1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Gjendje e mjerueshme në kufirin mes Maqedonisë dhe Serbisë

Vladimir Mirçevski 15 Mars 2016

Më shumë se 400 refugjatë ndodhen aktualisht në tokë neutrale në kufirin mes Maqedonisë dhe Serbisë. Ata flenë në kushte jo njerëzore. Gjendja është dramatike edhe në Tabanovc.

https://p.dw.com/p/1IDKE
Mazedonien Flüchtlingslager in Tabanovce
Fotografi: DW/V. Mircevski

Në mes të baltës, pa ujë dhe ushqime, qindra refugjatë kanë mbetur të ngujuar në zonën kufitare mes Maqedonisë dhe Serbisë. Më shumë se 400 vetë presin lejen e autoriteteve serbe, për të vazhduar rrugën për në Perëndim. Por autoritetet serbe e kanë mbyllur kufirin. Në Maqedoni nuk duan të kthehen, sepse kushtet në qendrat për refugjatë janë shumë të rënda. "Shumica jemi nga Siria, por ka dhe disa nga Iraku", thotë Amiri. "Dua të jetoj frikë, pa luftë dhe pa vuajtje", shton ai. Edhe shoku i tij pohon se ata nuk do të kthehen në asnjë mënyrë. Kushtet i rëndon edhe më shumë moti i keq.

Gjendje alarmante

Gjithandej dëgjohen zërat e bebeve që qajnë. UNHCR ka njoftuar, se më shumë se gjysma e refugjatëve që janë këtu janë fëmijë dhe se ata jetojnë në gjendje "alarmante". Shumë fëmijë janë sëmurë nga të ftohtit, shiu dhe kushtet e rënda. Prindërit i dërgojnë te mjeku në anën maqedonase dhe sërish kthehen këtu - në baltë dhe kushte të vështira.

Mazedonien Flüchtlingslager in Tabanovce
Fotografi: DW/V. Mircevski

Në këtë vend nuk ekzistojnë as kushtet më elementare për ngrohje. Nuk ka kushte higjeno-sanitare, ndaj në të gjitha anët kundërmon. Meshkujt e mbledhur shumë shpesh shikojnë në dretjim të çadrës ku janë vendosur policët serbë, me shpresë se në një moment do të vijë shenja për kalimin e kufirit. Rreth 100 metra më larg ndodhet edhe qendra e tranzitit në Tabanovc. Kjo qendër është parashikuar për 700 persona, por atje aktualisht janë strehuar më shumë se 1100 refugjatë.

Kushtet në këtë qendër janë më të mira se sa jashtë në baltë dhe të ftohtë, por edhe këtu njerëzit janë në gjendje të mjerueshme. Mbyllja e itinerarit ballkanik e ka vështirësuar shumë situatën. Megjithatë në këtë qendër ka të paktën ushqime dhe fëmijët mund të merren me aktivitete të ndryshme sportive.

Mazedonien Flüchtlingslager in Tabanovce
Fotografi: DW/V. Mircevski

Samira nga Afganistani lan rroba me dorë. Ajo përpiqet të mbajë kushtet elementare higjienike. Jama nga Afganistani thotë se ka kaluar 10 vjet jashtë vendit. Ai ka përfunduar një master në shkencat politike, me shpresë se një ditë do t'i shërbejë vendit të vet. Por ai u detyrua të largohet për shkak të gjendes së rëndë atje. Në Tabanovc ndodhet qysh prej 20 ditësh me familjen. "Ende shpresojmë", thotë ai. "Njerëzit po përpiqen të na ndihmojnë. Por këtu bën shumë ftohtë, fëmijët janë sëmurë dhe shumë shpesh kanë temperaturë. Ne duam të shkojmë kudo në Evropë, ku ka siguri.“

Ping - pongu politik

Austria dhe vendet e Ballkanit kanë rënë dakord muajin e kaluar për mbylljen e itinerarit ballkanit. Sipas të dhënave zyrtare, gati 800.000 kanë kaluar nga fillimi i vitit 2015 nëpër Maqedoni për në Evropë. Më 9 mars Maqedonia e mbylli kufirin për kalime ilegale. Mijëra refugjatë kanë mbetur në Idomeni, në anën greke. Ndërsa presidenti i Maqedonisë Gjorgje Ivanov e ka akuzuar Bashkimin Evropian për lënien pasdore të Maqedonisë. Ndërkohë refugjatët janë shndërruar në viktima të mosmarrëveshjeve politike në BE. E ata kërkojnë një vend të sigurt, ku nuk ka luftë dhe ku mund të jetojnë të sigurtë.