1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Gjendja në zonat indoneziane të katastrofës, sipas të dhënave qeveritare është çtensionuar disi

Thomas Mohr2 Janar 2005
https://p.dw.com/p/ArRB
Fotografi: AP


Përballë shtimit të mallrave ndihma gjendja në zonat indoneziane të katastrofës, sipas të dhënave qeveritare është çtensionuar disi. Situata në kryeqytetin e provincës Banda Aceh në ishullin Sumatra ë shtë më e mirë se ditët e tjera. Megjithatë, mjerimi dhe kaosi përbëjnë pamjen kryesore të rajonit. Në Banda Aceh, forcat civile të shpëtimit dhe ushtarët nuk dinë si të vendosin rregull në kaos. Uji i përmbytjes është larguar nga shumica e pjesëve të qytetit, ajo që ka mbetur pas janë gërmadha makinash, shtëpi të shkatërruara, kufoma në shpërbërje e sipër. 24 orë në ditë zjarri nuk pushon për të djegur mbeturinat e qytetit. "Eshtë kaq e vështirë të vendosësh rregull", thotë një ndihmës. "Gjithcka është ngatërruar. Kam parë kaq shumë trupa të vdekur. Dhe me siguri që do të ketë shumë të tjerë më tepër."

Organet zyrtare llogarisin se si pasojë e tërmetit detar të javës së shkuar e humbën jetën 100 mijë vetë. Po kaq njerëz, ndoshta edhe më shumë, janë të pastrehë. Presidenti i Indonezisë, Susilo Bambang Judojono javën e shkuar i mbajti mbyllur kufijtë për ndihma nga bota e jashtme. Por kur sot ai i pa vetë përmasat e dëmeve, ai u detyrua të pranojë: pa mbështetje nga vendet e tjera nuk ka rrugëdalje.

"Unë i bëj thirrje bashkësisë ndërkombëtare të ofrojë ndihma, për ta rindërtuar sërish Indonezinë, pasi vendi u godit nga një katastrofë e tillë. Natyrisht ne do të përshëndesim cdo lloj ndihme si manifestim të solidaritetit të përbotshëm."

Sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Kofi Anan do të udhëtojë për në Indonezi javën e ardhshme. Sipas mendimit të tij, rindërtimi i qyteteve dhe fshatrave në Indonezi do të kërkojë pesë deri në dhjetë vjet. Detyra më re rëndësishme në radhë të parë është furnizimi i të pastrehëve dhe të plagosurve. Sepse shumë prej tyre janë kaq të dobët, sa nuk do të kishin asnjë shans mbijetese nëse shpërthen ndonjë epidemi diareje ose infeksioni.