1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Gjermani:Racizmi në polici strukturor apo raste të veçuara? 

22 Tetor 2020

Më në fund qeveria gjermane ka rënë dakord për një studim për racizmin në radhët e policisë, falë një marrëveshjeje.

https://p.dw.com/p/3kFZd
Deutschland - Polizei
Fotografi: picture alliance/dpa/S. Stein

Në fillim lajmin e hapi ministri socialdemokrat i Ekonomisë, Olaf Scholz. Në një intervistë për kanalin publik WDR ai tha të martën (20.10) se  qeveria ka rënë dakord për një studim mbi racizmin në polici. Studimi për racizmin në radhët e policisë gjermane do të bëhet në kuadër të një studimi mbi racizmin në shoqërinë gjermane, tha Scholz të martën. Pastaj po atë ditë, ministri i Brendshëm, kristiansociali Horst Seehofer, sqaroi se krahas këtij studimi është rënë dakord të bëhet edhe një studim për vështirësitë dhe zhgënjimin në të përditshmen e policëve. "Në këtë studim do të hulumtohet edhe dhuna dhe urrejtja ndaj policisë, në mënyrë që të kemi një ekuilibër të arsyeshëm", tha Seehofer.

Seehofer ishte shprehur që më pare për një studim të tillë kur kishte prezantuar Raportin mbi ekstremizmin e djathtë në shoqëri. Të hënën (19.10) dy ministrat në fjalë kishin rënë dakord për studimet gjatë një takimi me kancelaren Merkel. "Policet dhe policët tanë nuk mund të lihen vetëm me përvojat e tyre. Nuk duhet të ketë tolerim as për ekstremizmin, as për racizmin dhe antisemitizmin", thuhet në dokumentin e dalë prej këtij takimi, e të cituar nga programi publik gjerman, ARD.  

Vorstellung Lagebericht zur IT-Sicherheit in Deutschland
Ministri i brendshem gjerman, Horst Seehofer. Fotografi: Bernd von Jutrczenka/dpa/picture alliance

Strukturë apo raste të veçanta?

Zërat për të bërë studim në radhët e policisë gjermane ishin shtuar kohët e fundit. Sepse edhe rastet që flisnin për racizëm, antisemitizëm ose simpati për idetë naziste në radhët e policëve, ishin shtuar. Në fund të vitit 2018 u zbulua se një numër i madh letrash kërcënuese të drejtuara, ndër të tjera, edhe ndaj avokates, Seda Basay Yildiz, e të nënshkruara me NSU 2.0., kishin qenë të lidhura me qarqe policore. Shumë syresh përmbanin të dhëna që mund të merreshin vetëm nga kompjuterët e policisë. Dhjetë letra u dëshmuan se i kishte dërguar një polic bavarez. NSU është shkurtesa e grupimit ekstremist "Ilegaliteti Nacionalsocialist", i cili në vitet 2000 – 2007. ka kryer dhjetë vrasje, një sërë vrasjesh të mbetura në tentativë dhe dy atentate me bomba, shumica me motive raciste.

Një rast tjetër u zbulua në shkurt 2020: një polic nga qyteti Hamm në landin Renani Veriore – Vestfali (NRW), dyshohet se u kishte siguruar leje për armëmbajtje anëtarëve të një grupi djathtist ekstremist, të quajtur  „Gruppe S.“ Polici nuk e fshihte se ishte simpatizant i ideve djathtiste ekstremiste, ai vishej me rroba tipike për skenën ekstremiste djathtiste dhe mbante në ballkon flamujt luftarakë të Rajhut Gjerman. Më pas u zbuluan komunikime në grupe Whatsapp-i nga lande të tjera, ku policë për vite me radhë shkëmbenin mesazhe me përmbajtje djathtiste-ekstremiste ose raciste, dhe mesazhe që manifestonin simpati për Hitlerin. 

Një grup të tillë e zbuloi para disa javësh në policinë e Berlinit revista televizive investigative „Monitor“, e cila transmetohet në televizionin publik gjerman, ARD. Edhe në landin Meklenburg - Pomerani e Përparme është zbuluar para pak kohësh një korrespondencë mes dy policëve me përmbajtje të ngjashme e me masazhe ku adhurohej nazizmi. Në Saksoni është bërë i njohur gjithashtu rasti i një polici tjetër që merrte pjesë aktive në chat-e ekstremistësh të djathtë.

Shqiptarë të prekur? 

Në policinë e Essenit u pezulluan nga puna 30 nëpunës të një grupi Whatsapp-i që e quante veten „Alphateam“. Pjesëtarët e këtij chat-i postonin aty prej vitit 2012 fotografi dhe mesazhe me përmbajtje raciste. Pikërisht një nga anëtarët e këtij grupi policësh, të cilët, sikurse të gjithë të lartpërmendurit janë suspenduar nga detyra, sipas një raporti të gazetës “Koelner Stadtanzeiger”, dyshohet se ka goditur në fytyrë një gjerman me prejardhje shqiptare, i cili ishte me duar të lidhura me pranga. Hetuesia e Duisburgut, e cila ka marrë përsipër hetimin tashmë, nuk e konfirmoi identitetin e të dëmtuarit. Një zëdhënëse e Prokurorisë së Duisburgut i tha të mërkurën (21.10) DW, se bëhet fjalë për një 56-vjeçar me shtetësi gjermane por me prejardhje migracioni, i cili ishte ndaluar nga policia me akuzën për dhunë në familje.

Deutschland Reportage Staatsanwaltschaft in Duisburg
Prokuroria e DuisburgutFotografi: DW/C. Grün

"Zyra e prokurorit publik në Duisburg po heton një oficer policie nga Mylhajm an der Rur, i cili dyshohet për "lëndim trupor gjatë ushtrimit të detyrës ". Ngjarja është zhvilluar qysh në vitin 2019, në kuadër të një operacioni policor për dhunë në Mylheajm për dhunë në familje. Prokuroria e Duisburgut i tha DW-së se "Procedurat hetimore kundër policit 39-vjeçar kishin nisur qysh më parë, pasi i dëmtuari kishte bërë kallëzim penal kundër policit në fjalë, por hetimet ishin ndërprerë në qershor 2019, pasi policët e pranishëm kishin deklaruar se akuzat nuk ishin të vërteta dhe se nëpunësi e kishte goditur burrin vetëm kur ai nuk ishte ende i lidhur me pranga dhe i ishte afruar në mënyrë kërcënuese policit." 

Si pasojë, zyra e prokurorit publik filloi një hetim kundër 56-vjeçarit me akuzën e akuzës së rremë në dëm të nëpunësit të policisë. Pas përfundimit të hetimit. Por në gjyqin e zhvilluar në fund të korrikut 2020 doli një dëshmitare e re, një police tjetër 23-vjeçare, e cila nuk ishte marrë në pyetje më parë, e cila deklaroi se burri ishte rrahur nga kolegu i saj kur kishte qenë i lidhur me pranga. Si pasojë, edhe kolegia tjetër e korrigjoi deklaratën e saj të mëparshme dhe pranoi se kishte pasur të paktën një goditje ndaj burrit të lidhur me pranga, bëri të ditur prokuroria për DW.  

Sipas raportit të gazetës së përditshme gjermane, Koelner Stadt-Anzeiger, e njëjta police që bëri dëshminë në gjyq, e kishte denoncuar kolegun te eprori qysh kur ndodhi ngjarja, por ky jo vetëm që nuk kishte bërë asgjë më tej, por përkundrazi kolegët e tjerë, anëtarë të grupit "Alphateam", ku bënte pjesë polici nga Mylhajmi, kishin ushtruar bullizëm ndaj koleges, derisa kjo si përfundim ishte detyruar të ndryshonte repartin. 

Studim me kushte?

Çështja e racizmit në radhët e policisë gjermane është debatuar kohët e fundit shumë në opinionin gjerman. Disa e kundërshtonin idenë e studimit të racizmit me argumentin se këto janë raste individuale dhe duhen ndjekur penalisht, nga organet e drejtësisë, të tjerë kërkonin me ngulm që të bëhej një studim shkencor, pasi sipas tyre këto fenomene janë probleme strukturore brenda policisë gjermane. Edhe kompromisi i arritur të hënën mes ministrit të Brendshëm Seehofer, zëvendëskancelarit Olaf Scholz dhe kancelares Angela Merkel e pasqyron këtë kontradiktë. Por ai është pritur me kritika nga të gjitha partitë e opozitës, pa çka me argumente të ndryshme. Partia e djathtë, Alternative für Deutschland, AfD, e kritikoi vendimin e qeverisë për studimin e racizmit në radhët e policisë. „Tani edhe Seehofer u dorëzua para presionit të zëvendëskancelarit socialdemokrat Scholz, tha Thino Chrupalla, kryetari i kësaj partie. Sipas kësaj partie, studimi e vendos policinë në dyshim përgjithësues. 

Deutschland | Kundgebung der hessischen Linken in Frankfurt am Main
"Zbuloni rrjetet djathiste" - te majtet protestojne ne Frankfurt mbi Majn, 17.7.2020 Fotografi: picture-alliance/dpa/F. Rumpenhorst

Ndërsa partitë E Majta, Të Gjelbërit dhe Liberalët e kanë përshëndetur vendimin e qeverisë për studimin, por ata kritikojnë një vendim tjetër që u morr po atë ditë mbi vënien në përdorim të programeve spiunuese nëpër chat-e. Në të ardhmen programe të tilla do të lejohen të përdoren edhe nga shërbimet e fshehta gjermane. Deri tani një ndërhyrje e tillë i lejohej vetëm policisë për të zbuluar dhe parandaluar krime të rënda. Marrja e vendimit për të ashtuquajturin “trojanin shtetëror”  me vendimin për studimin e racizmit në polici, të krijon përshtypjen e një pazari të bërë mes zëvendëskancelarit dhe kandidatit socialdemokrat për kancelar, Olaf Scholz, dhe ministrit të Brendshëm kristiansocial, Horst Seehofer, thonë kritikët. “Seehofer nuk bën një studim të vërtetë mbi racizmin", shkroi në Twitter politikani i së Majtës, Jat Korte. "Ai do të marrë në këmbim trojanin shtetëror për shërbimet e fshehta të pakontrollueshme. Çfarë marrëveshje e ligë për të drejtat themelore dhe të të drejtat e lirisë”.

Anila Shuka, shikon e buzëqeshur në drejtim të kameras
Anila Shuka autore, redaktore dhe korrespondente nga Berlini