1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Gjenerali Naumann: Kyçi për konfliktin në gadishullin korean ndodhet në Kinë

1 Qershor 2009
https://p.dw.com/p/I1NW
Faqe te para te disa gazetave kryesore gjermane
Fotografi: picture-alliance/dpa

Njoftimet e publikuara në fundjavë se Koreja e Veriut po përgatit vënien në provë të një rakete ndërkontinentale gjejnë jehonë në shtypin gjerman. Gjatë një konference për sigurinë në Singapur ministri amerikan i Mbrojtjes, Roberts Gates, deklaroi se SHBA-ja nuk do të pranojë armatimin bërthamor të Koresë së Veriut, duke e konsideruar këtë si një rrezik për paqen në rajon.

Gazeta "Badische Neusete Nachrichten" në numrin e saj të së shtunës komenton:

"Një gjë është sidoqoftë e qartë: Nëse kinezët ua mohojnë mbështetjen fqinjëve komunistë, atëherë Penjani duhet të gjunjëzohet. Por konflikti na bën edhe diçka tjetër të qartë. Një botë pa armë bërthamore, ashtu siç u përbetua pak më parë presidenti i SHBA-së Obama, nuk do të ketë as në të ardhmen. Perëndimi duhet të vazhdojë t' i përmbahet demonstrimit të forcës bërthamore, në rast se nuk do të bëhet lehtë pre e agresorëve."


Gazeta "Kölnische Rundschau" boton një intervistë me ish-Shefin e Komisionit Ushtarak të NATO-s, Gjeneralin Klaus Naumann.

"Kyçi i konfliktit në Gadishullin Korean, sipas ish-Gjeneralit Naumann ndodhet në Kinë. Pekini duhet të vendosë, "nëse do të vazhdojë ta lejojë regjimin e vjetëruar të Koresë së Veriut që ta heqë për hunde duke dëmtuar kësisoj kredibilitetin e vet si fuqi botërore."

Naumann përmend si një pasojë të mundshme të armatimit atomik të Koresë së Veriut "armatimin bërthamor të Japonisë, gjë së cilës kinezët i frikësohen." Ndaj Kina duhet të vendosë, nëse do të riskojë me një pasojë të tillë. Naumann kërkon gjithashtu "një unitet të fortë në Këshillin e Sigurimit mes Kinës, Rusisë, SHBA-së dhe përmes Francës e Britanisë së Madhe edhe me BE-në", në mënyrë që t' i tregohet Koresë së Veriut, që "nuk lejohet presioni i mëtejshëm dhe që në rast të ndonjë sulmi ndaj Koresë së Jugut nuk do të ngurrohet për t' i dalë në krah të sulmuarit me të njëjtat mjete."


Autor: dpa/Vilma Filaj Ballvora

Redaktoi: Auron Dodi