Gjermani: Frika dhe përgatitjet për mbrojtje nga sulmet e mundshme kibernetike gjatë zgjedhjeve | Gjermania | DW | 18.07.2021
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages
Reklamë

Gjermania

Gjermani: Frika dhe përgatitjet për mbrojtje nga sulmet e mundshme kibernetike gjatë zgjedhjeve

Në vjeshtë në Gjermani ka zgjedhje. Shërbimet e inteligjencës vërejnë përpjekje për influencim të votuesve përmes informacinit të rremë dhe sulmeve kibernetike. Por autoritet po përgatiten për të siguruar zgjedhjet.

Duke iu referuar zgjedhjeve për Bundestag-un më 26 shtator në Gjermani autoritetet e sigurisë vërejnë përpjekje për sulme haker dhe informacione të rreme për të fituar influencë ndaj zgjedhësve. Sipas këtyre vlerësimeve tentativa të tilla nuk kanë të bëjnë vetëm me shtete të huaja, por vijnë edhe nga brenda vendit prej ekstremistëve dhe ithtarëve të teorive të komplotit. Që vendimi për votën të mos influencohet nga informacione të reme, Enti i Mbrojtjes Kushtetuese këshillon të gjithë përdoruesit që të përdorin të gjitha kanalet ekzistuese të informimit. Në zgjedhjet e kaluara në Gjermaniështë vërejtur se ka pasur tentativa për influecim nga shtetet e tjera. Autoritetet e sigurisë edhe tani vërejnë interesin e shteteve të caktuara për të influencuar zgjedhjet e Bundestag-ut. Intensiteti i këtyre masave „është megjithatë në një nivel të ulët", por se për cilat shtete bëhet fjalë, këtë nuk e vë në dukje presidenti i Entit të Mbrojtjes Kushtetuese, Thomas Haldenwang.

Ministri i Brendshëm gjerman Horst Seehofer ka kërkuar të heqë dorë nga pretendimet e ekstremit të djathtë të mashtrimit të votuesve përpara zgjedhjeve të përgjithshme të Gjermanisë në shtator ndërsa theksoi kërcënimet e sulmeve kibernetike nga brenda dhe jashtë Gjermanisë.

Në një konferencë shtypi të mërkurën (15.07) të shoqëruar nga krerët e autoritetit zgjedhor të Gjermanisë, agjencisë së inteligjencës së brendshme, BfV dhe agjencisë së sigurisë kibernetike, BSI, Seehofer parashtroi kërcënimet e sigurisë për zgjedhjet në Gjermani dhe mënyrën se si autoritetet po planifikojnë t'i shmangin ato.

"Autoritetet tona do të bëjnë gjithçka të mundshme për të siguruar që zgjedhjet e Bundestagut të kryhen në një mënyrë të rregullt dhe të sigurt," u tha Seehofer gazetarëve.

Por i takoi presidentit të Entit Federal të Statistikave, Georg Thiel, i cili është ngarkuar për mbikëqyrjen e zgjedhjeve në Gjermani, për të plotësuar detajet: Theil i hodhi poshtë në mënyrë kategorike pretendimet e ngritura nga partia e ekstremit të djathë AfD për mashtrim të mundshëm lidhur me votat përmes postës.

Votimet me postë dhe makineritë e votimit

Ashtu si në SHBA,pandemia e koronavirusit ka çuar në rritje të numrit të votave me postë gjatë 2021, një "vit super zgjedhor" kur Gjermania po zhvillon gjashtë zgjedhje në lande dhe ato në nivel kombëtar.

Kjo bëri që anëtari i AfD-së, Stephan Brandner, ndër të tjera, të spekulonte hapur, pa siguruar prova, për mundësinë e manipulimit. Ndërsa kutitë e votimit me postë qëndrojnë rreth "javë të tëra" në bashkitë e qytetit në të gjithë vendin, Brandner tha, "askush nuk e di se çfarë ndodh me to."

Thiel ishte i shpejtë për të mohuar çdo hamendësim se votat me postë janë më të prekshme për mashtrim sesa votat e kutive të votimit. "Ne kemi pasur vota postare që nga viti 1957," tha ai në konferencën për shtyp (15.07). "Dhe në të gjitha ato vite nuk ka pasur asnjë provë të manipulimit të gjerë që mund të ketë çuar në një situatë, ku zgjedhjet nuk janë kryer në një mënyrë të sigurt dhe të vlefshme. Kutitë e votimit për votat me postë trajtohen saktësisht në të njëjtën mënyrë si kutitë e votimit për votat personale."

Në Gjermani, votat me postë kontrollohen mbi bazën e regjistrit të votuesvedhe kur mbërrijnë ato mbahen në një kuti të mbyllur votimi në një vend të sigurt deri në ditën e zgjedhjeve për të parandaluar ndërhyrjet. Kutia e votimit për votat në personave mbyllet dhe shikohet nga të paktën tre persona nga bordi zgjedhor për t'u siguruar që nuk shtohen fletë votimi të paautorizuara. Kur votimi përfundon në orën 6 pasdite, në ditën e zgjedhjeve, kutitë hapen në prani të të gjithë anëtarëve të komitetit zgjedhor dhe vëzhguesve dhe numërohen.

Thiel nënvizoi gjithashtu faktin që Gjermania nuk përdor makina votimi, si në SHBA: "Ne nuk kemi një situatë me makineritë e votimit që mund t'i njohim nga SHBA. Procedura aktuale e votimit në qendrën e votimit është shkollë e vjetër", tha Thiel. "Kur i shpjegova një zyrtari të lartë nga Ministria e Brendshme kohët e fundit se funksionon me letër dhe laps, ai tha, "kjo më siguron".

"Ne nuk kemi asnjë makinë votimi - në fund të ditës është fleta e votimit ajo që numërohet," tha ai. Thiel gjithashtu vazhdoi të theksojë se çdo qytetar ka të drejtë të hyjë dhe të shikojë kur janë duke u numëruar votat.

Sistemet e votimit në të dy vendet kanë qenë subjekt i akuzave të ngjashme, por janë të strukturuara ndryshe.

"Dallimi më i madh është pasja e një regjistri të qëndrueshëm të votuesve bazuar në regjistrin e banorëve," tha Thiel për DW. Aty ku amerikanët duhet të regjistrohen në mënyrë aktive për të qenë në gjendje të votojnë, sistemi gjerman i regjistrimit të vendbanimit të qytetarëve siguron që ata të regjistrohen automatikisht. Ky ndryshim do të thotë që listat e votuesve përditësohen rregullisht, duke përfshirë edhe rastet kur njerëzit vdesin ose lëvizin, duke e bërë më të vështirë shtimin falso të njerëzve në to. 

Kërcënimet kibernetike - vendase dhe të huaja

Sipas autoriteteve, rreziku më i pranishëm për integritetin e demokracisë gjermane ka të ngjarë të vijë nga interneti - veçanërisht aktorët e huaj shtetëror që përpiqen të hakojnë sistemet parlamentare, siç ndodhi më 2015. Siç u raportua gjerësisht në mars të këtij viti, disa parlamentarë gjermanë  - si federal ashtu edhe të landeve - morën të ashtuquajturat e-mail phishing në llogaritë e tyre private, me sa duket me shpresën për të marrë të dhëna të ndjeshme.

Që nga ajo kohë, ka pasur mbi njëqind sulme ndaj anëtarëve të Bundestag-ut nga një grup i quajtur "Ghostwriter", sipas Thomas Haldenwang, kreu Entit të Mbrojtjes Kushtetuese. Megjithëse Haldenwang nuk ishte i gatshëm ta thoshte këtë në konferencën për shtyp (15.07), media gjermane ka raportuar gjerësisht se agjensitë e inteligjencës ruse besohet të jenë prapa sulmeve.

"Në shumë pak raste këto sulme ishin të suksesshme," tha Haldenwang. "Personat që u sulmuan ishin kryesisht të vetëdijshëm mjaftueshëm dhe nuk i hapnin postat elektronike. Në disa raste kur ata ishin të suksesshëm, ne shumë shpejt bëmë kontakt me të prekurit dhe i paralajmëruam ata, në mënyrë që ata të ishin në gjendje të rivendosnin dhe pastronin sistemet e tyre." Haldenwang tha se BfV ishte e vetëdijshme për valë të ndryshme sulmesh.

Ndërkohë, partitë e opozitës kanë akuzuar qeverinë gjermane, se sapo u zgjua me problemin e sulmeve të tilla kibernetike. "Fakti që ministri i brendshëm federal e njeh tani kërcënimin vjen vonë, por është një hap në drejtimin e duhur," deklaroi zëdhënësi i politikës së sigurisë në partinë "Të Gjelbërit” Konstantin von Notz. "Duket e dyshimtç nëse qeveria do të shohë përpjekje të paligjshme për të ndikuar kur ato ndodhin me kohë, për të mos përmendur nëse ata do të jenë në gjendje t'i parandalojnë ato me vendosmërinë e nevojshme."

Sidoqoftë, Seehofer mbeti relativisht i sinqertë, duke lenë të kuptohet, që kërcënimet nga agjentët e huaj nuk janë më të mëdha sesa ato nga burimet e vendit dhe se ato gjithsesi janë të vështira të dallohen. "Thjesht duke parë se çfarë po ndodh nga Moska, çfarë po ndodh nga Kina, Irani ose vendet e tjera, unë përsëri theksoj që ne duhet t'i marrim ato shumë seriozisht, por nuk duhet të nënvlerësojmë atë që po ndodh brenda vendit tonë," tha ai. "Ne jetojmë në një botë të globalizuar dhe shpesh është shumë e vështirë t'i dallosh ato."