1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Gjermani: Prejardhja sociale ndikon të ardhmen e fëmijës

Arapi/DW16 Shtator 2016

Raporti i fundit i OECD-së për arsimin i jep Gjermanisë nota pozitive, por tregon edhe se ku ka probleme, analizon drejtori për arsimin i OECD-së Andreas Schleicher.

https://p.dw.com/p/1K3TS
Symbolbild Deutschland Flüchtlinge Bildung
Fotografi: picture-alliance/dpa/M. Skolimowska

Pozitive në Gjermani, sipas raportit të Organizatës për bashkëpunimin ekonomik dhe zhvillimin, (OECD) janë shanset e të kualifikuarve. Si në asnjë vend tjetër është i ulët numri i atyre të rinjve që kërkojnë punë apo shkollë kualifikimi. Ata që janë të kualifikuar kanë shanse shumë të mira punësimi më pas në Gjermani. Por sipas drejtorit Schleicher, "të gjithë të tjerët ndodhen para rreziqeve gjithnjë e më të mëdha. Prejardhja sociale është për fat të keq ende vendimtare për të ardhmen. Tjetra sot shpenzohet më pak për një student se në vitin 2008, sepse kërkesa u rrit më shpejt se sa e përballonte shteti."

Gjermania ka bërë përmirësime edhe në sistemin e arsimit parashkollor, ateston raporti i OECD-së. Por ende ka nevojë për përmirësime në drejtim të pagesës së edukatoreve. Mungojnë kapacitetet për zbulimin e përkrahjen e talenteve që në moshë të vogël, për të kompensuar kështu deficitet sociale e siguruar barazinë e shanseve, mendon Andreas Schleicher.

OECD-Bildungsdirektor Andreas Schleicher
Fotografi: picture-alliance/APA/picturedesk.com/H. Neubauer

Por çfarë mund të bëhet për të zvogëluar efektin e prejardhjes sociale për biografinë e jetës së të rinjve? Drejtori i OECD-së, Andreas Schleicher thekson se "kjo fillon me mënyrën e shpërndarjes së investimeve për arsimin. Gjermania shpenzon shumë për klasat para maturës, por më pak për ato të shkollës fillore. Edhe orët e mësimit këtu janë të kufizuara. Në këtë pikë ka nevojë për përmirësime. Mësuesit më të mirë duhet të fitohen për nxënësit më të vështirë dhe klasat me probleme. Kapacitetet duhet të orientohen pikërisht këtu. Mund të mësojmë më shumë në këtë drejtim nga shtetet aziatike apo ato skandinave", mendon Schleicher.