Gjendja e romëve në Evropë | Evropa | DW | 06.03.2007
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Gjendja e romëve në Evropë

Fatin e fëmijëve romë e trajtojnë dy studime të organizatës së OKB-së për fëmijët, UNICEF. Rezultatet i paraqiti Komisioni për Fëmijët i Bundestagut, pasi në raport bëhej fjalë edhe për romët në Gjermani.

Fëmijë romë në Bullgari

Fëmijë romë në Bullgari

Romët janë minoriteti më i madh në Evropë: afërsisht 12 milionë romë jetojnë para së gjithash në vendet e Evropës Juglindore. Pjesa më e madhe e tyre jetojnë në Rumani, (rreth 2.1 milionë) dhe në Bullgari (750.000).

"Fëmijët romë në Evropë- midis integrimit dhe izolimit" ishte titulli i konferencës së Berlinit. Një titull që tingëllon gati optimist përballë realitetit. Sepse për integrim as që mund të bëhet fjalë, po t'i marrësh seriozisht përfundimet e studimit. Sipas tij, qindra-mijëra fëmijë jetojnë të izoluar në geto, shumica në buzë të rrugës. Dy të tretat nuk kanë as WC edhe as banjë për t'u larë. Po kaq shumë romë vuajne nga ushqimi i pamjaftueshëm dhe nuk kanë para për t'u vizituar tek mjeku.

Sa e lartë është shifra e fëmijëve të prekur, këtë nuk e di as Gordon Alexander, i cili është drejtues i zyrës rajonale të UNICEF-it për Evropën Lindore dhe shtetet e ish- BS:

"Nëse këta fëmijë nuk figurojnë në asnjë statistikë zyrtare, atëherë ata nuk kanë akses në asnjë institucion. Më parë neve na duhet të konstatojmë se ne nuk dimë sa duhet për fëmijët, me të cilët kemi të bëjmë."

Ajo që dihet të inkurajon pak. Për të dalë nga rrethi vicioz i varfërisë materiale dhe kulturore, arsimi do të ishte kushti më i rëndësishëm. Por edhe në këtë fushë, punët nuk duken mirë:

"Në shumicën e vendeve, për të cilat flitet këtu, deri 90% e fëmijëve ndjekin shkollën fillore. Nga fëmijët romë janë më pak se një e treta."

Shanse më të mira për fëmijët romë është vetëm njëri nga synimet, që ka para vetes kryetarja e UNICEF-Deutschland, Heide Simonis:

"Ne duam të punojmë që edhe shfrytëzimi dhe dhuna kundër fëmijëve të frenohen. Që ata të regjistrohen nga burokracia; për këtë nevojitet burokraci. Në mënyrë që atyre të mos u ndalohen të drejtat në shoqëri, sepse nuk dihet që ata ekzistojnë. Ne duam të punojmë që të forcohet dëshira politike për ta shtyrë më përpara integrimin e romëve."

Mungesa e mbështetjes politike është njëra anë, paragjykimet e thella shekullore janë ana tjetër. Si p.sh. që romët, dhe aq më tepër fëmijët e tyre janë veçanërisht kriminelë.

Në Gjermani jetojnë sipas vlerësimeve rreth 70 mijë sinti dhe romë me pasaportë gjermane. Veç kësaj ka rreth 50 mijë refugjatë romë nga ish-Jugosllavia. Ata kanë vetëm statusin e "të duruarit" në Gjermani dhe në çdo moment i pret dëbimi. Midis tyre janë shumë fëmijë që kanë lindur në Gjermani. Prindërit e tyre kanë përjetuar ferrin në atdhe, thotë Rajnhard Shlagintvajt nga UNICEF-i në Gjermani:

"Atje janë djegur fshatra të tërë. Qindra mijëra romë janë dëbuar, e kanë humbur vendet e punës. Romët i kanë detyruar të jetojnë në koloni masive. Dhe atje vazhdojnë të jetojnë edhe sot."

Sa e nevojshme është këtu puna e Komisionit të Fëmijëve të Bundestagut, kjo del e qartë nga pikëpamja e UNICEF-it, po të shikosh arsimin. Kështu në landin e Zarës, fëmijët refugjatë romë, me statusin "i duruar", nuk kanë të drejtë të shkojnë në shkollë. Në Baden Vyrttemberg ata nuk i kap detyrimi për të shkuar në shkollë. Vetëm po të angazhohen për ta prindërit, punonjësit socialë dhe mësuesit, ata mund të shkojnë në shkolla.

  • Data 06.03.2007
  • Autor M. Fürstenau
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Ar8f
  • Data 06.03.2007
  • Autor M. Fürstenau
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Ar8f