Gjermani: Populizmi i djathtë po bren qendrën | Gjermania | DW | 25.04.2019
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages
Reklamë

Gjermania

Gjermani: Populizmi i djathtë po bren qendrën

Shumica dërrmuese e gjermanëve e përkrah demokracinë, por cilën? Të drejtat e barabarta për të gjithë dhe pluralizmin nuk e përkrahin të gjithë, thotë një studim me titullin "Studimi për qendrën."

Autorët e "Studimit për qendrën" paralajmërojnë më shumë nga qëndrimet e veçuara populiste të djathta se sa nga esktremizmi i djathtë si fenomen. Sipas tyre numri i gjermanëve me botëkuptim plotësisht ekstremist të djathtë prej vitesh nuk lëviz nga 2,5%. Por nga ana tjetër nuk janë aspak fenomene minore qëndrimet refuzuese apo zhvlerësuese për grupe të caktuara në shoqëri, po ashtu të përhapura janë edhe teoritë konspirative apo një miratim latent për format autokratike qeverisëse, thotë Franziska Schröter nga Fondacioni Friedrich Ebert, FES. "Qëndrimet e  veçuara populiste të djathta kanë zënë një vend fiks në shoqërinë gjermane."

Nga viti 2006, fondacioni FES pyet popullsinë gjermane për të parë përhapjen e qëndrimeve të djathta. Bashkë me Institutin Ndërdisiplinor për Studimet e Konflikteve publikohet çdo dy vjet studimi për qendrën.

Populizmi i djathtë - jo fenomen i ri

Për studimin aktual, studiuesit kanë pyetur nga shtatori 2018 deri në shkurt 2019 përmes telefonit 1890 gjermanë të kategorive të ndryshme të shoqërisë nga mosha 18-97 vjeç. Katalogu i pyetjeve ndjek një model të caktuar. Kjo bën të vihen re zhvillime të caktuara, që tregojnë se përhapja e populizmit nuk është një fenomen ri, përkundër perceptimit të përgjithshëm.

Nga ana tjetër studimi vëren se forcohet qëndrimi përçmues ndaj azilkërkuesve. "Zhvlerësimi ndaj azilkërkuesve" është rritur për të tretën herë me radhë nga 44,3% në vitin 2014 në 54% në vitin 2919. Të pyeturit e kanë refuzuar zemërgjerësinë e shtetit në procedurat e azilit, dhe mendojnë se shumica e azilkërkuesve nuk kanë frikë nga përndjekja. "Kjo na ka habitur, po të krahasosh numrin e kërkesave për azil që ka rënë nga viti 2016".

Deutschland Großdemonstration AfD (Imago/C. Mang)

Protestë e AfD- me pllakate: Ndal ndërrimit të popullisisë, mbro paqen

Lindja e djathtë dhe perëndimi i majtë?

Qëndrime të tilla janë veçanërisht më të përhapura në Lindjen gjermane. Me këtë studimi për qendrën konfirmon perceptimin, se tek gjermanolindorët gjenden më shpesh qëndrime të djathta se sa në perëndim. Dallimi me perëndimin, sipas studimit, nuk është shumë i madh, siç parathotë klisheja e përhapur. Kështu për shembull ekstremizmi i djathtë - ku njerëzit minimizojnë krimet e nazistëve, dëshirojnë një diktaturë të djathtë dhe bëjnë një dallim mes njerëzve të vlefshëm dhe atyre që nuk janë të tillë - gjendet gati njësoj i përhapur në të gjithë Gjermaninë.

Qëndrimet populiste të djathta përkundër kësaj janë më të përhapura në landet e reja gjermane -në një kohë që çdo i dyti gjermanoperëndimor i refuzon azilkërkuesit, në Lindje këtë e bëjnë 2 nga 3 gjermanë. 26 gjermanolindorë në 100 i shohin myslimanët si qytetarë të klasit të dytë. "Ndjenja kolektive e zemërimit për imigrimin është në Lindje me 52% shumë më e përhapur se në perëndim me 44%", thonë autorët e studimit. Edhe besimi tek demokracia gjermane është më i dobët në lindje. Po ashtu si përkrahja e autoritarizmit. Arsyet janë ndryshme - nga ndjesia e injorimit dhe lëndimit në vitet pas bashkimi, tek një botëkuptim demokratik i mësuar ndryshe e deri tek situata e sotme me rajone të dobta nga ana strukturore.

March against Racism in Berlin (picture-alliance/dpa/P. Zinken)

Marsh kundër racizmit në Berlin

Besimi tek teoritë konspirative

Rajonet me probleme ekonomike i gjen edhe në perëndim. Pikërisht në këto rajone është tronditur besimi tek demokracia dhe institucionet e saj. Gati gjysma e të pyeturve mendon, se ka organizata sekrete që kanë influencë në vendimet politike. Gati një çereku nuk ndjehet i përfaqësuar, i sheh vendimet demokratike si "kompromise që mbajnë erë", dhe mendon, se "qeveria i fsheh popullit të vërtetën" apo një e katërta e të pyeturve, shprehen se "mediat dhe politike flenë në një shtrat".

Nëse kaq shumë gjermanë mendojnë keq për grupet e tjera, institucionet civile apo politike, si është e mundur, që 86% e të anketuarve e shohin demokracinë si pa alternativë dhe 93% e vendosin dinjitetin e njeriut dhe barazinë në vend të parë?" Autori i studimit shprehet, se "një pjesë e popullsisë nuk i respektojnë vetë vlerat që kanë". Por autorët e studimit thonë, se megjithë titullin e studimit. "Qendra e humbur - atmosferë armiqësore" duhet vënë një pikëpyetje, sepse ka edhe gjetje pozitive si "orientimi i fortë drejt shoqërisë civile". Lëvizjet e djathta e vendosin para provës qendrën, por për të rezistuar duhen marrë masa si më shumë edukim demokratik për të vepruar kundër paragjykimeve, dhe qëndrimet armiqësore kundër njerëzve dhe demokracisë nuk duhet të minimizohen më.