Gjermania është e kthjellët në qëndrimin ndaj Kosovës | Ballkani | DW | 27.02.2007
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Gjermania është e kthjellët në qëndrimin ndaj Kosovës

Preç Zogaj ishte në Berlin, për të marrë pjesë në mbledhjen e kryetarëve të komisioneve të jashtme paralementare të 33 vendeve evropiane. Në mikrofonin e Deutsche Welles ai thotë

Pllakatë e presidencës gjermane në BE

Pllakatë e presidencës gjermane në BE

Deutsche Welle: Në mbledhjen e kryetarëve të komisionit në Berlin u diskutua në
një seancë të veçantë për planin e Ahtisaarit. Cila është përshtypja juaj nga kjo seancë?

Preç Zogaj: Përshtypja ime, është se pavarësisht se në pamje të parë, të gjitha
vendet e mbështesin dhe e vlerësojnë punën e madhe të Ahtisaarit, ato janë të
ndara, përsa i përket planit, që ai ka bërë gati për në Këshillin e Sigurimit. Disa ishin në favor të planit, disa ishin për vazhdimin e negociatave, kishte edhe vende që ishin kundër.

Deutsche Welle: Cilat ishin këto vende?

Preç Zogaj: Kundër ishte Serbia, dukej, ishte dhe përfaqësuesi i Greqisë,
megjithëse nuk u shpreh në mënyrë eksplicite për propozimet e Ahtisaarit, por ai
i mëshoi shumë vazhdimit të bisedimeve. Por, pikëpamja e vendeve nordike ishte,
se të insistosh pa fund për të kërkuar kompromisin, do të thotë të mos kërkosh
zgjidhje.

Deutsche Welle: A mendoni se problemi do të zgjidhet brenda mandatit Gjermanisë
si kryetare e radhës në BE?

Preç Zogaj: Vullneti i Gjermanisë duket mjaft pozitiv. U manifestua edhe në këtë
takim, është manifestuar dhe manifestohet edhe në qendrimet konstante të
Gjermanisë. Unë nuk mund të them, se do të zgjidhet brenda mandatit të
presidencës gjermane, por jam i bindur se brenda këtij afati, do jenë hedhur
hapa shumë të rëndësishëm përpara. E konsiderojmë fat, që Gjermania është kaq e
kthjellët në qëndrimin ndaj këtij problemi, dhe kaq objektive njëkohësisht.

Deutsche Welle: Në konferencë nuk merrnin pjesë përfaqësues nga Rusia, por si u
trajtua qendrimi i mundshëm i Rusisë?

Preç Zogaj: "Qendrimi i Rusisë u shfaq gati si një mister dhe ishte e çuditshme,
se u cituan të gjitha deklaratat që dalin nga Moska, edhe ato që janë optimiste,
në pikëpamjen tonë, edhe ato që janë pesimiste. Por, vetë Ahtisaari citoi
presidenin Putin, në një deklaratë të kohëve të fundit, që thotë se pavarësisht
objeksioneve që ka Rusia, ajo nuk është e thënë, që ajo do t'i kundërvihet
planit të Ahtisaarit. Edhe një deklaratë e tillë është bërë, sikurse ka të tjerë
që thonë me kompetencë, se Rusia do të vërë veton. Pra, e gjithë kjo, është e
paqartë."

Deutsche Welle: A ekziston rreziku, që shqiptarët të krijojnë probleme në
Maqedoni mbas pavarësimit të Kosovës?

Preç Zogaj: Jo, nuk ekziston ky rrezik, sepse siç u tha edhe sot nga shumë folës
dhe siç është edhe e vërteta, rasti i Kosovës është rast unik.

Deutsche Welle: Sa bindëse është garancia që Shqipëria nuk do të ndikojë në
nxitjen e dëshirës për një bashkim me Kosovën?

Preç Zogaj: Në të gjitha qendrimet tona i kemi mëshuar me forcë këtij momenti,
edhe në takimin e sotëm. Ne e shohim komunikimin me Kosovën në dritën e
perspektivës evropiane, jo në kuadër të bashkimit ose të ndryshimit të kufijve.

Deutsche Welle: T'i kthehemi pak politikës së brendshme në Shqipëri:
Kryeministri Berisha do të bëjë ndryshime në qeveri. Si e gjykoni ju këtë hap?

Preç Zogaj: Është konsekuenca logjike e zgjedhjeve lokale, në fakt, ndryshimet
ishin paralajmëruar më përpara, por zgjedhjet e kanë përforcuar argumentin për
ndryshime në qeveri, në funksion të një performance më të mirë të qeverisë dhe
në funksion të ritmeve më të shpejta për kalimin nga projektet tek realizimet,
por edhe për të bërë korrigjime të tjera, të cilat do të jenë objekti i gjithë
analizës që po zhvillohet dhe do të zhvillohet nga maxhoranca.

Deutsche Welle: Cilat kanë qenë shkaqet që, sipas jush, e bënë Partinë
Demokrate, të mos e rikonfirmonte dot fitoren e 2005-ës?

Preç Zogaj: Varet se si e lexon rezultatin, nga pikëpamja sasiore, ne kemi i
fituar votat. Por kemi humbur në qytete të mëdha. Shkaqet po analizohen. Për
mendimin tim, është një lloj ngadalësie, sidomos për kalimin e shpejtë nga
projektet, nga themelet tek realizime, dhe e dyta, ka të bëjë me raportin me
biznesin, me sipërmarrjen e lirë, e cila është vendosur kryesisht në qytetet e
mëdha. Unë mendoj, se në lidhje me marrëdhënien tonë me sipërmarrjen, ka një
problem, të cilin unë nuk e di, por ka një problem, që duhet ta zgjidhim.

Deutsche Welle: OSBE/ODIHR i kritikoi zgjedhjet, e i quajti zhgënjyese. Kur do
të zgjidhet problemi i ligjit elektoral në Shqipëri?

Preç Zogaj: Kam përshtypjen, se në vlerësimin e parë të Zotit Gruenet, i cili i
quajti "shans të humbur", jemi penalizuar më shumë se sa e meritojmë. Mendoj, se
në pikëpamje të vullnetit, në pikëpamje të realizimit të disa standardeve
substanciale këto ishin zgjedhje të mira. Nuk përjashtohet ndonjë episod. Këtu
çështjet janë tekniko-organizative, siç është ajo e çertifikatës, që ka
ndërlikuar mjaft proçesin. Natyrisht që menjëherë duhet filluar nga puna për të
zgjidhur këto probleme. Nuk mund të shkohet më në zgjedhje, siç shkuam kësaj
radhe apo edhe në 2005-ën, megjithë vullnetin e mirë. Zgjedhjet tona janë shumë
të mbingarkuara, të ndërlikuara, të vështira. Ngaqë nuk ka mirëbesim politik
kërkohen zgjidhje ekstra, se askush nuk i beson zgjidhjet e thjeshta: Për një
çertifikatë për shembull, ne kemi një nen ekstra, neni për çertifikatën, i cili
është sa gjysma e kushtetutës. Pse? Se nuk ka besim reciprok. Karta e
identitetit dhe regjistri kombëtar i zgjedhësve do ta zgjidhin këtë problem.
Janë dy angazhime që duhet t'i bëjmë sa më parë.


Deutsche Welle: Si Kryetar i Komisionit Parlamentar për Politikë të Jashtme, a
mendoni se diplomacia shqiptare e ka bërë punën e duhur për të përmirësuar
imazhin e Shqipërisë në botë?

Preç Zogaj: Besoj se po. Brenda mundësive që ka shërbimi i jashtëm diplomatik, i
cili është modest në pikëpamje të numrit të njerëzve që punojnë, por mendoj se
është efektiv në mjaft drejtime. Ne e kemi nënshkruar MSA dhe jemi duke ecur në
këtë trase që shtron marrëveshja, e cila ka pamjen e një kushtetute. Është
punuar, mendoj, mjaft mirë për Kosovën. Dhe kjo duket kudo, gjurmët e punës së
diplomacisë sonë për Kosovën janë kudo. Se Kosova nuk ka përfaqësues të
politikës së jashtme. Po punohet për integrimin në Nato, shpresojmë të marrim
ftesën e anëtarësimit në vitin 2008, por kjo do të varet edhe nga vlerësimi
përfundimtar për zgjedhjet e 18 shkurtit. Tani duhet ngulmuar më shumë sa i
përket investimeve.
  • Data 27.02.2007
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/ArYA
  • Data 27.02.2007
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/ArYA
Reklamë