Gjermani: Politika kërkon sqarimin e akuzave për tortura | Gjermania | DW | 11.05.2019
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages
Reklamë

Gjermania

Gjermani: Politika kërkon sqarimin e akuzave për tortura

Erdogan më torturoi, tha gazetari gjerman Deniz Yücel. Politika gjermane kërkon sqarimin e akuzave të Yücel gjatë burgimit në Turqi. Zëdhënësi i fraksionit të CDU, Brand kërkon hetim të OKB për gjendjen në burgjet turke.

Berlin Journalist Deniz Yücel zur Vernehmung vor Amtsgericht (picture-alliance/dpa/M. Kappeler)

Deniz Yücel para gjykatës në Berlin

Para një gjykate në Berlin, gazetari gjerman Deniz Yücel deklaroi, se është torturuar gjatë qëndrimit në burg për një vit në Turqi. Ai u shpreh se të paktën presidenti turk Recep Tayyip Erdogan mban përgjegjësi politike për këtë ose i ka urdhëruar keqtrajtimet. Deutsche Welle e publikoi fjalën e mbrojtjes së Yücel ekskluzivisht në origjinal në turqisht dhe përkthimin në gjermanisht.

Këtu merr fund miqësia

"Tek tortura dhe shkeljet brutale të të drejtave të njeriut merr fund miqësia", deklaroi zëdhënësi politik për të drejtat e njeriut të grupit parlamentar të Unionit, Michael Brand. „Tortura qartësisht sistemike" në burgjet turke duhet të hetohet menjëherë dhe sistematikisht. Hetimet duhet të kryhen nga komisarja e OKB-së për të Drejtat e njeriut, Michelle Bachelet. Ish-presidentja e Kilit ka qenë vetë viktimë e torturave gjatë diktaturës ushtarake.

Kryetarja e partisë Të Gjelbrit, Annalena Baerbock i kërkoi qeverisë gjermane të rrisë presionin ndaj Turqisë. „Qeveria gjermane duhet t‘i dalë qartë e pa asnjë dyshim përballë Turqisë për të drejtat e njeriut dhe demokracinë", tha ajo për „Spiegel". Përmes varësisë që Turqia ka ndaj eksporteve në BE dhe investimeve europiane, Gjermania „ka një instrument të fortë në dorë për të kundërvepruar ndaj rrëshqitjes së Turqisë në drejtim të autokracisë."

Turqia duhet të mbajë premtimet

Ministria e Jashtme e Gjermanisë kërkoi nga qeveria në Ankara respektimin e Konventës së OKB kundër torturës. „Ne dënojmë çdo formë të torturës dhe keqtrajtimit, ato janë kundër ligjit", tha një zëdhënëse e MPJ në Berlin kundrejt agjencisë gjermane të lajmeve, dpa. Ajo kërkoi nga qeveria turke me „këmbëngulje" të „respektojë standartet ndërkombëtare, të cilat ajo vetë i ka pranuar." Krahas konventës së OKB bëjnë pjesë edhe detyrimet në Këshillin e Europës kundër torturës.

Annalena Baerbock | Bündnis 90/Die Grünen (picture-alliance/dpa/M. Wolff)

Annalena Baerbock

Deniz Yücel u arrestua më 14. shkurt 2017 në Stamboll. Ai akuzohet se në një seri artikujsh „ka nxitur urrejtjen" dhe ka „bërë propagandë terroriste". Sipas avokatit të tij në Turqi ai rrezikon deri në 18 vite burg. Qeveria gjermane është e mendimit se akuzat janë të motivuara politikisht. Ky rast i rëndoi së tepërmi marrëdhëniet mes dy vendeve. Një vit pas burgimit, Yücel u la i lirë dhe erdhi në Gjermani. Por procedura e tij gjyqësore në Turqi vazhdon. Yücel dorëzoi të premten fjalën e mbrojtjes në një gjykatë të Berlinit. Kjo e pranoi dëshminë në kuadër të një marrëveshjeje gjermano-turke për bashkëpunimin në fushën e drejtësisë.

la/haz/kle (afp, dpa)