, vuri në dukje më tej Shtajnmajer. Ministri i jashtëm dhe Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së ranë dakord edhe për misionin e prokurorit gjerman Mehlis, i cili nën mandatin e OKB-së heton vrasjen e politikanit libanez Rafik Hariri. Sipas Shtajnmajerit lidhur me këtë çështje tani janë duke bashkëpunuar më mirë edhe autoritetet qeveritare siriane. Ai e siguroi Ananin, se Gjermania bashkë me Francën, Britaninë e Madhe dhe me mbështetjen nga SHBA po vazhdojnë të punojnë për një zgjidhje diplomatike të problemit, që ka dalë me programin bërthamor të Iranit.

Shtajnmajer dhe Anan folën edhe mbi shqetësimin e shkaktuar prej dyshimeve mbi transportet e të burgosurve të shërbimit sekret të SHBA, CIA në Evropë. Ministri i jashtëm: "Besoj, se ne do të bënim mirë që gjykimin e qeverisë t'a konsolidojmë mbi bazën e fakteve. Ju e dini, që jo vetëm në Gjermani, por pothuajse në të gjitha shtetet e tjera evropiane kanë krijuar shqetësim lajmet që po përhapen aktualisht kudo. Shqetësimin pothuajse të gjithë e kanë shprehur në të njëjtën mënyrë, por tani duhet të presim, nëse do të merret parasysh kërkesa për sqarime. Mendoj, se kjo çështje do të trajtohet me seriozitet në Uashington."

Pasi u takua edhe me përfaqësues të organizatave hebreje, Shtajnmajer u nis për në Uashington, ku ai sot për herë të parë do të takohet me homologen Kondoliza Rajs. Qeveria e Bushit, sipas medieve, fillimisht pati disa rezerva kundrejt Shtajnmajerit, sepse më parë ky ka qenë shef i kabinetit të kancelarit që u identifikua për qëndrimin e tij kritik kundrejt Amerikës lidhur me luftën e Irakut. Por Shtajnmajer takimin e parë në kontinentin amerikan e realizoi në stilin e një profesionisti, madje ai nuk u irritua aspak, kur gjatë pritjes në OKB, atë e fokusuan si guvernator të Gjermanisë Perëndimore.