Gjermani: Zgjedhjet Parlamentare - Flet për DW kandidatin i AfD Chrupalla | Gjermania | DW | 14.09.2021
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages
Reklamë

Gjermania

Gjermani: Zgjedhjet Parlamentare - Flet për DW kandidatin i AfD Chrupalla

AfD në Saksoni: Skaji i djathtë i Gjermanisë ka në lindje të vendit më shumë përkrahës. Kandidati kryesor i AfD-së Tino Chrupalla mund të fitojë sërish në zonën e tij elektorale në Oberlausitz.

Kur Tino Chrupalla shkon për në kryeqytetin e Gjermanisë në Berlin atij i duhet mbrojtje nga eskorta e policisë. Në kryeqytet shumë njerëz e shohin atë si kryetarin e një partie të ekstremit të djathtë, anëtarët e së cilës vazhdimisht bien në sy me afërsinë ndaj nacionalsocializmit dhe me relativizimin e tij si edhe nxisin armiqësi kundër emigrantëve me parrulla esktremiste.

Por kur Chrupalla është në Oberlausitz të Saksonisë atë e përshëndesin përzemërsisht duke shtrënguar durart madje edhe në kohën e pandemisë së koronavirusit. Në qytetin e tij ai nuk ka nevojë për mbrojtje nga policia. Këtu ai është si në shtëpinë e vet, ndërsa Berlini është i largët për të. Në zonën e tij elektorale Görlitz partia e tij AfD ai ka fituar 32 përqind të votave në zgjedhjet përpara katër vjetësh. Këtë sukses ai do ta përsërisë edhe në zgjedhjet e 26 shtatorit.

Löbau AfD-Spitzenkandidat Tino Chrupalla im Wahlkampf

Tino Chrupalla gjatë një veprimtarie elektorale në Löbau të Saksonisë

Në Oberlausitz Chrupalla, një mjeshtër i zejtarisë me firmën e tij për lyerje, lufton për njerëzit e thjeshtë, duke prekur me deklaratat e tij nervin e shumë njerëzve në këtë rajon. S'ka vend për refugjatët, s'ka gjuhë për barazi gjinore, as Black Lives Matter, as të drejta për  LGBTQI, gjendja në Afganistan dhe në Siri nuk intereson shumë ndokujt në Oberlausitz. "Politikanët në Berlin dhe në Drezden duhet më në fund të kujdesen edhe për popullin e tyre, përpara se t'i derdhin paratë në botën e jashtme", thotë Chrupalla.

Oberlausitz karakterizohet prej ndryshimeve. Pas fundit të Luftës së Dytë Botërore këtu erdhën refugjatët nga Lindja. Pas fundit të socializmit të RDGJ-së ekonomia u rrënua. Kjo pati si pasojë prishjen e solidaritetit social. Nënvleftësimi i njerëzve të tjerë, racizmi dhe smira sociale dominojnë kulturën e rinisë. Kjo spirale u përforcua edhe me largimin e të rinjve të kualifikuar nga kjo zonë. Kësisoj ky rajon është një ndër më dobëtit për nga struktura në Gjermani dhe është kthyer në epiqendër të AfD-së. Në prag të zgjedhjeve parlamentare të 26 shtatorit, DW ka intervistuar edhe kandidatin e AfD-së Tino Chrupalla lidhur me programin e kësaj partie në garën elektorale:

DW Interview BTW Tino Chrupalla l Making Of

Intervista televizive për DW me gazetarët Michaela Küfner dhe Erkan Arikan

DW: Zoti Chrupalla, me AfD-në, Alternativën për Gjermaninë, sot në Bundestagun gjerman askush nuk dëshiron të bëjë koalicion. Kështu që juve nuk do t`ju jepet shansi të jeni pjesë e qeverisë së ardhshme. Në radhë të parë se ju shiheni si të djathtë. Ku është për ju personalisht vija e ndarjes me të djathtën ekstreme?

Tino Chrupalla: Së pari, të presim një herë rezultatin e zgjedhjeve, për të parë nëse dikush do të dëshirojë të bëjë koalicion me ne. Sigurisht që opcionet janë të pakta, por ne duam të hyjmë në Bundestagun gjerman si opozitë e fortë.

DW: Por partitë janë marrë vesh paraprakisht.

Tino Chrupalla: Dikur ishte CDU djathtas, tani jemi ne të djathtë. Prandaj nuk është shenjë e keqe të prezantohesh si parti e djathtë. Dhe të tillë jemi në fakt. Linja jonë ndarëse është e qartë. Kryetari ynë i nderit e ka përcaktuar gjithmonë qartë se kush ka problem me kushtetutën, nuk ka se çfarë kërkon në AfD, për shembull.

DW: Le të vijmë tek një çështje aktuale, te Afganistani. Në këtë situatë të tmerrshme a do të pranonit refugjatë afganë në Gjermani? A e shihni veten në një linjë me Austrinë, e cila që në fillim ka thënë se nuk do të marrë refugjatë afganë?

Tino Chrupalla: Ne e shohim veten në të njëjtën linjë, edhe me Danimarkën, që është shprehur ngjashëm. Ne jemi pozicionuar qartë në Bundestagun gjerman. Kemi thënë se stafit lokal afgan, që ka ndihmuar Bundeswehr-in, atyre do t`u japim azil. Ne e dimë, azili është i kufizuar në kohë. Dhe për këtë kemi rënë dakord. Prandaj abstenuam nga votimi, për shembull. Por ajo që pamë përsëri, ështe se ndër 4000 afganët e parë të ardhur në Gjermani vetëm 136 ishin nga stafi lokal. Qeveria federale ka premtuar diçka tjetër. Edhe këtu na ka gënjyer sërish. Dhe pikërisht kjo është arsyeja.

DW: Po, por zoti Chrupalla, kjo ka të bëjë edhe me reputacionin e Gjermanisë si humanitare. Një vend që ka ofruar gjithmonë ndihma humanitare. Do të thotë kjo, që ju nuk shihni këtu përgjegjësi për ata 4.000, që sapo përmendët? 

Tino Chrupalla: Pra. T`ia atribuosh Gjermanisë përgjegjësinë humanitare apo mos t`ia atribuosh është pak e tepruar. Ne jemi një nga vendet, që në krizën e fundit të refugjatëve në vitin 2015 morëm më së shumti refugjatë, 1,6 milionë. Ne me këtë kemi krijuar probleme të mëdha sociale në Gjermani. Dhe ne e themi shumë qartë, dhe unë ia them qartazi, se ndihma në terren, në Pakistan, në Iran, është më adapte për t`u ardhur në ndihmë këtyre njerëzve dhe është edhe shumë më ekonomike.

DW: A mund ta thoni konkretisht: Cila është përgjegjësia e Gjermanisë tani? Ju e përmendët stafin lokal. Gjermania gjithmonë llogarit plus X. Aty bëjnë pjesë edhe të afërmit, të cilët ndodhen më pas në rrezik. Si e përkufizoni ju këtë ?

Tino Chrupalla: Ato janë përcaktuar. Fjala është pikërisht për këtë grup njerëzish.

DW: Atëherë plus katër ose plus pesë?

Tino Chrupalla: Po, sa i përket familjes. Dhe me gjithë këtë ata duhet të paraqesin një kërkesë për azil në Gjermani, e cila duhet të shqyrtohet. Ne kemi ligje dhe ato duhen respektuar. Dhe nëse legjislacioni për azilin ose baza për azilin nuk plotësohet, këta njerëz natyrisht duhet të kthehen sërish.

DW: Sipas llogarisë së qeverisë gjermane janë tani 40.000 persona. E pranoni këtë?

Tino Chrupalla: Jo, nuk jam dakord, ...nëse nisem nga 135 punonjës lokalë ose ndoshta 300 punonjës lokalë, që kanë ndihmuar Bundeswehr-in, ky numër varion, atëherë nëse i shumëzon për pesë, nuk më dalin 40.000. Ndërkohë këtu po hapet përsëri një portë e madhe, dhe ne nuk e duam këtë. Ndihma në rajon është shumë më e rëndësishme. Ne aktualisht kemi, dhe kjo duhet thënë, 30.000 afganë në vend, të cilët nuk kanë të drejtë qëndrimi këtu, që patjetër duhet të kthehen. Le të fillojmë një herë me to, para se të flasim për pranimin e afganëve të tjerë ...

DW: Çfarë bëni me Konventën e Gjenevës për Refugjatët? E respektoni?

Tino Chrupalla: Unë i përmbahem ligjit evropian dhe gjerman. Dhe pastaj ai mund të paraqesë kërkesë për azil. Ajo do të shqyrtohet dhe nëse refuzohet, personi duhet kthyer.

DW: Le të kalojmë tek tema tjetër zoti Chrupalla. Motoja juaj zgjedhore është: Gjermania, por normale. Prindërit e mi janë shtetas turq, unë jam shtetas gjerman. Sipas mendimit tuaj dhe të partisë suaj - a jam edhe unë normal? Ose më saktë, a e kam identitetin gjerman sipas mendimit tuaj?

Tino Chrupalla: Absolutisht po. Ju jeni i integruar mirë, keni një punë këtu ...

DW: E dija, që do e thonit këtë. Më bëhet qejfi t`ju shërbej si shembulli model i integrimit.

Tino Chrupalla: Moment, më lejoni të shprehem, zoti Erikan. Ju jeni i integruar mirë. Ju keni këtu një punë, ju paguani këtu taksa dhe kështu natyrisht që jeni një qytetar me të gjitha të drejtat. Kjo është tërësisht normale.

DW: Mirë. Por përse keni një program zgjedhor, që mua si votues potencial për shembull nuk do të më bindte dot? Ashtu siç ka 7,4 milion votues me të drejtë vote me origjinë të huaj. Kjo është rreth 12 përqind e elektoratit në Gjermani. A është ky për ju një grup, që nuk është fare relevant, të cilët nuk i merrni aspak parasysh si votues?

Tino Chrupalla: E dini që ka miliona votues, të cilët nuk janë të bindur nga platforma zgjedhore e ekologjistëve? Apo nga ajo e CDU-së?

DW: Unë po flas tani konkretisht për ata me preardhje të huaj.

Tino Chrupalla: E dini, tregtari im i qebapit, për shembull, edhe ai ka rrënjë turke, por ai më zgjedh mua për shembull. Çfarë i thoni ju atij? Pra ka dallime. Ju ndoshta nuk jeni i bindur për programin tonë zgjedhor. Ka shumë qytetarë turq, që janë të bindur nga programi ynë zgjedhor. Edhe shumë gjermanë nga Rusia, për shembull. Pra ky është vendim personal i secilit.

DW: Unë nuk do ta shihja kështu, sepse….

Tino Chrupalla: Ky është mendimi juaj. 

DW: Më lejoni ta them shumë shkurt. Sipas një studimi të fundit, nuk janë shumë njerëz me preardhje të huaj, që kanë të drejtë vote dhe që ia japin AfD-së votën e tyre. Mund ta merrja me mend, që shitësi juaj i qebapit ju zgjedh ju ndoshta për arsye personale, por jo arsye për politike.

Tino Chrupalla: Po, por ky është një vendim i mirë në votime, që të marrësh edhe një vendim personal. Kjo është në fakt gjithmonë premisa kryesore për zgjedhje. Programi gjithmonë luan më së paku rol në zgjedhje. Ata e dinë këtë fare mirë.

DW: Zoti Chrupalla, edhe në Gjermani pamë këtë verë përmbytje vërtet dramatike. Më shumë se 180 njerëz humbën jetën nga përmbytjet. Ju jeni partia e vetme, që mohon kategorikisht ndryshimin e klimës. Ju thoni madje, se nuk është bërë nga njeriu. Por pikërisht këtë e kanë vërtetuar mbi 200 shkencëtarë ndërkombëtarë, që njerëzit kanë shkaktuar ndryshimin e klimës. Përse nuk vlejnë për ju këto fakte shkencore?

Tino Chrupalla: Para së gjithash shkenca nuk është mendim i shumicës. Ekziston edhe një numër i madh shkencëtarësh, që e shohin gjënë ndryshe. Të cilët e shohin në mënyrë shumë më të relativizuar. Pika e dytë është se ne nuk i mohojmë ndryshimet klimatike. Këtu më duhet t`ju kundërshtoj absolutisht.

DW: Ju mohoni ndryshimin e klimës të shkaktuar nga njeriu.

Tino Chrupalla: Ky është një ndryshim i madh. Para së gjithash: ne nuk e mohojmë. Përse duhet marrë fjala mohim? Ne themi se ndikimi mbi klimën tonë i krijuar nga njeriu është shumë i vogël dhe ai është shumë i vogël, aq më tepër pjesa gjermane. Ne nuk e mohojmë aspak ndryshimin e klimës. Ai ka qenë gjithmonë, prej mijëra vjetësh. Ne natyrisht duhet të mendojmë se si përshtatemi me këto situata dhe këto rrethana. Kjo është e rëndësishme. Dhe këtu vij te pika, që sapo përmendët: mbrojtja nga katastrofat. Kjo është shumë e rëndësishme. Nëse shohim përmbytjet e tmerrshme në landet gjermane Nordrhein-Westfalen dhe Rheinland-Pfalz, duhet të flasim për mbrojtjen nga fatkeqësitë dhe për dështimin e qeverisë në këtë rast. Që për shembull janë hequr sistemet e paralajmërimit. Prandaj njerëzit kanë humbur jetën, dhe jo vetëm për shkak të përmbytjeve, por sepse qytetarët nuk u paralajmëruan.

DW: Atëherë çfarë janë për ju këta ekspertë? Ky është një dyshim në përgjithësi për faktet e vërtetuara shkencërisht dhe vërtet të pavarura...

Tino Chrupalla: Që ata janë të pavarur, e dyshoj shumë, nuk e besoj. Këtu ka influencë nga industria dhe ekonomia, që nxjerrin prej këtej para dhe që natyrisht duan të fitojnë. Kjo është shumë, shumë e qartë.

DW: Kombet e Bashkuara nuk kanë interes të marrin miliarda në dorë për të luftuar diçka, që nuk është.

Tino Chrupalla: Kombet e Bashkuara duan të ndryshojnë botën, komplet. Great Reset është një shembull i mirë. Duan të bëjnë ndryshime në këtë vend në kurriz të popullsisë. Sigurisht me koston e parave të taksave që mblidhen këtu ...

DW: Ku bazoheni për këtë?

Tino Chrupalla: Moment, unë do të flas edhe për gjërat e tjera. Bëhet frikë dhe panik në të gjitha sferat, me Coronën, me klimën. Është gati si një fe e re, që del këtu për t`u nxjerrë paratë nga xhepat  qytetarëve me taksën e CO2 si tregti e indulgjencave (paratë për shlyerjen e mëkateve në mesjetë). Kështu janë punët. Kush duhet të paguajë për këtë? Këto janë pyetjet që i bëjmë vetes, që qytetarët i bëjnë vetes.

DW: Edhe kur flisni për Coronën, thoni se është histeri. Nuk besoni që është pandemi? Çfarë është Corona për ju?

Tino Chrupalla: Corona është një virus, që është përhapur në botë dhe që duhet marrë shumë seriozisht.

DW: Kjo është e gjitha?

Tino Chrupalla: Natyrisht. Është një virus tjetër dhe me të do të na duhet të jetojmë në vitet e ardhshme ...

DW: Vetëm një virus tjetër?

 Tino Chrupalla :Po, natyrisht.

DW: Zoti Chrupalla, një pyetje shumë personale: A keni humbur ndonjë të afërm nga sëmundja e Covidit?

Tino Chrupalla: Jo.

DW: Epo unë kam humbur për shembull. Dhe unë them shpesh brenda familjes sime, që njerëzit duhet të vaksinohen. A jeni vaksinuar ju?

Këtë nuk do jua them juve, sepse ky është vendimi im personal.

DW: Po, por në kohën e sotme, për shembull kryetari juaj i nderit, të cilin ju e përmendët, është vaksinuar.

Tino Chrupalla: Ai është vendimi i tij.

DW: E drejtë. Por në kohën e pandemisë, në të cilën gjendemi aktualisht, ne jemi ... ajo nuk është vetëm një rrufë, por flasim për një sëmundje të rëndë. Mesazhi nga partia juaj është disi i paqartë. A ka një përgjigje mish -mash brenda AfD-së.

Tino Chrupalla: Nuk ka një përgjigje mish-mash brenda AfD-së. Mendime të ndryshme ka në të gjitha partitë. Në të gjitha partitë. Dhe është një vendim personal, nëse unë vaksinohem apo jo. Dhe mendoj se është çështje bindjeje kur gazetarët ose persona të tjerë më pyesin, nëse jam vaksinuar apo jo. As unë nuk ju pyes ju, kur keni qenë për herë të fundit te urologu.

DW: Për ju kjo është një histeri

Tino Chrupalla: Natyrisht është një histeri.  

DW: Ok, e marrim kështu. Të vijmë te politika botërore dhe ajo ndaj Rusisë, nëse dëshironi: Ju keni qenë në Rusi dhe jeni takuar me ministrin e Jashtëm rus. Dhe kohët e fundit kryetari i partisë e Majta, Bartsch, nuk ishte në gjendje të vendoste midis Presidentit amerikan Joe Biden dhe Vladimir Putinit. Kush duhet të jetë më afër Gjermanisë, sipas mendimit tuaj?

 Tino Chrupalla: Të dy. 

DW: Të dy njëherësh nuk mund t`i keni

Tino Chrupalla: Përse jo? 

DW: Mirë atëherë kjo është një rrugë e tretë.

Nuk është një rrugë e tretë, është pikërisht ajo që ne zgjedhim si AfD. Ne duam kontakte të mira dhe mbi të gjitha dialog me të gjitha kombet në Evropë, por edhe në mbarë botën natyrisht. Sepse gatishmëria për dialog është gjëja më e rëndësishme, për të pastruar problemet dhe zgjidhur konfliktet.

DW: Si e shihni Angela Merkelin tani në fund të karrierës së saj?

Tino Chrupalla: Më vjen mirë, që kjo grua po largohet. Ajo i ka bërë aq shumë dëm Gjermanisë sa asnjë kancelar tjetër gjerman më parë. Vetë Stefan Aust ka vërtetuar se kjo qeveri është më e keqja pas Luftës së Dytë Botërore. Dhe më vjen mirë që Angela Merkel po largohet.

DW: Cilat janë planet tuaja si opozitë? Ju kërkoni fare konkretisht daljen nga BE. 

Tino Chrupalla: Si opozitë, ne planifikojmë të bëhemi përsëri forca më e fortë opozitare. Ky është qëllimi ynë në zgjedhjet parlamentare. Dhe sigurisht që ne duam të vëmë gishtin në plagë, duam të themi qartë se çfarë nuk shkon mirë në këtë vend. Ne duam t'i informojmë qytetarët me ndershmëri, sepse të gjitha partitë e tjera janë shumë të ngjashme në programet e tyre zgjedhore. Dhe për këtë arsye ne jemi alternativa për Gjermaninë.